Kanada

Tokio - Kanadezi Andre De Grasse fiton medaljen e artë në 200 m

  • Published in Kanada

I renditur i dyti pas Usain Bolt në Rio më 2016, Andre De Grasse ka realizuar dje ëndrrën e tij duke fituar medaljen e artë në garën e vrapimit 200 metra për meshkuj.

Me kohën 19,62 (rekord i ri kanadez) dhe fitoren e tij, ai shkroi kësisoj një faqe të re në historinë e atletikës dhe olimpizmit kanadez. Me këtë fitore spektakolare, De Grasse ka regjistruar në palmaresin e tij të pjesëmarrjeve në olimpiada medaljen e pestë.

Për atletin kanadez, fitorja e kësaj medalje është dhe një dhuratë familjare. Para fillimit të Lojerave Olimpike të Tokios, ai pat deklaruara dëshirën e madhe të bashkëshortës së tij, amerikanes Neila Ali për ta parë të kurorëzuar me ar. Kjo e fundit, është kampione e Botës në 100 metra me pengesa, por për shkak të faktit që sapo ka sjellë në jetë fëmijën e tyre të dytë, nuk ishte e mundur të merrte pjesë në garën e sivjetme.

Kështu pra, pas 93 vjetësh një kanadez kurorëzohet kampion olimpik në 200 m. Më parë këtë medalje në këtë garë e patën fituar Robert Kerr në Londër, më 1908, dhe më 1928 Percy Williams, në Amsterdam.

Në garën e djeshme të 200 m në vend të dytë pas De Grasse, me gjashtë të qindat e sekondës më shumë u rendit amerikani Kenny Bednarek, ndërsa në vend të tretë u rendit një tjetër amerikan, Noah Lyles që është dhe kampioni i Botës në fuqi i kësaj gare.

Andre De Grasse, ka lindur në vitin 1994 në Scarborough të Torontos. Nëna e tij është me origjinë nga Trinidad Tobago ndërsa i ati nga Barbados. Disa vite nga femijëria dhe adoleshenca ai i ka kaluar në Markham dhe aty ka ndjekur dhe shkollën katolike Nënë Tereza.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/Michael Steele