Kanada

Kush janë liderët për të cilët kanadezët do votojnë më 20 Shtator?

  • Published in Kanada

Në 20 Shtator 2021, do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme në Kanada. Në këtë kuadër, Flasshqip vendosi të paraqesë për lexuesit e tij një përshkrim të shpejtë mbi liderët e partive kryesore politike për të cilët do votohet në këto zgjedhje. Në pjesën e parë mund të lexoni mbi Justin Trudeau, liderin e Liberalëve dhe kryeministrin aktual kanadez si dhe mbi liderin e Konservatorëve, Erin O’Toole. Këta janë dy politikanët që kanë shansin të zgjidhen në postin e kryeministrit, në varësi të numrit të vendeve që do fitojnë në Dhomën e Komunave. Në pjesën e dytë, do paraqitet portreti i Jagmeet Singh, lider i Neodemokratëve, Yves-François Blanchet, lider i Bllokut të Québec, Annamie Paul, lidere e të Gjelbërve si dhe Maxime Bernier, lider i Partisë Popullore Kanadeze.

Justin Trudeau - Partia Liberale

Justin Trudeau, lideri Partisë Liberale dhe kryeminstri aktual i Kanadasë, ka lindur në Ottawa, më 25 Dhjetor 1971. Ai është djali i ish-kryeministrit Pierre Elliott Trudeau dhe Margaret Sinclair. Justin Trudeau u zgjodh për herë të parë deputet në një nga zonat e Montréal-it në vitin 2008, ndërsa në vitin 2013 arriti të marrë kreun e Partisë Liberale. Pas 10 vitesh dominim të Konservatorëve nën drejtimin e Stephen Harper, Liberalët fitojnë shumicën në zgjedhjet e vitit 2015 dhe Justin Trudeau bëhet kryeministri i 23-të i vendit në 4 Nëntor të po atij viti.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trudeau legalizoi kanabisin, tentoi por pa sukses, reformën e Senatit, vendosi taksën federale mbi karbonin, negocioi Marrëveshjen tregëtare Kanada-SHBA-Meksikë si dhe nënshkroi Marrëveshjen e Parisit për Ambientin. Në të njëjtën kohë, popullariteti i tij u vu në pikëpyetje nga një udhëtim kontrovers në Indi, nga skandali SNC-Lavalin apo edhe për faktin që u pozicionua kundër Ligjit të Québec-ut për Laicitetin e Shtetit.

Mandatin e dytë si kryeministër, Trudeau e mori më 21 Tetor të vitit 2019, por kësaj radhe duke mos arritur të fitojë shumicën absolute të deputetevë, ndërkohë që Konservatorët e drejtuar nga Andrew Scheer morën më shumë vota popullore. Gjatë mandatit të dytë, qeveria e Trudeau, përveç përballjes me Pandeminë Covid-19, ndërmori masa të mëtejshme për kufizimin e përdorimit të armëve të zjarrit (pas një masakre që ndodhi në Nova-Scotia) si dhe u njollos me skandalin e WE Charity, si rezultat i të cilit u dorëhoq dhe u largua nga skena politike një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trudeau, ministri i Financave, Bill Morneau.

Justin Trudeau ka studjuar letërsi angleze në universitetit McGill (bachelor) si dhe ka përfunduar studimet bachelor në Shkencat e Edukimit pranë Universitetit të British Columbia. Nga Maji i viti 2005 ai është martuar me animatoren e televizionit Sophie Grégoire dhe sëbashku kanë tre femijë, dy djem dhe një vajzë. Pëpara së të hynte në politikë, Justin Trudeau ka punuar si mësues në Vancouver dhe animator radioje.

