Kanada

Kanada - Për herë të parë flamuri kombëtar shqiptar valëvitet edhe në Vancouver

  • Published in Kanada

Traditës së qyteteve të mëdha kanadeze si Toronto, Ottawa, Montréal, Calgary, Regina e Winnipeg, ku me rastin e Festës Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntorit, valëvitet flamuri ynë kombëtar para institucioneve publike, sivjet iu bashkua edhe metropoli i British Columbia, Vancouver.

Njoftimin e ka bërë të ditur përmes faqes në rrjetin social Facebook Kryesia e Shoqatës Shqiptare në British Columbia “Eaglesland”. Flamuri është është vendosur në një nga dymbëdhjetë shtizat në parkun pranë Vancouver City Hall, në këndin e W12th dhe Cambie Street. Flamuri ynë kombëtar do të qëndrojë aty deri në datën 5 Dhjetor.

Vancouver City Hall

Sipas njoftimit të shoqatës, Vancouver City Hall nuk lejon tubime në atë ambient, por bashkëatdhetarët janë të ftuar të shkojnë e ta shikojnë në grupe të vogla duke patur mundësinë edhe të bëjnë foto me rastin e këtij evenimenti të veçantë.

Iniciatori dhe realizuesi i ngritjes së flamurit me miratimin e bashkisë së qytetit ka qenë Sekretari i Shoqatës “Eaglesland”, Avokati Edison Heba, i cili prej disa muajsh ushtron edhe funksionin e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në provincën e British Columbia, ku jeton një komunitet prej afërsisht 3000 mijë shqiptarësh.

Konsulli i Nderit i RSH në British Columbia Edison Heba

Ndërkohë, është bërë e ditur që në adresë të shoqatës ka mbërritur edhe një letër përshëndetëse me rastin e Festës tonë Kombëtare e nënshkruar nga Kryeministri i provincës John J. Horgan.

©Flasshqip.ca

Foto: Edison Heba