British Columbia shpall gjendjen e jashtëzakonshme - Ushtria kanadeze në ndihmë të qytetarëve
- Published in Kanada
(Sumas Prairie BC)
Provinca kanadeze e bregut të Paqesorit, British Columbia, ka shpallur sot (17.11.2011) gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve nga reshjet e shumta të shiut, si pasojë e të cilave ka humbur jetën deri tani të paktën një person në afërsi të qendrës së banuar Lillooet. Sipas pohimeve të Kryeministrit John Horgan, mjerisht pritet të ketë ende viktima, sepse janë të tjerë që raportohen të humbur si pasojë e rrëshqitjes së dherave mbi automjetet e tyre. Ndërkohë, shumë rrugë vazhdojnë të jenë ende të bllokuara dhe mijëra qytetarë kanë marrë urdhërin të evakuohen, shifra e të cilëve llogaritet rreth 18,000. Në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytyra janë dërguar dhe kontigjente të Forcave të Armatosura Kanadeze.
“Infrastruktura jonë rrugore në disa zona është demtuar rëndë dhe duhet të përpiqemi ta rikthejmë në gjendje normale sa më shpejt të jetë e mundur. Provinca arriti të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për t'iu përgjigjur situatës së papritur ndërsa vazhdimi kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme. Duhet të sigurohemi që të gjithë të kenë akses në ushqim, ujë dhe gjërat thelbësore”, ka deklaruar Ministri provincial i Sigurisë Publike, Mike Farnworth. Ai u kërkoi gjithashtu qyetarëve të kufizojnë udhëtimet vetëm për raste domosdoshmërie dhe qeveria e BC nuk e përjashton as vendosjen e ndalimit të udhëtimeve jo të domosdoshme, ashtu siç ndodhi gjatë pandemisë.
(Princeton-BC)
“Miratuam dërgimin e personelit të mbështetjes ajrore të Forcave të Armatosura Kanadeze për të ndihmuar me masat e evakuimit, për të mbështetur rrugët e furnizimit dhe për të mbrojtur banorët nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut”, njoftoi përmes një postimi në Twitter edhe Ministri Federal i Emergjencave Bill Bler. Parashikohet që numri i ushtarakëve që do dërgohen në zonat e prekura nga përmbytjet të arrijë shifrën 4000.
(Abbotsford-BC)
Ndërkohë rreth 20 qendra strehimi janë hapur në brendësi të provincës, duke përfshirë qytetet Hope, Kamloops dhe Kelowna. Në Hope, më shumë se 900 persona u strehuan në ambientet e shkollën së mesme dhe në një kishë të qytetit. Më në Jug, në Luginën Fraser, Bashkia Abbotsford të Martën në mbrëmje (16.11.2021) urdhëroi evakuimin e menjëhershëm të të gjithë banorëve të Sumas Prairie, territor i goditur rëndë nga ngritja e nivelit të ujërave. Ministrja e Bujqësisë e BC Laura Popham ka raportuar gjithashtu për mediat se qindra ferma janë përmbytur dhe mijëra bagëti janë zhdukur.
John Horgan
Kjo është hera e tretë që nga Marsi 2020 që në British Columbia shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Fillimisht ndodhi për shkak të pandemisë COVID-19 dhe më pas për shkak të zjarreve masive në pyje gjatë verës së sivjetme.
Jemi të detyruar të përballojmë sfida pa precendent, ka deklaruar në konferencë shtypi Kryeministri John Horgan, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të mos kryejnë blerje kompulsive. “Ajo që ju nevojitet juve, iu duhet edhe fqinjëve tuaj”, është shprehur ai në gjendje tejet të emocionuar.
©Flasshqip me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada