Kanada

Montréal - Kadri Sherifi, shqiptari kandidat në zgjedhjet lokale të 7 Nëntorit

  • Published in Kanada

Sivjet në provincën e Québec, në datën 7 Nëntor, do të zhvillohen zgjedhjet lokale për kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë në 1108 njësi lokale, nga të cilat 227 administrohen mbi bazën e Ligjit për Qytetet, ndërsa pjesa tjetër nga Kodi i Bashkive.

Në Montréal, që është metropoli ekonomik i provincës, qyteti me numrin më të madh të banorëve (rreth 1.8 milion) si dhe qyteti me diversitetin më të madh kulturor, zgjedhjet do të zhvillohen në 19 mini-bashki (për 18 kryetarë), për këshillat e minibashkive (numri varion sipas territorit), këshilltarët e qytetit (gjithsej 46) si dhe për kryetarin e Bashkisë, që është njëkohësisht dhe kryetar i mini-bashkisë së qendrës, Ville-Marie.

Dy kundërshtarët kryesorë që do përballen janë kryetarja aktuale e Bashkisë Valérie Plante (Projet Montréal) dhe ish-kryetari Denis Coderre (Ensemble Montréal), që humbi përballë saj para katër viteve.

Në skuadrën e Valérie Plante për mini-bashkinë Anjou do të jetë edhe një anëtar i komunitetit shqiptar, Kadri Sherifi, i cili do të kandidojë për këshilltar në distriktin zgjedhor Anjou-Centre. Bashkë me të, kandidon për kryetare e mini-bashkisë Kettly Beauregard, e para grua black anëtare e Keshillit Bashkiak Montréal (1994-2001) në emër të Vision Montréal, si dhe për këshilltarë François Plourde dhe Claudia Servant. Prezantimin e kandidatëve të saj Valérie Plante e ka bërë zyrtarisht të Premten më 10 Shtator.

Qysh nga viti 1997, Anjou, dikur bashki më vete dhe sot një nga 19 mini-bashkitë e Montréal, drejtohet nga Luis Miranda, i cili kandidon përsëri në këto zgjedhje në krye të Équipe Anjou. Luis Miranda ka nënshkruar një marrëveshje aleance parazgjedhore me kundërshtarin e Valérie Plante, ish-kryebashkiakun Denis Coderre (që dikur ai vetë e kritikonte si centralizues). Kësisoj, Coderre nuk do kandidojë përfaqësues nga partia e tij, Ensemble Montréal, në territorin e Anjou.

Kandidati shqiptar Kadri Sherifi është një emër shumë i njohur për bashkatdhetarët tanë në Montréal e rrethina, jo vetëm për faktin se është përkthyes i liçensuar, ndër të tjera për dokumentet zyrtare nga shqipja në frengjisht, por edhe si person aktiv dhe i angazhuar në komunitet. Ai ka lindur në Kosovë dhe prej më shumë se dy dekadash ka imigruar në Kanada. Kadriu ka studiuar në Universitetin e Montréal dhe atë Concordia, për gjuhën frenge dhe metodat e intervenimit në mjedise multietnike. Për shumë vite ai ka qenë aktiv në industrinë e shit-blerjes së pronave, ndërsa aktualisht punon në sektorin qeveritar të imigracionit.

Është hera e dytë që Projet Montréal i Valérie Plante kandidon një përfaqësues nga komuniteti shqiptar. Para katër vitesh, ish-kryetarja e Shoqatës Kulturore Montréal, Anila Erindi, kandidoi në emër të Projet Montréal në mini-bashkinë LaSalle, pa arritur të merrte numrin e mjaftueshëm të votave për t’u zgjedhur. Duhet kuptuar që në raste të tilla dhe në qytete të tilla si Montréal, luan shumë rol edhe vota etnike.

Fakti që sërish Projet Montréal kandidon një shqiptar duhet përshëndetur dhe vlerësuar, por sidomos duhet mbështetur Kadriu nga i gjithë komuniteti i Montréal-it dhe jo vetëm nga shqiptarët që banojnë në Anjou.

Lë ti urojmë suksese Kadri Sherifit, i cili së shpejti do jetë prezent në Flasshqip edhe me një intervistë.

https://www.facebook.com/Kadri.Sherifi 

https://www.projetmontreal.org/ 

©Flasshqip.ca