Një kanadez mes tre laureatëve të Çmimit Nobel në ekonomi për vitin 2021
- Published in Kanada
Çmimi Nobel në ekonomi iu akordua sot (11.10.21) tre specialistëve në ekonominë eksperimentale, kanadezit David Card, amerikano-izraelitit Joshua Angrist dhe amerikano-holandezit Guido Imbens, të cilët me kërkimet e tyre kanë hedhur më shumë dritë dhe kanë kontribuar në thellimin e njohurive në fusha të tilla si tregu i punës, imigracioni dhe arsimi.
“Me eksperimentet e tyre që të kujtojnë provat klinike në farmakologji, treshja na solli ide të reja në tregun e punës dhe dëshmoi se çfarë përfundimesh mund të nxirren edhe nga eksperimentet natyrore përsa i përket lidhjeve shkak-pasojë. Qasja e tyre u shtri edhe në fusha të tjera dhe revolucionarizoi kërkimet empirike”, ka deklaruar juria që ka akorduar çmimin e 53-të të Bankës së Suedisë në Ekonomi, në kujtim të Alfred Nobel.
Kështu pra ka përfunduar sezoni Nobel 2021, sepse ky ishte i fundit në radhë mes çmimeve të famshme të kësaj kategorie që akordohen çdo vit. Çmimi në Ekonomi ka qenë i vetmi që nuk ishte parashikuar në testamentin e shpikësit suedez dhe ka filluar të akordohet qysh nga viti 1969. Për ketë arsye, ai shpesh cilësohet edhe si “Nobeli fallco”. Nga 89 fitues vetëm 2 prej tyre kanë qenë femra dhe është i vetmi çmim që mund të konsiderohet si i monopolizuar nga ekonomistët amerikanë. Vetëm në vitin 1999 ky çmim ka patur një fitues jo amerikan. Për konçidencë edhe fituesi i vetëm i vitit 1999, ka qenë kanadezi Robert A. Mundell (1932-2021), i lindur në Kingston të Ontarios.
Shkencëtari kanadez David Card, ka lindur në vitin 1956 në Guelph të Ontarios. Pas përfundimit të Bachelor në Queen’s University në vitin 1978, në vitin 1983 ai mbrojti gradën PhD në Ekonomi në Princeton University të New Jersey me dizertacionin “Indeksimi në kontratat afatgjata të punës”. Card e filloi karrierën e tij në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Çikagos, ku ai ishte Asistent Profesor i Ekonomisë së Biznesit nga 1982 në 1983. Më pas kaloi në Fakultetin Ekonomik të Princeton University nga 1983 në 1997, para se të transferohej në Universitetin Berkeley të Kalifornisë ku edhe punon aktualisht.
Përmes eksperimenteve të tij, David Card ka analizuar në mënyrë të veçantë efektet e pagave minimale, imigracionit dhe nivelit të arsimimit në tregun e punës. Sipas vendimit të Jurisë atij i është akorduar gjysma e çmimit, që shoqërohet dhe me shpërblimin dhjetë milionë korona suedeze (1.42 milion dollarë kanadezë). “Studimet e tij në fillim të viteve 1990 sfiduan disa teori në fuqi dhe çuan në analiza të reja dhe perspektiva të reja”, vuri në dukje juria e Nobelit. Në veçanti, rezultatet e kërkimeve të David Card kanë vënë në dukje faktin se rritja e pagës minimale nuk çon domosdoshmërisht në zvogëlim të numrit të vendeve të punës.
Gjysma tjetër e çmimit iu akordua 61-vjeçarit Joshua Angrist, profesor në Massachusetts Institute of Technology dhe 58-vjeçarit Guido Imbens, profesor në Stanford dhe me origjinë nga Eindhoven (Hollandë), për kontributet e tyre metodologjike në analizën e marrëdhënieve shkak-pasojë. Në mesin e viteve 1990, puna e tyre bëri të mundur nxjerrjen e përfundimeve solide në lidhjet shkak-pasojë që mund të nxirren nga eksperimente empirike në fusha të tilla si për shembull arsimi.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada