Kanada

Montréal - 10 konkurentë për postin e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet e 7 Nëntorit

  • Published in Kanada

Qytetarët e Montréal-it, metropolit frankofon, do të kenë më shumë opsione se herën e fundit, në listën e votimit për zgjedhjet e pritshme lokale të 7 Nëntorit. Në total, janë gjithsej 10 kandidatë që do të konkurojnë për postin e kryetarit të bashkisë. Kjo është shifra zyrtare e publikuar nga Zyra e zgjedhjeve të qytetit pas përfundimit të afatit ligjor të regjistrimit, që u mbyll dje pasdite, e Premte 1 Tetor 2021, në ora 16:30.

Përveç kryetares aktuale Valérie Plante (Projet Montréal) dhe ish-kryetarit Denis Coderre (Ensemble Montréal), në listë janë edhe tre kandidatë të tjerë që prezantohen nën siglën e një subjekti politik. Balarama Holness (Mouvement Montréal), partia e të cilit u bashkua me Ralliement pour Montréal të Enjten, 30 Shtator, Gilbert Thibodeau (Action Montreal) dhe Luc Ménard (Montreal 2021). Pesë kandidatë të pavarur do të jenë gjithashtu në garë, përkatësisht Beverly Bernardo, Jean Duval, Fang Hu, Wilder Jules dhe Dimitri Mourkes.

Gjithsesi, pavarësisht shifrës prej 10 kandidatësh, gara e vertetë parashikohet që do zhvillohet vetëm mes dy emrave, që kanë dhe shanset më të mëdha për t’u zgjedhur. Valérie Plante, e para grua numri një në historinë e metropolit, e cila është në kërkim të një mandati të dytë radhazi dhe Denis Coderre, i cili u shfronësua nga posti i kryebashkiakut para 4 vitesh, kur humbi përballë saj në kushtet kur sondazhet e nxirrnin thuajse të sigurt si fitues.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/Jean-Claude Taliana dhe Josie Desmarais/Métro