Kanada

Kanadaja e vitit 2021 në FlasShqip

  • Published in Kanada

Viti që po mbyllet ka qenë i pasur me ngjarje për Kanadanë dhe i dyti nën pushtetin e pandemisë COVID-19. Në vijim të rrugës së nisur para 4 vitesh dhe në përputhje me objektivin e vet, Flasshqip ofroi edhe për këtë vit një hapësirë në gjuhën shqipe, në të cilën çdo lexues i interesuar mund të gjejë informacion mbi Kanadanë dhe zhvillimet më të rëndësishme nga politika federale, nga provincat prej një oqeani në tjetrin, nga sporti, shkenca e kultura, si dhe nga jeta e përditshme. Për të rritur cilësinë dhe hapësirën e i informimit në fillim të 2021, pikërisht më 14 Shkurt, ne nisëm edhe publikimin e rubrikës speciale javore informative, “Java Kanadeze-Lajme shkurt”.

Më poshtë, sot në vigjilje të Vitit të ri 2022, zgjodhëm t’ju paraqesim të përmbledhur një kronologji të ngjarjeve kryesore kanadeze të pasqyruara në Flasshqip gjatë 2021. Kronologjia e ngjarjeve bazohet në 183 artikuj që u publikuan këtë vit në rubrikën “Kanada”. Për koinçidencë, viti kanadez 2021 në Flasshqip.ca fillon me ndalim-qarkullimin e vendosur në 9 Janar në Québec nga qeveria Legault për shkak të pandemisë dhe mbyllet me… ndalim-qarkullimin e vendosur sërish nga e njejta qeveri më 31 Dhjetor, ditën e fundit të vitit, po për të njejtën arsye.

 

Julie Payette

Janar

9 Janar - Kryeministri i Québec François Légault, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve nga Covid-19, vendos ndalim-qarkullimi në rrugët e provinces nga ora 20:00 në mbremje deri në ora 05:00 në mëngjes, rregull për shkeljen e të cilit gjoba mund të shkojë deri në 6,000 dollarë.

13 Janar - Kryeministri i Ontarios Doug Ford shpall gjendjen e jashtëzakonshme në provincë për shkak të përhapjen në masë të pandemisë dhe paraqitjes së rasteve të para të variantit anglez të COVID-19.

13 Janar – Pas shpërndarjes së Parlamentit provincial nga Lejtënant-Guvernatori, Kryeministri i Newfoundland dhe Labrador, Andrew Furey, njofton zyrtarisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në datën 13 Shkurt.

14 Janar - Ministri i Transportit i qeverisë Trudeau, austronauti i parë kanadez, Marc Garneau, emërohet në postin e Ministrit të Jashtëm.

21 Janar - Drejtuesit kryesorë politikë kanadezë përshëndesin fillimin e mandatit të Joe Biden si President i 46-të i SHBA. Në një deklaratë të publikuar pak minuta pas betimit të Biden, Kryeministri Trudeau deklaron që raportet e fqinjësisë Kanada-USA “janë ndër marrëdhëniet më unikale në botë”.

22 Janar - Pas publikimit të një raporti të pavarur hetimor mbi situatën e rënduar dhe të tensionuar të marrëdhënieve të punës mes saj dhe administratës, Julie Payette jep dorëheqjen si Guvernatore e Përgjithshme e Kanadasë.

22 Janar - Kryeministri Trudeau dhe Presidenti Biden bisedojnë në telefon. Biseda ka zgjatur rreth tridhjetë minuta dhe ka qenë e para mes Joe Biden dhe një drejtuesi të një shteti tjetër. Dy drejtuesit bien dakord për zhvillimin e një takimi zyrtar virtual në Shkurt.

26 Janar - Me propozim të liderit të NDP Jagmeet Singh, Parlamenti Kanadez (Dhoma e Komunave) miraton një mocion që e shton organizatën “Proud Boys” në listën e organizatave terroriste.

Justin Trudeau

Shkurt

3 Shkurt - Kryeministri Justin Trudeau deklaron arritjen e një marrëveshjeje me kompaninë farmaceutike amerikane Novavax për prodhimin e dhjetra milionë dozave të vaksinës anti COVID-19 në vend, pasi ky tip vaksine të marrë çertifikimin nga Health Canada.

4 Shkurt – Gjykata e Montréal liron si të pafajshëm direkt në sallë, një 31 vjeçar gjatë seancës për vlerësimin e masës së arrestit. I ndaluari kishte disa akuza kriminale në ngarkim, ndër të cilat edhe tentativë për vrasje. Viktima e arrestimit të gabuar, Mamadi Fara Camara ishte një inxhinier me origjinë nga Guinea dhe student në nivelin PhD pranë Politeknikut të Montréal.

23 Shkurt - Zhvillohet takimi zyrtar virtual Trudeau-Biden. Shtëpia e Bardhë deklaron që synimi ishte rigjallërimi i marrëdhënieve mes dy vendeve.

Walter Gretzki

Mars

4 Mars - Alek Minassian, autori i masakrës (10 të vdekur dhe 16 të plagosur) me furgon në vitin 2018 në rrugën Yong të Torontos dënohet me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lartë e Ontarios. Gjykata i dha të drejtë akuzës duke hedhur poshtë pretendimin e avokatit mbrojtës që kërkonte shpalljen si të papërgjegjshëm penalisht të klientit të tij. Rasti në fjalë është i pari në rang Kanadaje ku autizmi është ngritur si argument për të shmangur përgjegjësinë penale.

