Kanada

Liderët që kanadezët do votojnë më 20 Shtator: Annamie Paul dhe Maxime Bernier

  • Published in Kanada

Në 20 Shtator 2021, do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme federale në Kanada. Në këtë kuadër, Flasshqip sjell për lexuesit një përshkrim të shpejtë mbi liderët e partive kryesore politike për të cilët do votohet në këto zgjedhje. Në pjesën e pare, të dytë dhe të tretë paraqitëm Justin Trudeau, liderin e Liberalëve dhe kryeministrin aktual kanadez, liderin e Konservatorëve Erin O’Toole, kreun e Neodemokratëve Jagmeet Singh dhe Yves-François Blanchet, lider i Block Québecois. Kjo pjesë e fundit i kushtohet Annamie Paul, lidere e Green Party of Canada dhe Maxime Bernier lider i The People’s Party of Canada.

Annamie Paul - Green Party of Canada

Annamie Paul, e lindur më 3 Nëntor 1972 dhe me profesion avokate, është liderja e Green Party of Canada prej 3 Tetorit 2020. Është gjithashtu e para grua black dhe e para e besimit hebre (është konvertuar si e tillë pas martesës me një hebre) që drejton një parti parlamentare federale.

E rritur në Brampton në një familje me origjinë nga ishujt Karaibe, ajo nis të punojë qysh në moshë të re si nëpunëse ndihmëse në Parlamentin e Ontarios dhe më pas në Senatin kanadez. Pas marrjes së gradës bachelor në Drejtësi pranë Ottawa University dhe gradës Master në Administrim Publik pranë Princeton University (USA) ajo pranohet në Dhomën e Avokatëve të Ontarios në vitin 1998.

Për disa vjet ajo ka punuar në Misionin Kanadez pranë Bashkimit Europian dhe Zyrën e Prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Në vitet 2001-2005 ajo ishte themeluese dhe drejtuese e Qendrës Kanadeze për Lidershipin politik, organizatë që ka si qëllim mbështetjen e grave, autoktonëve dhe personave me ngjyrë për të marrë pjesë në administratën publike.

Në zgjedhjet e vitit 2019, tashmë zëdhënëse për çështjet ndërkombëtare e Green Party, Annamie Paul kandidon në zonën elektorale Toronto-Center, pa arritur të zgjidhet. Mandati në atë zonë u fitua nga liberali Bill Morneau, që më pas u largua nga politika edhe si ministër edhe si deputet, si rezultat i një skandali financimesh të dyshimta me fonde publike. Ajo kandidon sërish në zgjedhjet e pjesshme të Tetorit 2020 pa mundur sërish të fitojë, edhe pse arriti një rezultat spektakolar krahasuar me një vit më parë, gati 33%, duke u renditur e dyta. Po në Tetor 2020 ajo zgjidhet në krye të Green Party me rreth 55% të votave në konkurim me 7 kandidatë të tjerë.

Edhe pse u kontestua më pas nga një pjesë e partisë, që kërkonte largimin e saj, ajo arriti ta mbajë lidershipin dhe në këto zgjedhje synon të paktën të ruajë statusin e partisë parlmentare si dhe zgjedhjen deputete në të njëjtën zonë të Torontos. Në debatin e shefave organizuar nga CBC, ajo dëshmoi një oratori të admirueshme dhe e vuri shpesh në vështirësi kryeministrin Trudeau.

Annamie Paul është martuar me avokatin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut Mark Freeman dhe ata janë prindër të dy djemve.

Maxime Bernier - The People’s Party of Canada

Kryetari i PPC, deputeti federal 2006-2019 me profesion avokat, Maxime Bernier, ka lindur në 18 Janar 1963 në Québec. Ai është djali i ish-deputetit progresist-konservator në Dhomën e Komunave, Gilles Bernier (1984-1997) që ka përfaqësuar zonën elektorale Beauce (Québec). Pas diplomimit në Drejtësi në Ottawa University, Bernier pranohet në vitin 1990 në Dhomën e Avokatëve të Québec.

Pas një periudhe në radhët e nacionalistëve të provincës (në kabinetin e ministrit të Financave Bernard Landry) dhe mbështetës i referendumit për pavarësi të vitit 1995, ai punon në sektorin privat, ndër të tjera edhe si zv.president egzekutiv i Institutit Ekonomik të Montréal. Në një aktivitet të organizuar nga ky institut në vitin 2005, ai njihet me Stephen Harper, i cili një vit më vonë e fton të kandidojë për Konservatorët në të njejtën zonë ku dikur kish qenë deputet babai i tij.

Pas fitores si deputet dhe asaj të Konservatorëve më 2006, Bernier emërohet ministër i Industrisë në qeverinë Harper dhe më pas ministër i Jashtëm, post nga i cili dha dorëheqjen në vitin 2008, pas një gafe në lidhje më disa dokumente sekrete që i harroi në shtëpinë e të dashurës së tij Julie Couillard. Në mandatin në vazhdim të qeverisë Harper, ai qëndroi për katër vjet në postin e ministrit të Shtetit për Biznesin e vogël, Turizmin dhe Bujqësinë.

Me daljen e Konservatorëve në opozitë, Maxime Bernier tenton të zgjidhet lider i Konservatorëve por e humbet garën më një diferencë shumë të vogël përballë Andrew Scheer.

Më pas, si rezultat i mosmarrëveshjeve më Scheer, ai largohet nga partia dhe themelon më 12 Qershor 2018 The People’s Party of Canada. Në zgjedhjet e Tetorit 2019 Bernier nuk arrin të zgjidhet as vetë deputet duke mbetur jashtë parlamentit. Statusi i partisë ekstraparlamentare, bëri që sivjet ai të mos ftohet në debatet e shefave të organizuar nga TVA dhe CBC/Radio-Canada.

Duke u berë zëdhënësi politik i qytetarëve që kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm dhe masat shtërnguese shëndetësore (gjatë një manifestimi në kohë pandemie në Qershor 2021 ai madje u arrestua nga policia në Manitoba) Bernier synon minimalisht që në 20 shtator të rikthehet vetë si deputet në Dhomën e Komunave. Sondazhet e ditëve të fundit kanë treguar që partia e tij ka pësuar rritje, çka mund të dëmtojë Konservatorët e Erin O’Toole. Jo më kot sot “National Post” ka botuar një editorial me titullin “Të gjithë konservatorët duhet të kuptojnë që çdo votë për Maxime Bernier është votë për Justin Trudeau”. A janë këto zgjedhje revanshi i Maxime Bernier ndaj partisë që e bëri tre herë deputet dhe tre herë ministër, por që nuk e zgjodhi lider duke i dhënë vetëm 49.05% të votave? Të presim rezultatin…

Nga viti 2019, Maxime Bernier është i martuar me Catherine Letarte. Ai gjithashtu është baba i dy vajzave nga martesa e tij e parë.

©Flasshqip.ca