Kanada

Zgjedhjet federale të 20 Shtatorit - Më shumë se 6.3 milionë kanadezë kanë votuar tashmë

  • Published in Kanada

Sipas raportimeve të djeshme nga Election Canada (15 Shtator) rreth 6.33 milionë qytetarë kanadezë me të drejtë vote kanë votuar në mënyrë të përshpejtuar (5.9 milionë fizikisht në qendra votimi) apo me postë, nga e Premtja e kaluar deri të Hënën në mbrëmje. Pra rreth 23.4% e 27 milionë të regjistruarve në Regjistrin e Zgjedhësve, e kanë shprehur vullnetin e tyre.

Krahasuar me vitin 2019, kjo shifër përbën një rritje gati 23% sepse në zgjedhjet e para dy viteve rreth 4.9 milionë votues preferuan këto mënyra votimi. Gjithsesi kjo shifër mbetet paraprake sipas Election Canada, sepse mund të ketë ende qendra votimi që nuk i kanë raportuar shifrat e pjesëmarrjes.

 

Deri dje në ora 18:00, fleta e votimit mund të porositej edhe përmes postës dhe në mbyllje të regjistrimit rezultoi që 1,088,550 shtetas e kishin depozituar një kërkesë të tillë, nga të cilët, 53,039 qytetarë kanadezë që jetojnë jashtë Kanadasë.

Ndërkohë Election Canada ka marrë deri tani 533,859 fletë votimi me postë nga brenda vendit dhe 12,071 nga jashtë. Shifrat e raportuara për votimin përmes postës shënojnë një rritje më shumë se të konsiderueshme krahasuar më zgjedhjet e fundit, kur vetëm rreth 20,000 vetë kishin aplikuar për këtë opsion.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers; La Presse Canadienne/Darren Calabrese