6 Mars - Në Brantford Ontario i jepet lamtumira Walter Gretzki-t, babai i yllit të hokejit mbi akull në Kanada, Wayne Gretzki.

10 Mars - Për here të parë një grua ëmërohet numri dy i ushtrisë kanadeze. Ajo quhet Frances Allen, mban gradën gjeneral-lejtënant dhe ka kryer detyrën e përfaqësueses së Kanadasë në selinë e NATO-s në Bruksel. Frances Allen, e dyta grua që ka marrë gradën gjeneral-lejtënant në Kanada do jetë përgjegjëse për administrimin e përditshëm të ushtrisë.

14 Mars - Provinca e Québec i jep fund vakuumit ligjor, njeh monarkun britanik si kryetar shteti dhe i bashkohet gjithë pjesës tjetër të Kanadasë duke miratuar Ligjin “Loi concernant la dévolution de la couronne”, që përfshin të gjitha rregullat që parashikojnë trashëgiminë e Monarkisë britanike. Sipas juristëve të qeverisë, mungesa e një ligji të tillë mund të paralizonte funksionimin e shtetit të Québec.

25 Mars - Ministri i Jashtëm Marc Garneau njofton sanksionet e vendosura nga qeveria kanadeze ndaj nëntë zyrtarëve rusë, në përgjigje të veprimeve që u cilësuan prej tij si shkelje të të drejtave të njeriut të kryera nga Kremlini. Në listë përfshihen dy funksionarë të lartë nga stafi i Presidentit Vladimir Putin, si dhe shefi i Shërbimit të Sigurisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i sistemit të burgjeve të Rusisë. Sanksionet u ndalojnë atyre hyrjen në Kanada si dhe te drejtën për të bashkëpunuar në biznes me shtetas kanadezë.

28 Mars - Gjykata e Lartë e Kanadasë i jep të drejtë qeverisë federale, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e taksës mbi karbonin. Një shumicë prej gjashtë gjyqtarësh i pranoi argumentet e Ottawa-s në këtë çështje të kundërshtuar nga tre provinca, Alberta, Ontario dhe Saskatchewan.

28 Mars - Pas një procesi të vonuar gati 10 javë nga pandemia COVID-19, liberali Andrew Furey deklarohet fitues i zgjedhjeve të parakohshme në provincën Newfoundland-Labrador me 48.2% të votave (22 deputetë).

30 Mars - Kanadaja vendos zgjatjen e misionit ushtarak në Irak deri në Mars 2022, si pjesë e operacionit IMPACT. Misioni, i cili filloi në Tetor 2014, ishte planifikuar të përfundonte më 31 Mars 2021. Zgjatja njëvjeçare e operacionit IMPACT përfshiu dhe autorizimin për të vendosur deri në 850 ushtarakë të Forcave të Armatosura Kanadeze në mbështetje të koalicionit global, misionit të NATO-s në Irak dhe aktiviteteve për ndërtimin e kapaciteteve për forcat e armatosura të Jordanisë dhe Libanit.

Prill

4 Prill - Qeveria federale u kërkon falje për segregacionin pasardhësve të pjesëtarëve të Batalionit të 2-të të Ndërtimit. Siç njihet historikisht, qindra anëtarëve të komunitetit Black në Kanada iu mohua mundësia për t'u bashkuar me ushtrinë kanadeze kur ata dolën vullnetarë për të luftuar jashtë vendit në vitin 1914, në kohën e Luftës së Parë Botërore. Batalioni i 2-të i Ndërtimit, i njohur gjithashtu si “Batalioni Black”, u formua më 1916 për të mundësuar që anëtarët e komunitetit Black, të cilëve nuk u besohej arma, të shërbenin në punë publike, në rrugë, hekurudha dhe pyje. Pothuajse gjysma e anëtarëve të këtij batalioni ishin nga Nova Scotia.

8 Prill - Kanadaja dhe Quebéc kritikohen në raportin vjetor të Amnesty International në rrafshin e marrëdhënieve me popujt autoktonë dhe të drejtave të pakicave. Në shënjestër të kritikave u vu veçanërisht provinca e Québec-ut. Për temën e marrëdhënieve me autoktonët është cituar tekstualisht skandali i bujshëm i ndodhur në Spitalin e Joliette (qytet në Québec). Gruaja me origjinë Atikamekw nga Manawan, Joyce Echaquan, e filmoi veten në shtratin e spitalit pak para ndarjes nga jeta dhe e shpërndau më pas videon në rrjetin social Facebook. Në video dëgjoheshin qartë fyerjet skandaloze në adresë të saj nga ana e dy infermiereve të spitalit.

12 Prill - Air Canada arrin një marrëveshje me qeverinë federale për një ndihmë prej 5.9 miliardë dollarë në këmbim të disa angazhimeve të caktuara, mes të cilave dhe rimbursimi I biletave të udhëtimeve të anuluara.

18 Prill - Në në Katedralen e Krishtit në Ottawa, zhvillohen homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeth II, Princit Filip, Dukës së Edinburgut.

Maj

2 Maj - Kanadezet Meaghan Benfeito dhe Caeli McKay fitojnë medaljen e artë në garën e hedhjes së sinkronizuar nga 10 metra në Kupën Botërore të sporteve të zhytjes që u zhvillua në Tokio, duke zënë vendin e parë me një rezultat kumulativ prej 305.94 dhe duke konfirmuar kësisoj praninë e tyre në Lojërat Olimpike të Verës.

