Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon viziton zyrtarisht Gjermaninë
- Published in Kanada
Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj gazetari Whit Grant Fraser dhe një delegacion prej 6 anëtarësh, mbërriti në kryeqytetin e RFGJ Berlin dje në mbremje (17.10.21) duke nisur kështu udhëtimin e saj të parë zyrtar jashtë vendit në emër të Kanadasë, qysh nga marrja e funksionit.
Në aeroport ajo është pritur nga përfaqësues të shtetit gjerman si dhe nga Ambasadori i Kanadasë në Republikën Federale Gjermane, ish-Ministri i Jashtëm, Stéphane Dion, që është njëherazi edhe Përfaqësues Special i Kanadasë pranë Bashkimit Europian.
Simon do të qëndrojë në Gjermani për katër ditë, ku do takohet sot me Presidentin Frank‑Walter Steinmeier, Kancelaren Angela Merkel si dhe për të përfaqësuar Kanadanë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Mary Simon do të vizitojë gjithashtu Forumin Humboldt, një muze ku gjenden të ekspozuara shumë artefakte kanadeze, duke përfshirë dy shufra totem nga komunitetet autoktone të Bregut Perëndimor.
Më pas, në Frankfurt, ajo do të marrë pjesë në panairin më të rëndësishëm tregëtar në fushën e botimeve, ku Kanadaja është e ftuar nderi për sesionin 2021 si dhe në një tryezë diskutimi mbi eksplorimin e Arktikut në Muzeun Arkeologjik.
©Flasshqip.ca
Fotot: Radio-Canada/Sgt Johanie Maheu, Rideau Hall © OSGG-BSGG, 2021