Kanada

Anthony Rota rizgjidhet Kryetar i Parlamentit Kanadez

  • Published in Kanada

Salla e Parlamentit Kanadez

Me votim të fshehtë, deputetët federalë rizgjodhën sot (22.11.2022) liberalin Anthony Rota si Kryetar të Parlamentit Kanadez (ose siç njihet ndryshe Dhoma e Komunave) në hapje të sesionit parlamentar pas zgjedhjeve të parakohshme të 20 Shtatorit. “Premtoj të jem i drejtë dhe t’i respektoj të gjithë”, deklaroi ai para kolegëve menjëherë pas rizgjedhjes. Anthony Rota, me origjinë italiane nga prindërit, i cili përfaqëson zonën elektorale të Nipissing-Timiskaming, Ontario, e ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Parlamentit qysh nga Dhjetori 2019. Ai ka qenë deputet i të njejtës zonë edhe në vitet 2004-2011. Në vitin 2011 e pat humbur mandatin vetëm për 18 vota diferencë, por në vitin 2015 e rifitoi sërish, për t’u rizgjedhur më pas në 2019 dhe 2021.

Anthony Rota ka lindur më 15 maj 1961 në North Bay, Ontario. Ai është diplomuar Bachelor në Shkencat Politike pranë Universitetit Wilfrid Laurier. Më pas ka studiuar Financa në Kolegjin Algonquin dhe ka marrë gradën Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Ottawa. Përpara zgjedhjes deputet, Rota ka punuar si menaxher rajonal në Ontario për Programin e Asistencës së Kërkimit Industrial. Anthony Rota flet rrjedhshëm anglisht, frëngjisht, italisht dhe spanjisht si dhe është lektor i shkencave politike në Universitetin Nipissing. Ai e ka filluar karrierën e tij politike në nivel bashkiak, si këshilltar i Bashkisë North Bay ku ka kryesuar Komisionin e planifikimit dhe zhvillimit ekonomik të qytetit.

Në Kanada, personi që ushtron funksionin e Kryetarit të Parlamentit, përveç pagës bazë të deputetit federal, që është 185 800 dollarë, merr edhe pagesën shtesë 88 700 dollarë.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Adrian Wyld; The Canadian Encyclopedia.