Kanada

Ende pezull “Marrëveshja e Pensioneve” Kanada-Shqipëri

  • Published in Kanada

Editorial

Kanë kaluar 30 muaj që prej ditës së nënshkrimit të Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore mes Kanadasë dhe Shqipërisë dhe ajo ende nuk ka hyrë në fuqi. Pandemia ka vonuar procedurat, por në 30 muaj zyrtarët kanadezë do duhej të kishin avancuar disi.

Kryeredaktorja e Flasshqip.ca Jeta Dedja, komunikoi me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Kanadasë Jason Kung, për të marrë informacion lidhur me statusin e marrëveshjes në fjalë, nënshkruar mes dy vendeve që në 30 prill 2019 dhe më pas të ratifikuar nga Parlamenti shqiptar.

Sipas z. Kung, “shpresohet të përfundojnë procedurat e kërkuara në rastet e marrëveshjeve dhe të arrihet ratifikimi në muajt e ardhshëm”. 

Pra, 21 muajve që kur marrëveshja është depozituar në Dhomën e Komunave për ratifikim nga deputeti Liberal i Torontos Robert Oliphant, pritet t’u shtohen edhe disa muaj të tjerë.

E kur mendon se sa shumë vendime janë marrë këto muaj në mbarë botën pa qëndruar gjatë në zyra konsultimi e procedurash, të duket çudi zvarritja e ratifikimit të një marrëveshje pensioni në interes të një komuniteti me jo më shumë se 40 mijë anëtarë. Sigurisht, po të kish qenë 400 mijë, a ca më shumë, do ish ratifikuar ndoshta prej kohësh.

Gjithsesi, as këtë vit deputeti Rob Oliphant dhe kolegia e tij Julie Dabrusin, e ashtuquajtura drejtuese e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kanada, nuk harruan të pozojnë në krah të Ambasadorit shqiptar në Ottawa, me rastin e Festës Kombëtare, 28 Nëntorit. Dhe sërish, u përsërit i njëjti refren krejt formal mbi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve, kur edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga lidhja e marrëdhënieve diplomatike, ende nuk është ratifikuar nga pala kanadeze e vetmja marrëveshje Kanada-Shqipëri e nënshkruar deri më sot.

Ndërsa ne si komunitet vazhdojmë të ngazëllehemi me ngritjen e flamurit para institucioneve kanadeze, gjë që është e drejta më elementare e garantuar për cilindo komunitet në raste festash. Boll të bëhet një kërkesë formale dhe ajo menjëherë plotësohet. Pra, nuk ka pse ngazëllehemi për një gjë elementare, në një vend i cili do ishte i falimentuar në çdo drejtim pa emigracionin. Le t’i kanalizojmë energjitë duke lobuar fort për gjëra që janë me interes të drejpërdrejtë për komunitetin tonë dhe sidomos pë ata që erdhën këtu të parët pas përmbysjes së komunizmit dhe sot kanë dalë në pension apo janë në prag të pensionit.

©Flasshqip.ca