5 Maj - Njoftohet krijimi nga qeveria federale i një autoritet të posaçëm dhe të pavarur kanadez kundër abuzimeve në sport. Autoriteti do ketë për detyrë të shqyrtojë të gjitha ankesat në adresë të federatave kombëtare sportive. Organizmi do të ketë gjithashtu të drejtën e dhënies së masave ndëshkimore duke ofruar dhe një procedurë apelimi.  

23 Maj - Autoritet shëndetësore kanadeze njoftojnë që 50% e qytetarëve në shkallë janë vaksinuar me dozën e pare anti-Covid.

27 Maj - Kryeministri Justin Trudeau përmes një fjalimi të mbajtur në Parlament u kërkoi falje publike në emër të Kanadasë familjeve dhe pasardhësve të më shumë se 30,000 italo-kanadezëve të shpallur dhe të trajtuar si armiq të shtetit nga qeveria gjatë Luftës së Dytë Botërore.

28 Maj - Rihapet çështja e shkollave rezidenciale të fëmijëve autoktonë në British Columbia dhe njoftohet gjetja e eshtrave të 215 fëmijëve në territorin e një ish-shkolle rezidenciale, në Kamploops. Ministrja e Marrëdhënieve mes Shtetit dhe Autoktonëve, Carolyn Bennett dhe kolegu i saj Marc Miller, Ministri i Shërbimeve Autoktone, me një deklaratë të përbashkët theksojnë që “abuzimi me fëmijët autoktonë është një pjesë tragjike dhe e turpshme e historisë kanadeze”.

28 Maj - Deputetët e Dhomës së Komunave miratojnë 30 Shtatorin si Dita Kombëtare e së Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë. Ata unanimisht ranë dakord të anashkalojnë debatin mbi Ligjin C-5, në mënyrë që të përshpejtohet procedura dhe teksti të kalojë direkt në Senat. Qëllimi i këtij ligji të ri është krijimi i një dite zyrtare pushimi në Kanada në kujtim të viktimave dhe të mbijetuarve të shkollave rezidenciale.

Mahmud Jamal

Qershor

3 Qershor - OKB i kërkon Kanadasë të hetojë deri në fund mbi vendvarrimet e fëmijëve autoktonë. “Zbulimi i eshtrave të 215 fëmijëve autoktonë pranë një shkolle rezidenciale në Kamloops të British Columbia, ishte një fakt tejet tronditës që rihapi një plagë të dhimbshme”, ka komentuar zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut, Marta Hurtado. “Ne i kërkojmë qeverisë kanadeze të kryejë ekspertiza mjeko-ligjore në mënyrë që mbetjet njerëzore të mund të identifikohen. Pa një ekspertizë të tillë, shërimi i kësaj plage do jetë i pamundur”, ka pohuar ajo.

6 Qershor - Në Riga të Letonisë Kanadaja fiton titullin e 27-të kampion në Botërorin e Hockey mbi akull. Ekipi kanadez i meshkujve në Hockey mbi akull mposhti 3-2 në kohën shtesë ekipin e Finlandës.

7 Qershor - Rusia i kundërpërgjigjet masave që mori qeveria kanadeze më 24 Mars 2021 si shenjë proteste për trajtimin që i bëhet nga regjimi i Presidentit Putin, liderit të opozitës Alexei Navalni.  Moska njoftoi si kundërmasë ndalimin e hyrjes në Rusi për një periudhë të pacaktuar ndaj 9 zyrtarëve të lartë të Kanadasë. Në listë figuronin ministri federal i Drejtësisë David Lametti, ministri i Çështjeve Ndërqeveritare Dominic LeBlanc, shefja e Administratës së Burgjeve kanadeze Anne Kelly, shefja e Policisë Mbretërore (RCMP) Brenda Lucki dhe zëvendësi i saj Brian Brennan, shefi i Shërbimit Sekret të Ushtrisë Scott Bishop, zëvendësministrja e parë e Mbrojtjes Jody Thomas, numri dy i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Mike Roleau si dhe këshilltarja e Kryeministrit Trudeau, Marci Surkes.

11 Qershor - Pas një manifestimi kundër masave izoluese në situatën e pandemisë të zhvilluar në Saint-Pierre-Jolys të provincës Manitoba, Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) arreston ish-ministrin e Jashtëm Kanadez dhe Kryetar i Partisë Popullore të Kanadasë, Maxime Bernier. Më pak se një orë para arrestimit të tij, Bernier kishte publikuar në Twitter një video që tregonte se ai ishte gjobitur me 1,296 dollarë për shkak të shkeljes së rregullave të vendosura nga Autoritetet Shëndetësore.

13 Qershor - Në deklaratën e tij në mbyllje të Samitit G7 që u zhvillua në Londër, Kryeministri kanadez Justin Trudeau thekson si prioritet të rëndësishëm solidaritetin vaksinal në shkallë ndërkombëtare. Me këtë rast, ai rikonfirmon që Kanadaja do t’u ofrojë falas vendeve të varfra 100 milionë doza të vaksinës anti-Covid.

14 Qershor - Qeveria kanadeze autorizon të gjithë kanadezët autoktonë të përdorin në dokumentat e tyre të identitetit (përfshi dhe pasaportën) emrin e tyre tradicional. Për një pjesë të konsiderueshme, emrat kanë qenë modifikuar në kohën kur ata ndiqnin me detyrim sistemin e shkollave rezidenciale.

16 Qershor - Qeveria federale emëron Ronald E. Ignace, kreun e fisit autokton Secwepemc që jeton në British Columbia në postin e Komisionerin për gjuhët autoktone të Kanadasë.

