Kanada

Liderët që kanadezët do votojnë më 20 Shtator: Yves-François Blanchet Bloc Québecois

  • Published in Kanada

Në 20 Shtator 2021, do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme federale në Kanada. Në këtë kuadër, Flasshqip paraqet për lexuesit një përshkrim të shpejtë mbi liderët e partive kryesore politike për të cilët do votohet në këto zgjedhje. Në pjesën e pare dhe të dytë mundët të lexoni mbi Justin Trudeau, liderin e Liberalëve dhe kryeministrin aktual kanadez, mbi liderin e Konservatorëve Erin O’Toole dhe kreun e Neodemokratëve Jagmeet Singh. Më poshtë po paraqesim portretin e Yves-François Blanchet, lider i Bloc Québecois.

Dikur figurë e njohur e botës së show-biznes dhe sot politikan që synon të ndikojë në ekuilibrat e politikës federale në emër të mbrojtjes së interesave dhe identitetit kombëtar të “La Belle Province”, Yves-François Blanchet, ka lindur më 16 Prill 1965 në Drummondville të Québec-ut, qytet ku ka kryer gjithë shkollimin parauniversitar. Më pas ai diplomohet për Antropologji në Universitetin e Montréal-it në vitin 1987 dhe njëkohësisht rreshtohet politikisht me Partinë e Québec. Në atë periudh, sëbashku me mikun e tij Alain Goulet themelojnë një kompani produksioni artistik dhe manaxhimi artistësh më emrin Paradigme, me synim promovimin e muzikës rock në Québec. Për vite me radhë ai ka ushtruar aktivitetin në këtë sektor duke promovuar shumë artistë, derisa në vitin 2003 zgjidhet dhe president i Asociacionit të Industrisë së disqeve, spektakleve dhe videove të Québec-ut.

Në vitin 2008, Partia e Québec e përzgjedh Yves-François Blanchet në listën e kandidatëve dhe ai më 8 Dhjetor të të njejtit vit arrin të zgjidhet deputet provincial në qytetin e tij të lindjes, Drummondville. I rizgjedhur sërish në Shtator 2012, ai bëhet pjesë e kabinetit qeveritar të kryesuar nga Pauline Marois duke mbajtur postin e Ministrit për Zhvillimin e qëndrueshem, Ambientin, Faunën dhe Parqet. Më 2014 pas disfatës të Partisë së Québec në zgjedhjet e parakohshme dhe humbjes së mandatit të deputetit, ai nis të punojë si kronikan politik për Radio-Canada dhe Groupes Capitales Média.

Në vitin 2018, një votëbesim me rezultat negativ që largoi nga kreu i Bloc Québecois kryetaren Martine Ouellet, bëhet ngjarja që nxiti rikthimin e Blanchet në skenën politike, tashmë federale. Kësisoj, më 17 Janar 2019 ai zgjidhet pa konkurent tjetër kryetar i partisë. Një parantezë këtu për të shpjeguar me një fjali çfarë përfaqëson Bloc Québecois. Është një parti politike e themeluar në vitin 1991, që vepron vetëm në Québec, me orientim social-demokrat dhe sovranist për mbrojtjen e interesave të Québec në Parlamentin Federal.

Në zgjedhjet federale të Tetorit 2019, Yves-François Blanchet zgjidhet deputet në zonën elektorale Beloeil-Chambly me një avantazh prej 18 998 votash. Ndërkohë partia fitoi gjithsej 32 deputetë, duke arritur të renditet e treta pas Liberalëve dhe Konservatorëve. Sëbashku me NDP gjatë dy viteve të fundit, Bloc Québecois ka kontrolluar ekuilibrin e pushtetit në një situatë qeverie në minorancë.

Në 20 Shtator Yves-François Blanchet, politikan karizmatik dhe orator i klasit tē parë, synon të ruajë të paktën rezultatin e vitit 2019, pse jo të arrijë edhe më shumë. Ai është deklaruar që për të nuk ka rëndësi cili do jetë kryeminstri i ardhshëm, por rëndësi ka që të mos ketë qeveri mazhoritare, duke theksuar që do të votojë gjithmonë në raport me mbrojtjen e interesave të Québec.

Blachet është kundër vaksinimit me detyrim të funksionarëve federalë, por mbështet në parim vaksinimin e sa më shumë personave dhe aplikimin e pasaportës vaksinale për të kontrolluar udhëtimet jashtë vendit. Ai propozon rritjen me 35% të transfertave të pakushtëzuara në shëndetësi në favor të provincave si dhe krijimin e një komisioni hetimor për menyrën se si u administrua situata e pandemisë.

Partia e Blanchet synon gjithashtu garantimin me ligj të kriterit që emigrantët të cilët aplikojnë për nënshtetësinë kanadeze nga Québec të kenë njohuri të mjaftueshme të gjuhës frënge dhe propozon që Québec të bëhet një vend mikpritës për refugjatët që flasin frëngjisht. Po kështu Bloc Québecois planifikon të paraqesë një projekt-ligj për ta hequr Quebéc nga lista e Ligjit të Multikulturalizmit dhe që t'i lejojë provincës të zgjedhë një model që korrespondon me synimet e saj për integrimin e të ardhurve.

Yves-François Blanchet është i martuar me Nancy Déziel (me profesion kimiste) dhe baba i katër fëmijëve.

(Vijon)

©Flasshqip.ca