Kanada

Pandora Papers - Të dhena të reja mbi sekretet e parajsave fiskale të 35 krerëve të shteteve

  • Published in Kanada

Siç raporton Radio-Canada, sekretet financiare të 35 krerëve të shteteve, të mëparshëm dhe të tanishëm dhe më shumë se 330 politikanë artistëve e sportistëve nga 91 vende dhe territore, janë ndër zbulimet e përfshira në një rrjedhje të re të miliona dokumenteve konfidenciale nga parajsat fiskale - më e madhja e këtij lloji.

Një koalicion ndërkombëtar i paprecedent me më shumë se 600 gazetarë nga 150 media në 117 vende hedh dritë mbi faktin se si aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë përfitojnë nga parajsat fiskale duke investuar pasuritë e tyre atje, përfshirë një numër të madh të zyrtarëve të zgjedhur të cilët supozoheshin se duhet të luftojnë kundër këtij sistemi i cili i privon vendet e tyre nga të ardhura të konsiderueshme.

Pas Panama Papers dhe Paradise Papers, i erdhi radha pra Pandora Papers. Kjo sasi masive të dhënash e zbuluar nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigues (ICIJ), partner i të cilit është edhe Radio-Canada, përmban më shumë se 11.9 milion dokumente financiare konfidenciale nga 14 firma të inkorporuara në formë ekstraterritoriale nga 12 vende të ndryshme.

Këto firma përdoren, ndër të tjera, për të krijuar kompani virtuale për klientët që dëshirojnë të fshehin aktivitetet e tyre financiare.

Dokumentat në fjalë, përfshijnë gati tre herë më shumë informacion në lidhje me aktivitetet jashtë territorit të krerëve të shteteve dhe dy herë më shumë informacion në lidhje me zyrtarët publikë sesa çdo rrjedhje e mëparshme që informonte mbi parajsat fiskale.

Emrat e shumë figurave të rëndësishme politike shfaqen në dokumente: ai i Mbretit të Jordanisë, presidentëve të Ukrainës, Kenias dhe Ekuadorit, kryeministrave të Bregut të Fildishtë, Libanit dhe Republikës Çeke si dhe emri të ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Përmenden gjithashtu të afërmit e Presidentit rus Vladimir Putin.

Siaps ekspertëve, të zotërosh një kompani në vendet parajsa fiskale është e ligjshme, por konfidencialiteti që ata ofrojnë mund të kamuflojë flukset e paligjshme të parasë, çka lehtëson dhe pastrimin e tyre, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit dhe abuzime të tjera me të drejtat e njeriut. Mësohet se Pandora Papers gjithashtu hedhin më shumë dritë mbi disa skandale korrupsioni ndërkombëtar, përfshirë Fifagate, që tronditi botën e futbollit në 2015.

Burimi: Radio-Canada