16 Qershor - Dhoma e Komunave të Kanadasë miraton të mërkurën një mocion të propozuar nga Blloku i Québec, sipas të cilit, qeveria provinciale e provincës frankofone ka të drejtë në mënyrë unilaterale të modifikojë ligjin themelor të Kanadasë për të shtuar aty formulimin që “Québec konsiderohet një komb, gjuha zyrtare dhe e përbashkët e të cilit është Frengjishtja”.

18 Qershor - Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Ontario, Mahmud Jamal, përzgjidhet nga Kryeministri Justin Trudeau për të plotësuar vendin vakant që krijohet në Gjykatën e Lartë kanadeze me daljen në pension në moshën 75 vjeçare të gjyqtares Rosalie Silberman Abella. Kësisoj, për herë të parë në përbërje të instancës më të lartë gjyqësore të Kanadasë do jetë një përfaqësues i minoriteteve me ngjyrë, me origjinë afro-aziatike.

22 qershor - Gjatë një seance diskutimi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB në Gjenevë të Zvicrës, përfaqësuesit e Kinës dhe Kanadasë kanë replikuar me njeri-tjetrin në lidhje me temën e të drejtave të njeriut. Teksa përfaqësuesja kanadeze, e mbështetur nga rreth 40 shtete denoncoi Kinën për situatën në provincën autonome ujgure Xinjiang, nga ana e tij, si kundërpërgjigje përfaqësuesi i Pekinit ka kërkuar të hetohet mbi shkeljen e të drejtave të autoktonëve kanadezë.

25 Qershor - Federata e Fiseve Autoktone të Saskatchewan bën të ditur zbulimin e një numri të madh varresh të paidentifikuara (mbi 600) gjatë kërkimeve të zhvilluara me radar në ish-territorin e Shkollës rezidenciale në Marieval (rreth 150 km në distancë nga Regina).

26 Qershor - Ministri kanadez i Rendit Publik, Bill Blair komunikon disa ndryshime në listën e Kanadasë për individët dhe organizatat e konsideruara si terroriste. Në listën e entiteteve dhe individëve teorristë janë shtuar dy grupe ekstremiste me karakter ideologjik, ndër të cilët edhe grupi “Three Percenters” (pjesëmarrës ndër të tjera edhe në sulmin mbi Kapitol në SHBA) që është prezent në Québec dhe në Perëndimin kanadez si dhe grupi “Aryan Strikeforce” (grup neonazist i themeluar në Britaninë Madhe) gjithashtu prezent në Kanada. Ndërkohë lista do të përfshije dhe organizatën “Shteti Islamik-Republika Demokratike e Kongos (e lidhur me Grupin e armatosur Shteti Islamik) si dhe ideologun neonazist amerikan James Mason.

Mary Simon

Korrik

1 Korrik - Flamuj në gjysëm shtizë dhe thirrje për reflektim nga Kryeministri Trudeau. Në të njëjtën kohë, ai ka kërkuar që të gjithë qytetarët e Kanadasë, të përfitojnë nga 1 Korriku për të biseduar me të afërmit e tyre e për të menduar se si mund të bëhemi të gjithë aleatë akoma më të mirë të popujve autoktonë.

1 Korrik - Në Winnipeg të Manitoba-s, protestuesit kanë rrëzuar statujën e Mbretëreshës Victoria, të vendosur atje prej vitit 1904.

6 Korrik - Për herë të parë një autoktone do jetë Guvernatore e Përgjithshme e Kanadasë. Kryeministri kanadez Justin Trudeau, nga ambientet e Muzeut Historik Kanadez njofton ëmërimin e ish-diplomates me origjinë autoktone Mary Simon në postin e Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë. Simon do te jetë e 30-ta në radhën e atyre që kanë përfaqësuar Monarkinë Britanike në Kanada në 154 vjet dhe e para ndër ta me origjinë autoktone.

6 Korrik - Kryeministri Justin Trudeau dhe ai i provincës Saskatchewan Scott Moe nënshkruajnë një marreveshje historike në fushën e mbrojtjes së fëmijëve me komunitetit autokton Cowessess. Kjo marrëveshje synon të vendosë nën përgjegjësinë e komunitetit, fëmijët dhe familjet në nevojë, bazuar në Ligjin Miyo Pimatisowin. Ky ligj, i pari i këtij lloji në vend, u miratua nga Komuniteti Cowessess dhe hyri në fuqi në Prill 2021, duke siguruar kësisoj një kornizë ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në territorin e tij. Në bazë të marrëveshjes tripalëshe, qeveria federale angazhohet të investojë 38.7 milionë dollarë për të bërë funksional sistemin e shërbimeve të fëmijëve dhe familjeve në komunitetit autokton Cowessess.

8 Korrik - RoseAnne Archibald zgjidhet kryetare e Asamblesë së Popujve Autoktonë të Kanadasë. Archibald, pjestare e fisit Taykwa Tagamour në Ontario, është e para grua në gjithë historinë e Kanadasë që arrin të zgjidhet në këtë funksion shumë të rëndësishëm politik.

14 Korrik - Qeveria e Ontario-s shpall gjendjen e emergjencës në Veriperëndim të provincës për shkak të rritjes së konsiderueshme të zjarreve aktive në pyje. Dekreti i miratuar lejon marrjen e masave të jashtëzakonshme për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe mbrojtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë.

15 Korrik - Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe ai i Québec François Legault, deklarojnë vendimin e përbashkët për të investuar 693 milionë dollarë në mbështetje të projekteve novatore të industrisë ajrore kanadeze, veçanërisht për ato projekte që synojnë përdorimin e energjisë elektrike në transportin ajror.

