Kanada

Montréal - Nxënësi godet me thikë mësuesin

  • Published in Kanada

Një ngjarje tejet tronditëse ka ndodhur sot në një shkollë anglofone të lagjes Saint-Michel në Montréal. Një nxënës 16 vjeçar, pas një debati më një mësues të lëndës Art dhe Muzikë, e ka goditur me thikë këtë të fundit. Agresion ndodhi diku rreth orës 10 të mëngjesit në shkollën e mesme John F. Kennedy. Shërbimet e Policisë kanë njoftuar që jeta e mësuesit 41 vjeçar Maxime Canuel nuk është në rrezik.

Pas kryerjes së aktit, agresori është larguar menjëherë nga ambientet e shkollës, por Policia arriti ta ndalojë atë në më pak se një orë. Ndërkohë kanë nisur hetimet për të hedhur më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë. Sipas informacioneve paraprake bëhet fjalë për një nxënës të vitit të tretë që ka shfaqur më parë probleme në sjellje.

Reagimet nga politikanët nuk kanë munguar menjëherë sapo fakti është bërë publik. E para ka dale në konferencë shtypi kryetarja e Bashkisë Montréal Valérie Plante. Pas saj Ministrja e Rendit Publik të provincës Geneviève Guilbault si dhe Ministri i Arsimit Jean-François Roberge. Nga ana e tij në Twitter, kryeministri Trudeau ka deklaruar se ishte shumë i tronditur nga lajmi. “Shpirtërisht ndodhem pranë komunitetit të shkollës së mesme John F. Kennedy dhe mësuesit që u godit me thikë këtë mëngjes. I uroj shërim sa më të shpejtë dhe falenderoj autoritetet për reagimin e menjëhershëm”, ka shkruar ai.

Shkolla John Kennedy ndodhet vetëm 10 blloqe më larg se vendit ku para disa ditësh u ekzekutua me armë zjarri një adoleshent 16 vjeçar i quajtur Thomas Trudel, ndaj dhe ngjarja e sotme e ka rritur akoma më shumë shqëtësimin e prindërve në zonën Sait-Michel-Parc-Extension. Ndërkohë, kujtojmë që qeveria e Québec ka deklaruar para pak ditësh se do të investojë 52 milionë dollarë në ndihmë të masave dhe programeve për parandalimin e dhunës me armë.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada