Kanada

Quebéc - Ndalohet ushtrimi i profesionit për infermierët e pavaksinuar

  • Published in Kanada

Urdhri i Infermierëve të Québec ka konfirmuar sot (11.10.21) pezullimin së shpejti të licencës së infermierëve që nuk janë vaksinuar në mënyrë adekuate kundër COVID-19.

Ky vendim erdhi pas rekomandimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Christian Dubé, i cili sugjeroi që të gjithë urdhrat profesionalë në sektorin e shëndetësisë të pezullojnë prej datës 15 Tetor licencën e ushtrimit të profesionit të anëtarëve të tyre që refuzojnë të vaksinohen.

Sipas Luc Mathieu, President i Urdhrit të Infermierëve, i cituar nga Radio-Canada, aktualisht 4,338 infermierë nuk janë të vaksinuar plotësisht, ndërsa 2,807 nuk janë vaksinuar fare. Këtij numri i shtohen edhe 5,716 infermierë, statusi i vaksinimit të të cilëve nuk dihet ende për shkaqe administrative. Këta të fundit do të kontaktohen brenda dy ditësh për të qartësuar nëse janë vaksinuar ose jo. Aktualisht, vetëm punonjësit që ushtrojnë telemjekësinë janë të përjashtuar nga vaksinimi i detyrueshëm.

Nancy Bedard

Ndërkohë, Federata Ndërprofesionale e Shëndetësisë e Québec (FIQ), që përfaqëson rreth 76,000 anëtarë, e konsideron këtë masë si tepër të rreptë. Sipas Presidentes Nancy Bedard, federata do ankimojë pranë gjykatave çdo vendim të urdhrave profesionalë që mund t'u sjellë dëm joproporcional anëtarëve të saj.

©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/The Canadian Press