Kanada

Québec - Përfundojnë zgjedhjet lokale, Valérie Plante rizgjidhet në Montréal

  • Published in Kanada

Pas gati dy muajsh fushatë elektorale, kanë përfunduar dje (7 Nëntor 2021) zgjedhjet lokale në provincën e Quebéc ku është votuar në 1108 bashki. Pjesëmarrja ka qenë relativisht e ulët dhe mund të mos e kalojë shifrën 40%. Sigurisht vëmendja kryesore ishte përqendruar në metropolin e provincës, Montréal.

Sërish sondazhet kanë qenë larg asaj që ndodhi në realitet. Prej javësh parashikohej një rezultat shumë i ngushtë mes Valérie Plante (Projet Montréal) që synonte rizgjedhjen dhe Denis Coderre (Ensemble Montréal) që kërkonte rikthimin në zyrën prej të cilës doli para katër vitesh. Në përfundim të numërimit të votave mbrëmë, Plante ka fituar më një diferencë të ndjeshme prej 58,462 votash (52% me 38%) duke siguruar edhe shumicën e këshillit të qytetit. Është rizgjedhur gjithashtu në në krye të Minibashkisë Le Sud-Ouest, miku i komunitetit shqiptar Benoit Dorais, edhe ai përfaqësues i Projet Montréal.

Për herë të parë në historinë e provincës, 5 nga 10 bashkitë kryesore do të kenë një drejtuese femër. Përveç Valérie Plantë që u rizgjodh në Montréal, France Bélisle ka fituar në Gatineau, Catherine Fournier në Longueuil, Évelyne Beaudin në Sherbrooke dhe Julie Dufour në Saguenay.

Bruno Marchand

Në 5 bashkitë e tjera të mëdha, supriza më e madhe ka ndodhur në Québec City, ku pas një përmbysje dramatike të diferencës së fillimit prej më shumë se 5000 votash, Bruno Marchand ka fituar me 834 vota ndaj Marie-Josée Savard, që konsiderohej si trashëgimtarja e ish-kryebashkiakut Régis Labeaume, që u largua nga politika para zgjedhjeve. Sipas komentatorëve, 48 vjeçari karizmatik Bruno Marchand konsiderohet supriza e këtyre zgjedhjeve, kur mendon që lëvizjen e tij politike e pat nisur nga zero vetëm një vit më parë.

Ndërkohë, ashtu siç pritej, në Laval u zgjodh Stéphane Boyer, në Lévis Gilles Lehouillier, në Trois-Rivières Jean Lamarche dhe në Terrebonne Mathieu Traversy.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada