Justin Trudeau, për hallin e familjes së vet, jo të kanadezëve - Nga Taulant Dedja
- Published in Kanada
Taulant Dedja - Montréal
Shikojeni me vëmendje këtë foto lart. Kryeministri kanadez me familjen e tij, sot e diel 15 Gusht 2021. Fotoja është publikuar nga Radio-Canada. Dikush mund të mendojë se si ditë pushimi, kryeministri po del të argetohet me familjen. Jo, ndryshe nga qytetarët e vet, që sot e kanë një ditë shplodhjeje apo pushimi rutinë, kryeministri punon, por nuk punon për kanadezët, por për hallin e familjes së vet, që të gezojë edhe katër vjet më shumë privilegjet e funksionit.
Ai sot shkoi te Guvernatorja e Përgjithshme për të shpërndarë Parlamentin e për ta futur vendin në zgjedhje të parakohshme me kosto mbi 500 milionë dollarë. Sipas tij jemi në një moment historik dhe kanadezët duhet të flasin.
Unë sinqerisht nuk e kuptoj se ku është momenti historik sot, sikurse dhe nuk e kuptoj pse nuk e bëri këtë punë të premten kryeministri, por e la për të dielën... Cili ishte rreziku për qeverinë Trudeau? Sinqerisht nuk e gjej dot...
Gjithsesi mendoj, si qytetar i thjeshtë që kjo lloj arrogance, ky lloj egoizmi, kjo hipokrizi dhe ky abuzim me demokracinë duhet ndëshkuar me votë. Kanadaja ka nevojë për një mënyrë tjetër drejtimi sipas meje. Nëse vota e qytetarëve do t'i japë një mësim të mirë Trudeau, kjo po do të jetë ngjarje historike!
©Taulant Dedja