Gjatë qeverisjes së Justin Trudeau, borxhi publik u dyfishua, krahasuar me shifrat e vitit 2015, viti i fundit i qeverisjes së Konservatorëve. Trudeau e futi Kanadanë në zgjedhje të parakohshme në kushtet kur edhe pse në minorancë, parlamenti funksionoi normalisht për dy vite me radhë. Kostoja e këtyre zgjedhjeve llogaritet mbi 600 milionë dollarë. “Kali i betejës” apo justifikimi për të, në kërkim të një mazhorancë që mund t’ia zgjasë edhe 4 vite të tjera pushtetin është “vaksinimi i detyruar”, por ai deklaroi gjithashtu që në rast se sërish do jetë në minorancë, vendi do të shkojë edhe një herë në zgjedhje pas 18 muajsh.

Erin O’Toole - Partia Konservatore

Kryetari i Partisë Konservatore Kanadeze, avokati dhe ish-ushtaraku i Forcave Ajrore të Kanadasë Erin O’Toole, ka lindur në 22 Janar 1973 në Montréal. Ai është djali i ish-deputetit provincial konservator të Ontarios John O’Toole. Erin O’Toole u zgjodh për herë të parë deputet i Dhomës së Komunave në zonën elektorale Durham (Ontario) në 26 Nëntor 2012 si dhe ka qenë ministër i Veteranëve në kabinetin e Stephen Harper në vitin 2015. Pas dorëheqjes së Andrew Scheer, O’Toole fitoi garën për postin e kryetarit të partisë dhe u bë Lider i Konservatorëve më 24 Gusht 2020, njëherazi dhe lider i opozitës zyrtare. Bashkëshortja e tij quhet Rebecca O’Toole, manaxhere dhe konsulente në fushën e bizneseve. Sëbashku ata kanë dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Pas diplomimit në Kolegjin Ushtarak Mbretëror të Kanadasë në vitin 1995, Erin O’Toole emërohet oficer pranë Forcave Ajrore Kanadeze. Më pas, në vitin 2005 diplomohet në Drejtësi në Dalhousie University Nova Scotia dhe fillon të ushtrojë profesionin e avokatit. Më 2008 ai bashkëthemelon True Patriot Love Foundation, një organizëm në mbështetje të veteranëve dhe familjeve të ushtarakëve kanadezë.

Tentativa e parë e O’Toole për marrjen e lidershipit të Konservatorëve daton në vitin 2017, por ai u rendit i treti në garë pas Andrew Scheer dhe Maxime Bernier. Vitin e kaluar ai e fitoi garën pas raundit të tretë në një përballje me Peter MacKay, ish-ministër i Jashtëm dhe i Mbrojtes në kabinetin Harper.

Në pozicionimin e tij si lider, O’Toole paraqitet më i moderuar se paraardhësit, veçanërisht për temën e ambientit dhe është angazhuar të respektojë objektivat e Marrëveshjes së Parisit. Programi Konservator në këto zgjedhje ka shumë elementë socialë në mbështetje të të gjitha shtresave të shoqërisë kanadeze. Erin O’Toole e ka inkurajuar qartazi vaksinimin anti-Covid, por nuk ka mbështetur vaksinimin e detyrueshëm dukë qenë në favor të depistimit të shpejtë. O’Toole mbështet rritjen e kapaciteteve prodhuese për vaksinat në Kanada.

Programi i tij synon riekuilibrimin e buxhetit brenda 10 viteve, kërkon të nxisë rimëkëmbjen e ekonomisë me investime në infrastrukurë dhe kreditime taksash, duke rikuperuar njëherazi 1 milion vende pune, rinovimin e qendrave për të moshuarit si dhe forcimin e shërbimeve në favor të shëndetit mendor. Lideri Konservator ka propozuar gjithashtu miratimin e një ligji antikorrupsion si dhe është shprehur në favor të një autonomie më të madhe të provincave, duke premtuar dhe rritjen e transfertave të pakushtëzuara në fushën e shëndetësisë. Ndryshe nga Justin Trudeau, Erin O’Toole është deklaruar që nuk do t’i kontestojë dy ligjet e Québec, atë për mbrojtjen e frengjishtes dhe ligjin për Laicitetin e shtetit.

(Vijon)

©Flasshqip.ca