Kanada

Washington 18 Nëntor, samit trepalësh SHBA-Kanada-Meksikë

  • Published in Kanada

Më shumë se 2.5 miliardë dollarë mallra kalojnë kufirin Kanada-Shtetet e Bashkuara çdo ditë. Këmbimet tregëtare Kanada-Meksikë arritën shifrën 36 miliardë dollarë në vitin 2020.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka ftuar kryeministrin Justin Trudeau dhe presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador në një takim në Shtëpinë e Bardhë më 18 Nëntor. Ky do të jetë samiti i parë i liderëve të Amerikës së Veriut që nga viti 2016, viti kur Donald Trump u zgjodh president.

Në një deklaratë të publikuar të Mërkurën (10.11.2021) Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se synon të përfitojë nga ky samit për të forcuar lidhjet midis tre vendeve, veçanërisht në fushën e forcimit të sigurisë shëndetësore, konkurencës, rritjes ekonomike, ndryshimeve klimatike dhe për arritjen e një vizioni të përbashkët rajonal për emigracionin.

Sipas administratës Biden, është thelbësore që Kanadaja, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat ndajnë një nga zonat më të mëdha të tregëtisë së lirë në botë, të konsolidojnë një drejtim të përbashkët, për të përballuar sfidat aktuale dhe për të garantuar që Amerika e Veriut të mbetet rajoni më konkurues dhe më dinamik në botë.

Ndërkohë. kabineti i kryeministrit kanadez Justin Trudeau, ka komentuar që ky takim do të jetë një vazhdim i punës së nisur gjatë Samitit të G20 dhe Konferencës së 26-të, të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) me qëllim fuqizimin dhe garantimin e zinxhirit logjistik të furnizimeve, për të nxitur rritjen e mëtejshme të ekonomisë dhe kapacitetit konkurues të Kanadasë si dhe për mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë takimit, nuk përjashtohet të diskutohet dhe tema e barrierave shëndetësore të vendosura nga ana e Kanadasë, që ende kërkon paraqitjen e një testi negativ për COVID-19 në kufijtë e saj, një masë kjo që konsiderohet e panevojshme nga shumë amerikanë dhe nga shtetasit kanadezë të vaksinuar në mënyrë adekuate, që dëshërojnë të udhëtojnë lirisht në të dy anët.

Për sa i përket marrëdhënieve tregtare, Trudeau do t’i duhet të trajtojë edhe disa çeshtje të ndjeshme për Kanadanë, veçanërisht kreditimi per efekt taksash prej 12,500 dollarësh që administrata Biden synon t'u paguajë të gjithë blerësve të automjeteve të reja elektrike të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, gjë që perceptohet si një avantazh i padrejtë që u ofrohet prodhuesve të mëdhenj amerikanë të automjeteve. Po keshtu edhe mosmarrëveshjet historike mbi tregtinë e lëndës drusore dhe produkteve të qumështit midis dy vendeve, mund të jenë me shumë gjasa në rendin e ditës të diskutimeve, përfshi edhe Aktin “Buy American”, që përbën një barrierë të konsiderueshme tregëtare për Kanadanë.

Sipas Aktit “Buy American” të vitit 1933, të gjitha mallrat e blera nga agjencitë e qeverisë federale në Shtetet e Bashkuara (artikuj, materiale ose furnizime) me vlerë më shumë se 10,000 dollarë duhet të prodhohen në Shtetet e Bashkuara. Për t'u konsideruar të tilla, të paktën 50% e kostos së përbërësve të mallrave duhet të jetë me origjinë nga Shtetet e Bashkuara.

Samiti i fundit i Liderëve të Amerikës së Veriut u zhvillua në Ottawa, në Qershor 2016. Takimi mblodhi së bashku në atë kohë ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, kryeministrin Justin Trudeau si dhe ish-presidentin meksikan Enrique Peña Nieto. Që atëherë nuk është mbajtur një samit i ngjashëm, sepse presidenti Donald Trump nuk e gjykoi më të nevojshëm këtë lloj takimi bashkëpunues me fqinjët e tij. Trump nuk kreu asnjë udhëtim zyrtar në Meksikë, ndërsa në Kanada erdhi për të marrë pjesë në Samitit të G7 që u zhvillua në La Malbaie, në vitin 2018.

Megjithatë, të tre vendet nuk i ndërprenë lidhjet nën presidencën e Donald Trump. Përkundrazi. Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht u rinegociua Marrëveshja e Tregëtisë së lirë (NAFTA) që zgjati 25 vjet dhe më pas, në Korrik 2020 ajo u zëvendësua me Marrëveshjen Kanada-Shtetet e Bashkuara-Meksikë.

Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Istock, Getty Images