Kanada

Liderët që kanadezët do votojnë më 20 Shtator: Jagmeet Singh NDP

  • Published in Kanada

Në 20 Shtator 2021, do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme federale në Kanada. Në këtë kuadër, Flasshqip paraqet për lexuesit një përshkrim të shpejtë mbi liderët e partive kryesore politike për të cilët do votohet në këto zgjedhje. Në pjesën e parë mundët të lexoni mbi Justin Trudeau, liderin e Liberalëve dhe kryeministrin aktual kanadez si dhe mbi liderin e Konservatorëve, Erin O’Toole. Sot po paraqesim shkurtimisht portretin e Jagmeet Singh, lider i Neodemokratëve (NDP) si dhe disa elementë të programit të tij.

Jagmeet Singh - Partia Neodemokrate (NDP)

Jagmeet Singh, me profesion avokat penalist, është lideri aktual i Partisë Neodemokrate të Kanadasë, e katërta për nga numri i vendeve në Dhomën e Komunave me gjithsej 24 deputetë. Ai ka lindur në Scarborough të Torontos në 2 Janar të viti 1979. Prindërit e tij janë dy imigrantë nga India me origjinë nga Penxhabi (shtet në Veri-Perëndim të Indisë), babai me profesion psikiatër, ndërsa nëna mësuese. Singh është i pari sikh me origjinë indianë që mban turban, i cili ka arritur të zgjidhet deputet provincial (Ontario 2011-2017) dhe lider i një partie politike federale kanadeze.

Familja e tij ka jetuar rreth 5 vite në Newfoundland për t’u vendosur më pas në Windsor, ku Jagmeet ndjek fillimisht studimet në anën tjetër të kufirit, Detroit, në shkollën private Detroit Country Day School, nga ku diplomohet në vitin 1997. Pas studimeve dhe marrjes së bachelor fillimisht në biologji pranë Western Ontario University, ai zgjedh të vazhdojë studimet për Drejtësi dhe përfundon bachelor-in në vitin 2005, në Osgoode Hall Law School të York University në Toronto.

Jagmeet Singh punoi fillimisht si avokat penalist për kabinetin e mirënjohur Pinkovsky, e më pas hapi zyrën e vet në Brampton, duke vazhduar njëkohësisht edhe aktivitetin komunitar si aktivist në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Karrierën politike e nisi më 2011, kur në zgjedhjet federale si kandidat i NDP humbet vetëm për 539 vota përballë konservatorit Bal Gosal, në zonën elektorale Bramalea-Gore-Malton. Pas disa muajsh, të njejtin vit, ai arrin të zgjidhet deputet provincial në Ontario, sërish në emër të NDP.

Singh ka qenë iniciatori i Ligjit të miratuar nga Legjislatura e Ontario-s në Dhjetor 2013, që sanksionoi muajin Prill, si muaji i trashëgimisë Sikh në provincë.

Pas dorëheqjes së Thomas Mulcair, Jaghmeet Singh hyn përfundimisht në skenën politike federale si lider i zgjedhur i NDP më 1 Tetor 2017. Pas dy vitesh, në zgjedhjet federale të vitit 2019, NDP nën drejtimin e tij arriti të fitojë vetëm 24 vende në Parlament, nga 44 që kish marrë më 2015. Vetë Singh, ndërkohë u zgjodh deputet në zonën elektorale Burnaby-Sud në British Columbia, së pari më 25 Shkurt 2015 kur vendi i deputetit ishte vakant, e më pas për herë të dytë më 21 Tetor 2019.

Jagmeet Singh është i martuar prej vitit 2018 me Gurkiran Kaur, dizajnere e modës dhe së shpejti pret të bëhet baba.

Kreu i NDP e ka denoncuar vazhdimisht kryeministrin Trudeau për futjen e vendit në zgjedhje të parakohshme pa qenë nevoja, por gjatë kësaj fushate është pozicionuar në favor të vazhdimit të programeve subvencionuese në kushtet e pandemisë. Për rimëkëmbjen e ekonomisë ai propozon vendosjen e një takse të përkohshme prej 15% mbi fitimin e ndërmarrjeve të mëdha që kanë përfituar nga kriza sanitare si dhe taksimin 1% të pasurisë së multimilionerëve (10 milionë e lart).

Lideri neodemokrat është gjithashtu në favor të një sistemi shtëpish kujdesi për të moshuarit tërësisht publik, propozon krijimin e një Enti Shtetëror për prodhimin e vaksinave si dhe mbështet vaksinimin e detyrueshëm të punonjësve të shërbimit publik dhe pasaportën e vaksinimit për udhëtimet me avion brenda dhe jashtë vendit. Ai gjithashtu propozon një sistem sigurimesh për mbulimin e kujdesit dentar dhe kujdesit të shëndetit mëndor, si dhe një sistem kopshtesh për fëmijët me kosto 10 dollarë në ditë për gjithë Kanadanë, në koordinim me provincat.

(Vijon)

©Flasshqip.ca