17 Korrik - Me kërkesën e kryeministrit Iain Rankin, Lejtënant-Guvernatori i Nova Scotia Arthur LeBlanc shpërndan Asamblenë Legjislative dhe deklaron organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në provincë më 17 Gusht.

20 Korrik - 371 sportistë dhe 131 trajnerë kanadezë mbërrijnë në Tokio për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Verore nga 23 Korrik deri më 8 Gusht, të parat në histori pa spektatorë dhe që për shkak të COVID-19 nuk u zhvilluan dot vitin e kaluar. Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike dy flamurmbajtësit e Kanadasë caktohen basketbollistja Miranda Ayim dhe lojtari i rugby-së Nathan Hirayama.

24 Korrik - Në British Columbia mbërrijnë 100 zjarrfikës nga Meksika për të ndihmuar shuarjen e zjarreve në pyje. Për një periudhë 30 ditore, kontigjenti meksikan do t'u bashkohet në terren rreth 3300 zjarrfikësve kanadezë të vendosur atje prej disa javësh.

24 Korrik - Kanadaja siguron medaljen e parë në Lojërat Olimpike të Tokios falë vendit të dytë që zuri ekipi i femrave në stafetën 4x100 stil i lirë në not, duke fituar kësisoj dhe medaljen e argjendtë. Kayla Sanchez, Margaret MacNeil, Rebecca Smith dhe Penny Oleksiak realizuan sëbashku një performancë të mirë duke mbyllur finalen pas Australisë.

26 Korrik - Nën shkrehjen protokollare të 21 goditjeve me top, Mary Simon merr zyrtarisht funksionin e Guvernatores së Përgjithshme të Kanadasë. Ajo bëri betimin në një ceremoni me prezencë të reduktuar (vetëm 44 vetë) para Kryetarit të Gjykatës së Lartë Kanadeze Richard Wagner dhe Kryeminstrit Justin Trudeau. Gjatë fjalës së saj, Zonja Simon shpalli dhe prioritetet e mandatit që do ushtrojë, ku perveç procesit në vazhdimësi të pajtimit mes kanadezëve dhe popujve autoktonë, përmendi mbrojtjen a rajonit të Arktikut nga ndryshimet klimatike si dhe problemet e shëndetit mendor.

30 Korrik - Me propozimin e Kryeministrit Justin Trudeau, Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë Mary Simon, miraton pesë senatorë të rinj, të cilët do të plotësojnë pesë vendet vakante në Dhomën e Lartë të Parlamentit kanadez, që përbëhet nga 105 anëtarë me të drejtë qëndrimi deri në moshën 75 vjeç. Të sapoemëruarit janë David Arnot, që përfaqëson Saskatchewan, Michèle Audette, Amina Gerba dhe Clément Gignac që të tre përfaqësojnë Québec, si dhe Karen Sorensen, që përfaqëson Alberta.

Gusht

5 Gusht - Mbërrin në aeroportin e Torontos avioni i parë me 12 refugjatë afganë, pjesë e kontigjentit që mbështetën misionin ushtarak kanadez në Afganistan. Ky mision ishte prezent në Afganistan nga viti 2001 deri më 2014 dhe gjatë 13 vjetëve, atje shërbyen rreth 40,000 ushtarakë kanadezë.

6 Gusht - Pas momentesh dramatike humbjesh e shënimi nga të dy anët, me gjuajtjen e penalltisë së gjashtë nga Julia Grosso (3-2), përballë Suedisë Kanadaja arrin të fitojë medaljen e artë, që është dhe suksesi më i madh i saj deri më sot në futboll. Mbi fushën e blertë ndodhi mrekullia. Më në fund edhe veterania legjendare, 38 vjeçarja Christine Sinclair realizon ëndrrën më të madhe të karrierës së saj, medaljen e artë olimpike.

8 Gusht - Mbyllën Lojrat Olimpike Verore të Tokios, të cilat megjithë problemet për shkak të pandemisë i dhuruan gjithë publikut sportdashës momente të paharrueshme. Sërish në një stadium pa spektatorë, parakaluan rreth 4000 atletë (nga rreth 11,000 që morën pjesë gjithsej) Flamurin e Kanadasë e mbajti kampioni olimpik i dhjetëgarëshit Damian Warner. Si ekip, Kanadaja u rendit në vendin e 11-të me gjithsej 24 medalje nga të cilat 7 ari, 6 argjendi dhe 11 bronzi.

8 Gusht - Në qytetin e tij të lindjes Brampton ndahet nga jeta në moshën 92 vjeçare ish-kryeministri i Ontarios Bill Davis. Karriera politike e Davis ka zgjati 3 dekada. Fillimisht deputet progresist-konservator e më pas Ministër i Arsimit, nga viti 1971 e deri më 1985, për katër mandate radhazi, ai ushtroi funksionin e kryeministrit në provincën më të madhe për nga popullsia të Kanadasë. Ai kujtohet për projektet që ndikuan në përmirësimin e shërbimit të edukimit dhe atij shëndetësor në Ontario, për vendimin në favor të financimit publik të shkollave katolike si dhe si një nga kundërshtarët më të flaktë të pavarësisë së Québec.

15 Gusht - Kryeministri Justin Trudeau është paraqitur në zyrën e Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon dhe i ka kërkuar asaj shpërndarjen e parlamentit. Kjo e fundit e ka firmosur dekretin dhe për pasojë në 20 Shtator, qytetarët kanadezë do t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e fundit jane zhvilluar në Tetor të vitit 2019 dhe prej asaj periudhe Partia Liberale e Kryeministrit Trudeau ka qeverisur në minorancë, pasi nuk arriti të siguronte shumicën. Fushata do të vazhdojë gjithsej 36 ditë dhe Liberalëve për të rifituar mazhorancën u duhen të paktën 170 deputetë nga 155 që kishin aktualisht.

