Kanada

Presidentja Vjosa Osmani në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë, Halifax - Nga Arta Rexhepi

  • Published in Kanada

Arta Rexhepi - Halifax, Nova Scotia

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pati një pritje të ngrohte dhe miqësore në Halifax të Nova Scotia. Fillimisht ajo u nderua nga Forcat e Armatosura Kanadeze me një ceremoni të veçantë para hapjes së Forumit të 13-të Vjetor Ndërkombetar të Sigurisë. Ky forum me pjesëmarrjen e liderëve botërorë dhe personaliteteve me ndikim, u mblodh përsëri pas dy viteve ndërprerje për shkak të pandemisë.

Në përberje të delegacionit nga Kosova, përveç Zonjës Osmani janë edhe zevendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Donika Gervalla si dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj. Presidentja Osmani do të jetë një nga folëset kryesore në seancën e nesërme të forumit që do të ketë për temë “Rimëkembja pas pandemise”

“Ne të gjithë humbem diçka, disa humbën anëtarë të familjes, disa humbën punën, shanset, zgjedhjet, ndërsa unë humba babain tim” - theksoi në fjalën e hapjes Peter Van Praagh, Presidenti i Forumit Ndërkombetar të Sigurisë.

Presidentja Vjosa Osmani po ashtu pati një takim zyrtar me ministren e Mbrojtjes së Kanadasë, Anita Anand, të cilës ajo i dorëzoi dhe Medaljen Presidenciale Ushtarake akorduar Forcave të Armatosura të Kanadasë, për shërbimin e tyre në Kosovë që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 e deri më sot. Gjatë takimit u diskutua për situatën në Ballkan e veçanërisht në Kosovë. 

Presidentja Osmani dhe delegacioni që e shoqëron, sëbashku me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, takuan më pas në mbrëmje edhe komunitetin shqiptar që jeton në Halifax. Zonja Osmani iu shprehu bashkatdhetarëve mirënjohjen për kontributin e dhënë ndaj atdheut dhe afrimin e forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe ndau me ta përshtypjet shumë të mira që pati nga pritja krejt e veçantë që iu rezervua, duke premtuar se do vijë sërish mes shqiptarëve në Halifax.

Forumi i Sigurisë do të zgjasë deri të Dielën 21 Nëntor.