Kanada

Ambasadori kanadez Jamal Khokhar mes 10 diplomatëve që pritet të dëbohen nga Turqia

  • Published in Kanada

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka njoftuar sot (23.10.21) se ka urdhëruar dëbimin e dhjetë ambasadorëve, përfshirë ata të Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, për shkak se ata kanë kërkuar lirimin e kundërshtarit të tij Osman Kavala, që mbahet i burgosur.

“Urdhërova Ministrin tonë të Punëve të Jashtme që t'i shpallte këta dhjetë ambasadorë persona non grata sa më shpejt të jetë e mundur” - deklaroi kreu i Republikës së Turqisë gjatë një udhëtimi në pjesën qendrore të vendit, pa specifikuar datën kur dhjetë diplomatët e huaj do të duhet të largohen. “Nga mëngjesi në mbrëmje, këta ambasadorë përsërisin: Kavala, Kavala ... por Kavala, është agjenti i Soros në Turqi”, ka shtuar Erdogan duke cituar sërish miliarderin amerikan me origjinë hungareze George Soros, me të cilin e krahason rregullisht kundërshtarin e vet politik.

Në një deklaratë të publikuar të Hënën, 18 Tetor, ambasadorët e atashuar në Turqi të Kanadasë, Francës, Finlandës, Danimarkës, Gjermanisë, Hollandës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Suedisë dhe SHBA, bënë thirrje për një zgjidhje të drejtë dhe rishikim të shpejtë të çështjes Osman Kavala, një biznesmen dhe filantrop turk, kundërshtar i regjimit të Erdogan. Të nesërmen, ata u thirrën në Ministrinë e Jashtme dhe autoritetet turke e konsideruan qasjen e tyre të papranueshme. Kreu i shtetit turk më pas kërcënoi me dëbim sapo kthye nga një turne afrikan të Enjten më 21 Tetor.

I burgosur prej katër vitesh pa gjyq, Osman Kavala është akuzuar që nga viti 2013 nga regjimi i Presidentit Erdogan se kërkon të destabilizojë Turqinë. Këshilli i Evropës kohët e fundit e kërcënoi Turqinë me sanksione, të cilat mund të miratohen në sesionin e tij të ardhshëm (30 Nëntor deri më 2 Dhjetor) nëse ai nuk nuk lirohet deri atëherë. Ndërkohë, kreu i opozitës turke, Kemal Kiliçdaroglu, ka deklaruar se dëbimi i ambasadorëve rrezikon ta fuse Turqinë në një rrugë pa krye.

Një masë e jashtëzakonshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, shpallja e diplomatëve persona non grata, hap rrugën për dëbimin nga shteti ku ata janë të atashuar ose tërheqjen e tyre nga vendi i origjinës. Ende nuk është njoftuar asnjë reagim zyrtar nga qeveria kanadeze.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Presidenca e Republikës së Turqisë