15 Gusht - Provinca e British Columbia vazhdon të mbetet e përfshirë nga zjarret në një pjesë të kondiderueshme të sipërfaqeve të saj pyjore. Aktualisht numërohen ende 273 vatra të ndezura dhe situata vazhdon të jetë dramatike në kushtet kur erërat dhe temperaturat e larta ndikojnë në përhapjen e mëtejshme të zjarreve. 3965 zjarrfikës po përpiqen të kontrollojnë zonat e prekura nga të cilët 400 kanë ardhur nga provinca të tjera. Ndërkohë rreth 30 vatra zjarri përbejnë rrezik të lartë për sigurinë e banorëve përreth. Për këtë qëllim është dhënë urdhër evakuimi për 28,000 qytetarë në 112 sektorë që ndodhen në gjendje alarmi.

15 Gusht - Marrja e kryeqytetit të Afganistanit Kabul nga Talebanët, e ka detyron qeverine kanadeze të evakuojë të gjithë personelin e ambasadës që ndodhej atje. Në një deklaratë të përbashkët, Ministri i Jashtëm Marc Garneau sëbashku me ministrat e Mbrojtjes dhe Imigracionit, kanë njoftuar se në kushtet e sigurisë së plotë, personeli diplomatik kanadez është nisur drejt atdheut.

17 Gusht - Partia Progresiste-Konservatore e Nova Scotia e drejtuar nga Tim Houston fiton zgjedhjet e parakohshme. Nga 55 vende në parlamentin provincial, Konservatorët arritën të marrin 31, 3 më shumë se minimumi i domosdoshëm për të patur mazhorancën. Kësisoj, kjo parti mundi të rikthehet sërish në pushtet për herë të parë qysh pas vitit 2009. E veçanta e ketyre zgjedhjeve ishte se rreth dy muaj më pare Konservatorët renditeshin me 28% diferencë më pak në sondazhe në raport me Liberalët që kësaj here morën vetëm 17 deputetë.

28 Gusht - Kryeministri liberal Justin Trudeau detyrohet të anulojë një takim të planifikuar në Bolton të Ontarios për shkak të pranisë së rreth 100 protestuesve, që të irrituar po kundërshtonin vaksinimin e detyruar, mbajtjen e maskës dhe pasaportën e vaksinimit.

28 Gusht - Zhvillohen disa manifestime solidariteti me popullin afgan në qytetet kryesore kanadeze si Toronto, Montréal, Ottawa apo Vancouver. Qëllimi kryesor i këtyre veprimtarive ka qenë rritja e presionit ndaj qeverisë federale për të përshpejtuar procesin e sjelljes së refugjatëve, jeta e të cilëve rrezikohet për shkak të bashkëpunimit me Misionin kanadez që ishte prezent në Afganistan nga viti 2001 deri në vitin 2014.

31 Gusht - Në Calgary të Alberta-s përfundon Kampionati Botëror i Hockey për femra. Në finale ekipi kanadez triumfoi me rezultatin 3-2 në kohën shtesë, përballë ekipit të SHBA, duke fituar kësisoj kupën dhe medaljet e arta. Amerikanet ndërkohë ishin fituese të trofeut në 5 herët e fundit për këtë kompeticion, ndërsa Kanadaja e rifitoi titullin pas 9 vjetësh.

Shtator

2 Shtator - Pjesa e parë e fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 20 Shtatorit kulmoi me debatin e parë në frengjisht që i kushtohej eksluzivisht Québec-ut, mes katër shefave, Justin Trudeau (Liberal), Erin O’Toole (Konservator), Yves-François Blanchet (Blloku i Québec) dhe Jagmeet Singh (Neodemokrat). Debati u organizua nga televizioni frankofon TVA në Montréal, nën drejtimin e njërit prej ikonave të ekranit, Pierre Bruneau.

7 Shtator - Të gjithë udhëtarët e huaj të vaksinuar dy herë lejohen të udhëtojnë drejt Kanadasë për arsye jo esenciale siç është turizmi, përfshirë dhe ata persona që do arrijnë nga vendet ku virusi po përhapet më shpejt.

10 Shtator - Nis votimi i përshpejtuar për zgjedhjet e parakohshme federale të 20 Shtatorit. Votimi do vazhdojë deri të henën 13 Shtator dhe qendrat e votimit do të jenë të hapura prej orës 9 të mëngjesit.

15 Shtator - Sipas raportimeve të Election Canada rreth 6.33 milionë qytetarë kanadezë me të drejtë vote kanë votuar në mënyrë të përshpejtuar (5.9 milionë fizikisht në qendra votimi) apo me postë. Pra rreth 23.4% e 27 milionë të regjistruarve në Regjistrin e Zgjedhësve, e kanë shprehur vullnetin e tyre.

17 Shtator - Nis zyrtarisht në 1100 bashkitë e Québec fushata për zgjedhjet lokale. Fushata do të zgjasë 52 ditë dhe do të përfundojë të Dielën, 7 Nëntor, data në të cilën qytetarët e provincës do të ushtrojnë të drejtën e votës. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 9:30 e mëngjesit deri në 20:00 në mbrëmje. Për zgjedhjet lokale votimi paraprak do të jetë i mundur të Dielën, 31 Tetor, nga ora 9:30 e mëngjesit deri në 20:00 në mbrëmje.

