Kanada

Hydro-Québec nënshkruan një kontratë të rëndësishme me shtetin e New York

  • Published in Kanada

Kompania shtetërore Hydro-Québec dhe partneri i saj amerikan Transmission Developers, njoftuan para disa ditësh se janë përzgjedhur për të furnizuar me energji elektrike shtetin e New York-ut nga viti 2025.

Sipas deklaratës për mediat të Hydro-Québec, që citohej nga Radio-Canada, kjo kontratë e madhe për shpërndarjen e energjisë elektrike në sasinë 10.4 terawatt-orë në vit, do mundësojë nga viti 2025 dhe për 25 vjet radhazi, furnizimin e më shumë se një milion banesave amerikane.

Kjo është kontrata më e madhe e eksportit e fituar deri më sot nga Hydro-Québec. Për krahasim, kontrata 20 vjeçare për shpërndarjen e 9.45 terawatt-orë energji në vit me Massachusetts, vlerësohet në rreth 10 miliardë dollarë.

Projekti Champlain-Hudson-Power-Express, përfshin ndërtimin e një linje transmetimi nëntokësore dhe nën-ujore afërsisht 545 km të gjatë midis kufirit Kanada-SHBA dhe qytetit të New York-ut. Faza e ndërtimit të linjës do të krijojë 1400 vende pune në SHBA, ndërsa pjesa në territorin e Québec e linjës së transmetimit (60 km nëntokësore) do të jetë në pronësi të përbashkët me komunitetin Mohawk të Kahnawake, i cili do të ketë përfitime ekonomike për një periudhë 40 vjeçare.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Foto: Hydro-Québec