Kanada

Valérie Plante takon shqiptarët e Montrealit

  • Published in Kanada

Kryetarja e bashkisë së Montrealit Valérie Plante bashkë me Benoit Dorais, kandidat për kryetar në Sud-Ouest, janë takuar me anëtarë të komunitetit shqiptar në kuadër të fushatës së zgjedhjeve lokale që mbahen më 7 Nëntor, 2021. Në ekipin e tyre "Projet Montréal" bëjnë pjesë dy shqiptarë që kandidojnë për këshilltarë: përkatësisht Anila Erindi në distriktin Cecil.-P.-Newman të LaSalle (pë këshillin bashkiak Montreal) dhe Kadri Sherifi në distriktin Qendër në Anjou (për këshillin e minibashkisë). 

Të mbledhur pranë monumentit të Nëne Terezës, shqiptarët i shprehën zonjës Plante mbështetjen e tyre ndaj grupimit politik që ka treguar vullnetin t’i përfshijë dhe mbështesë projektet e minoriteteve kulturore.

Kujtojmë se Benoit Dorais, i zgjedhur kryetar i minibashkisë Sud-Ouest në vitin 2009, i rizgjedhur në 2013, dhe që kandidon sërish në këtë zonë, vite më parë mbështeti idenë e vendosjes së monumentit të Nënë Terezës pranë metro Monk. Ky monument shërben sot si një simbol bashkimi e vendtakimi për komunitetin shqiptar por edhe si një pikë referimi për banorët e tjerë të Montrealit.

Shqiptarët e radhitur në krah të Valérie Plante i kishin përgatitur një pritje të ngrohtë kryetares së bashkisë së Montrealit, duke i ofruar ndër të tjera edhe byrekun tradicional të përgatitur nga zonja Seri Trebicka.  

Anila Erindi dhe Kadri Sherifi, dy kandidatët shqiptarë të partisë “Projet Montreal” drejtuar nga Valérie Plante kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit shqiptar në zgjedhjet lokale që po trokasin. Sot ka filluar votimi paraprak. Të dielën e 7 Nëntorit është dita e zgjedhjeve! Nëse banoni në Montreal, mos harroni, ju lutemi të shkëputeni disa minuta nga aktivitetet e fundjavës për të votuar bashkëkombasit tanë. 

©FlasShqip.ca      Fotot nga Ajet Nuro