20 Shtator - Përfunduar zgjedhjet e parakohshme federale kanadeze për rinovimin e Dhomës së Komunave me 338 deputetë. Liberalët e Kryeministrit Trudeau sërish në minorancë me 160 deputetë, pa arritur dot shifrën 170, e domosdoshme për të qenë në mazhorancë. Konservatorët morën 119 vende, Blloku i Québec 32 vende, NDP 25 ndërsa Të Gjelbrit 2 vende.

25 Shtator - Konferenca Kanadeze e Ipeshkëve Katolikë në deklaratën përmbyllëse të takimit të saj plenar vjetor, që u zhvillua virtualisht dhe kishte për fokus procesin e pajtimit, i kërkon falje zyrtarisht komuniteteve autoktone të Kanadasë për abuzimet e ndodhura në shkollat ​​rezidenciale për fëmijët autoktonë.

25 Shtator - Të burgosur për gati tre vjet, me akuzën e spiunazhit, dy kanadezët Michael Kovrig dhe Michael Spavor lirohen dhe kthehen në atdhe, pasi shefja e financave e kompanisë kineze Huawei, Meng Wanzhou, realizoi një marrëveshje me drejtësinë amerikane dhe u lirua nga arresti shtëpiak në kushte luksi në British Columbia. Edhe kjo e fundit fluturoi dje me avion drejt Kinës, ku më pas u prit në aeroportin e Shenzhenit si heroinë. Michael Spavor dhe Michael Kovrig u arrestuan në Kinë më 13 Dhjetor 2018, menjëherë pas arrestimit të numrit një të financave të gjigandit të telekomunikacionit Huawei, Meng Wanzhou, në Vancouver me kërkesën e Shteteve të Bashkuara.

30 Shtator - Për herë të parë në historine e Kanadasë zyrtarizohet Dita Kombëtare e të Vërtetës dhe Pajtimit me popujt autoktonë. Në Website-in e qeverisë kanadeze shkruhej ndër të tjera, që kjo ditë “do të jetë një mundësi për të përkujtuar dhe nderuar kujtimin e fëmijëve të humbur dhe të mbijetuarve të ish-shkollave rezidenciale për autoktonët, familjet dhe komunitetet e tyre. Përkujtimi publik i historisë tragjike dhe të dhimbshme të ish-shkollave rezidenciale është një pjesë thelbësore e procesit të pajtimit.”

Tetor

7 Tetor - Qeveria Trudeau urdhëron 265,000 punonjës të shërbimit publik federal të vaksinohen në mënyrë adekuate kundër COVID-19 deri në fund të muajit Tetor. Personave që nuk i nënshtrohen këtij vendimi, do t’u ndërpritet paga nga data 15 Nëntor, ndërsa ata të cilët bëjnë deklarim të rremë do të ekspozohen ndaj masave më të ashpra, deri në largim nga puna.

8 Tetor - Kanadaja nënshkruan një marrëveshje me Marinën Mbretërore Britanike (Royal Navy) për trajnimin e marinarëve të anijeve akullthyese që përdoren në zonën e Arktikut. Marrëveshja është vazhdim i Protokollit të vitit 2000, mbi bazën e të cilit oficerë nga HMS Protector (anije akullthyese e Royal Navy) u stërviten në bordin e njërës prej anijeve të Rojës Bregdetare Kanadeze.

11 Tetor - Çmimi Nobel në ekonomi i akordohet tre specialistëve në ekonominë eksperimentale, kanadezit David Card, amerikano-izraelitit Joshua Angrist dhe amerikano-holandezit Guido Imbens, të cilët me kërkimet e tyre kanë hedhur më shumë dritë dhe kanë kontribuar në thellimin e njohurive në fusha të tilla si tregu i punës, imigracioni dhe arsimi.

17 Tetor - Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon viziton zyrtarisht RFGJ në udhëtimin e saj të parë zyrtar jashtë vendit në emër të Kanadasë, qysh nga marrja e funksionit. Simon do takohet me Presidentin Frank‑Walter Steinmeier, Kancelaren Angela Merkel dhe do përfaqësojë Kanadanë në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt, ku Kanadaja është e ftuar nderi për sesionin 2021.

20 Tetor - Jyoti Gondek dhe Amarjeet Sohi zgjidhen në krye të bashkive Calgary dhe Edmonton. Rezultati i zgjedhjeve lokale në Alberta është konsideruar si historik. Kjo jo vetëm për faktin se përbërja e këshillave bashkiakë tashmë përfaqëson më mirë diversitetin kulturor dhe etnik që karakterizon Kanadanë, por edhe sepse ka patur një rritje të konsiderueshmë të kandidateve femra që kanë arritur të mandatohen. Po kështu, edhe dy kryetarët e rinj të zgjedhur në Calgary dhe Edmonton, janë nga radhët e emigrantëve.

20 Tetor - Kanadezi 24 vjeçar Bruce Xiaoyu Liu, fiton çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar prestigjoz të pianos Chopin, i cili mbahet çdo pesë vjet dhe organizohet qysh prej vitit 1927. Shpallja e fituesit nga juria u bë në Filarmoninë e Varshavës, kryeqyteti i Polonisë. I lindur në Paris dhe i diplomuar në Konservatorin e Montréal-it, Bruce Xiaoyu Liu ka performuar me Orkestrën e Cleveland, Filarmoninë e Izraelit, Orkestrën Simfonike Montréal dhe orkestra të tjera të njohura. Konkursi i sivjetëm, duhej të ishte mbajtur në vitin 2020, por u shty për shkak të pandemisë.

