Kanada

Kanada - Presidentja Vjosa Osmani takohet me Kryeministrin Justin Trudeau

  • Published in Kanada

Pas pjesëmarrjes së suksesshme në Forumin Vjetor për Sigurinë Ndërkombëtare në Halifax të Nova Scotia dhe një ndalese në Toronto, ku është takuar me komunitetin shqiptar dhe ka mbajtur një fjalë në Munk School of Global Affairs të Universitetit të Torontos, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka vazhduar itinerarin e saj të vizitës në Ottawa, ku dhe ka patur një takim të shkurtër me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau dje pasdite.

Sipas kalendarit të publikuar të Kryeministrit kanadez për datën 23 Nëntor, e Martë, dita e tij ka nisur me një mbledhje të qeverisë në ora 9:00 për të vazhduar më pas në Senat, me ceremoninë zyrtare të hapjes së Legjislaturës së 44-t të Parlamentit, ku Guvernatorja e Përgjithshme, Mary Simon, ka mbajtur atë që quhet the Speech from the Throne, fjalim ku janë paraqitur linjat e përgjithshme të programit të Qeverisë Trudeau 3. Më pas, në ora 16:00, Kryeministri kanadez e ka pritur në takim Presidenten Vjosa Osmanin në zyrën e tij në Bllokun Perëndimor të Parliament Hill.

Në përmbledhjen e publikuar në Website të qeverisë kanadeze lidhur me takimin thuhet:

"Kryeministri Justin Trudeau është takuar sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjet aktuale globale. Kryeministri Trudeau falënderoi Presidenten Osmani-Sadriu për pjesëmarrjen e saj në Forumin e Halifax për Sigurinë Ndërkombëtare dhe për dhënien e Medaljes Ushtarake Presidenciale për Forcat e Armatosura Kanadeze për shërbimin e tyre në Kosovë për mbi dy dekada. Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin e vendosur të Kanadasë për Kosovën dhe mbështetjen e saj për integrimin e plotë euroatlantik. Ai tha se Kanadaja vazhdon të avokojë për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Presidentja Osmani-Sadriu e falënderoi Kanadanë për qëndrimin e saj dhe shprehu optimizëm për të ardhmen e Kosovës.

Të dy liderët diskutuan prioritetet e tyre të përbashkëta, duke përfshirë rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, mbrojtjen e mjedisit dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike si dhe respektin për diversitetin, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Presidentja Osmani-Sadriu foli edhe për reformat e brendshme në Kosovë, duke theksuar se rritja ekonomike dhe iniciativat kundër korrupsionit janë prioritetet e saj kryesore.

Të dy krerët ranë dakord të eksplorojnë mundësitë ekonomike nga të cilat do të përfitonin të dy vendet që aktualisht punojnë për të ndërtuar ekonomi të gjelbra. Kryeministri Trudeau dhe Presidentja Osmani-Sadriu kanë diskutuar edhe mbi rreziqet aktuale që kërcënojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ata gjithashtu shkëmbyen mendime për zgjidhjen e tensioneve lokale përmes dialogut strategjik dhe bashkëpunimit".

Vizita e Presidentes Osmani, pa diskutim mund të konsiderohet si një hap mjaft i suksesshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në afirmimin ndërkombëtar të ekipit që drejton Kosovën aktualisht. Kujtojmë gjithashtu se Kanadaja dhe Kosova kanë miratuar dhe ratifikuar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja, kornizë kjo shumë e rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Kanadaja ka ndihmuar deri më sot zhvillimin ekonomik të Kosovës me rreth 135 milionë dollarë.

Ndërkohe, në diferencë shumë të ndjeshme krahasuar me Kosovën, marrëdhëniet e Kanadasë me Shqipërinë vazhdojnë të jenë në nivel krejt mediokër. Shqipëria duket se aktualisht ekziston prapa liste për Kanadanë. Vizita e fundit e një zyrtari të lartë nga Shqipëria, ka qenë ajo e Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, në vitin 2015. Prej atij viti, ka mbetur pezull firmosja e Marrëveshjes për Mbrojten e Investimeve të Huaja dhe ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti Kanadez Marrëveshja në Fushën e Sigurimeve Sociale e njohur edhe si “Marrëveshja e Pensioneve”, edhe pse projekt-ligji përkatës është depozituar qysh në 5 Shkurt 2020 në Dhomën e Komunave. Përveç problemeve me ish-kompaninë kanadeze Bankers Petroleum, shkak për mosavancimin e marrëdhënieve dypalëshe, sipas burimeve jo të konfirmuara, mendohet se mund të jetë edhe mosdhënia e votës së Shqipërisë në favor të Kanadasë për t’u zgjedhur anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB në Qershor 2020.

Më poshtë dhe një video e shkurtër nga takimi Justin Trudeau-Vjosa Osmani, e publikuar nga The Canadian Press:

https://ca.news.yahoo.com/prime-minister-justin-trudeau-welcomes-232000768.html

©Flasshqip.ca