Kanada

Omicron - Në Québec Viti i Ri do festohet në situatë ndalim-qarkullimi

  • Published in Kanada

Qeveria Legault shpalli sot një seri masash kufizuese në përpjekje, sipas saj, për të frenuar rritjen e rasteve të infeksionit me variantin Omicron në provincë dhe sidomos për frenimin e shtrimeve masive në spitale.

Sipas komenteve në media, këto masa konsiderohen si më të rreptat deri tani në gjithë Amerikën e Veriut. “Furtuna ka arritur kulmin e saj”, është shprehur Kryeministri François Legault gjatë konferencës për shtyp që nisi pak pas orës 17:00.

Qysh nga nesër, 31 Dhjetori, nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit, rikthehet ndalim-qarkullimi dhe për shkelësit gjoba do variojë nga 1,000 deri në 6,000 dollarë. Sipas Legault, menjeherë sapo situata në spitale të normalizohet, kjo do te jetë masa e parë që do të shfuqizohet.

Po kështu ndalohen grumbullimet private nëpër shtëpi, pra nesër, mbrëmjen e Vitit të Ri familjet do ta festojnë të veçuara, ndryshe nga ç’mund ta kishin planifikuar. Sipas rregullit të shpallur sot, vetëm një person mund t’i bashkohet për të festuar një celule familjare,  

Janë mbyllur gjithashtu sallat e ngrënies nëpër restorante. Take-out i ushqimeve dhe shpërndarja nëpër shtëpi e porosive do vazhdojë megjithatë normalisht.

Ndërkohë, në rang province, me përjashtim të kopshteve që do vazhdojnë të jenë të hapura, për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar rinisja e vitit shkollor në klasa është shtyrë deri më 17 Janar. Institucionet shkollore që e kanë të mundur, janë ftuar nga qeveria të nisin dhënien e mësimit online.

Për kolegjet dhe universitetet ende nuk njoftohet një datë e saktë për rikthimin në auditore, por sipas Kryeministrit Legault, rihapja e shkollave mbetet prioriteti numër një i qeverisë.

Vendet e kultit gjithashtu do mbyllen, ndërsa për ceremonitë funerale pjesëmarrja do kufizohet deri në 25 persona.

Për tre jave radhazi, në ditët e diela, me përjashtim të convenience stores, farmacive dhe pikave të karburanteve, të gjitha dyqanet e tjera do jenë të mbyllura.

Është pezulluar gjithashtu ushtrimi i sporteve në salla të mbyllura, përveç nëse aktiviteti praktikohet nga anëtarë të së njëjtës familje.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/Josée Ducharme