Zgjedhjet e parakohshme në Kanada, egoizëm i Trudeau dhe abuzim me demokracinë - Nga Taulant Dedja
- Published in Kanada
‘Thashethemi’ që qarkullonte prej disa javësh në media lidhur me zgjedhjet e parakohshme është në prag të zyrtarizimit. Media të ndryshme kanë pohuar sot, se të Dielën 15 Gusht, Justin Trudeau planifikon të paraqitet në Rideau Hall te Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, për t’i kërkuar asaj shpërndarjen e parlamentit dhe zyrtarizimin e fillimit të fushatës zgjedhore federale. Ligji parashikon një minimum prej 36 ditësh, kështu që do na duhet të shkojmë në votime të Hënën më 20 Shtator.
Zgjedhjet e fundit federale në Kanada janë zhvilluar para dy vitesh, pikërisht më 21 Tetor 2019 dhe prej asaj periudhe Trudeau ka qeverisur pa shumë ‘kokëdhimbje’ në minorancë (nuk arriti të marrë 170 deputetë) gjatë mandatit të dytë.
Megjithatë ai sot pretendon, sipas meje pa të drejtë, se ka patur obstruksionizëm nga ana e opozitës, gjë që e ka penguar atë të realizojë agjendën qeveritare. Ndërkohë lideri i shumicës në Dhomën e Komunave, Pablo Rodriguez, ka deklaruar mënyrë krejt absurde se në periudhën e fundit parlamenti nuk ka qenë shumë funksional?!
Me shumë të drejtë partitë opozitare po e denoncojnë si të nxituar këtë vendim të kryeministrit për të provokuar pa asnjë arsye madhore zgjedhje të parakohshme, në kushtet madje kur pritet sipas ekspertëve të nisë, në mos ka nisur, vala e katërt e COVID-19 e provokuar nga varianti Delta.
Personalisht, një vendim të tillë të Justin Trudeau e konsideroj totalisht të papërgjegjshëm dhe egoist, madje do thoja që është abuzim total me demokracinë. Kujtoj këtu se kostoja minimale e zgjedhjeve shkon mbi 500 milion dollarë.
©Flasshqip.ca