23 Tetor - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan njofton se ka urdhëruar dëbimin e dhjetë ambasadorëve, përfshirë ambasadorin e Kanadasë Jamal Khokhar dhe ata të Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara, për shkak se ata kanë kërkuar lirimin e kundërshtarit të tij Osman Kavala, që mbahet i burgosur.

26 Tetor - Pas një dislokimi në Angli, ku ata ishin përgjegjës për ruajtjen e Mbretëreshës dhe katër rezidencave mbretërore në Londër, anëtarët e Regjimentit Mbretëror të Artilerisë Kanadeze kthehen në atdhe. Në total, rreth 130 pjestarë të regjimentit u vendosën nga 4 deri më 22 Tetor në kryeqytetin anglez. Midis tyre ishin 90 ushtarakë dhe 36 anëtarë të Bandës Muzikore të Artilerisë. Në total, ushtarakët kaluan gjashtë javë jashtë vendit, nga të cilat tre javë në shërbim të Mbretëreshës. Detyra e tyre ishte trajnimi i Gardës së Mbretëreshës në Pallatin Buckingham, Pallatin St James, Kështjellën Windsor dhe Kullën e Londrës. Qershia mbi tortë për ushtarakët kanadezë ka qenë takimi me Mbretëreshën Elizabeth II.

26 Tetor - Zhvillohet në Rideau Hall, rezidenca e Guvernatores së Përgjithshme Mary Simon, ceremonia e betimit të qeverisë Trudeau 3. Numri i përgjithshëm i anëtarëve të kabinetit është gjithsej 38 dhe përbërja respekton përsëri barazinë gjinore. Lista përmban shumë emra nga qeveria e mëparshme, të cilët kanë këmbyer portofolet, sikurse dhe disa emra të rinj. Një nga emërimet më të spikatura është ai i Mélanie Joly, në detyrën e Ministres së Punëve të Jashtme si dhe ai i Anita Anand në rolin e Ministres së Mbrojtjes e cila është e dyta grua që merr këtë post, pas Kim Campbell në 1993.

30 Tetor - Përfundon në Manitoba gara për kreun e Partisë Progresiste Konservatore. Ka qenë një garë e ngushtë në përfundim të të cilës, Heather Stefanson ka fituar vetëm me rreth 360 vota diferencë ndaj Shelly Glover. Votimi është kryer nëpërmjet postës dhe në të kanë marrë pjesë 64% e anëtareve. Stefanson dhe Glover, kanë qenë të dyja ministre në kabinetin e Brian Pallister, liderit konservator që u dorëhoq pak kohë më parë.

Nëntor

6 Nëntor - Ministri kanadez i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike, Steven Guilbeault, komunikon një investim prej 460 milionë dollarësh gjatë 5 viteve të ardhshme, për të mbrojtur dhe zgjeruar 22 rezervat kombëtare të faunës në Kanada. Guilbeault shpjegoi që ky financim do të mundësojë gjithashtu krijimin e 10 parqeve të reja kombëtare, 4 zonave të ruajtjes së ujërave të ëmbla dhe 11 zonave kombëtare të ruajtjes së ujërave të kripura, ndërsa do të punohet gjithashtu për të siguruar përmes blerjeve sipërfaqet e nevojshme për zgjerimin dhe plotësimin e parqeve kombëtare ekzistuese. Aktualisht, Kanadaja ka 47 parqe kombëtare dhe 55 zona kombëtare faunike.

7 Nëntor - Përfundojnë zgjedhjet lokale në provincën e Quebéc ku është votuar në 1108 bashki. Pjesëmarrja ka qenë relativisht e ulët rreth 40%. Vëmendja kryesore ishte përqendruar në metropolin e provincës, Montréal ku Valérie Plante fitoi më një diferencë të ndjeshme prej 58,462 votash (52% me 38%) duke siguruar edhe shumicën e këshillit të qytetit. Për herë të parë në historinë e provincës, 5 nga 10 bashkitë kryesore do të kenë një drejtuese femër. Përveç Valérie Plante që u rizgjodh në Montréal, France Bélisle ka fituar në Gatineau, Catherine Fournier në Longueuil, Évelyne Beaudin në Sherbrooke dhe Julie Dufour në Saguenay. Në 5 bashkitë e tjera të mëdha, supriza më e madhe ka ndodhur në Québec City, ku pas një përmbysje dramatike të diferencës së fillimit prej më shumë se 5000 votash, Bruno Marchand ka fituar me 834 vota ndaj Marie-Josée Savard, që konsiderohej si trashëgimtarja e ish-kryebashkiakut Régis Labeaume, që u largua nga politika para zgjedhjeve. Sipas komentatorëve, 48 vjeçari karizmatik Bruno Marchand konsiderohet supriza e këtyre zgjedhjeve, kur mendon që lëvizjen e tij politike e pat nisur nga zero vetëm një vit më parë. Ndërkohë, ashtu siç pritej, në Laval u zgjodh Stéphane Boyer, në Lévis Gilles Lehouillier, në Trois-Rivières Jean Lamarche dhe në Terrebonne Mathieu Traversy.

12 Nëntor - Përurohet zyrtarisht hapja e Universitetit Frankofon të Ontarios, ku mori pjesë dhe ministrja e re federale e Gjuhëve Zyrtare, Ginette Petitpas Taylor. Në një deklaratë për shtyp, Presidenti i Asamblesë Frankofone të Ontarios (AFO), Carol Jolin, nga ana e tij shprehu dëshirën që ky institucion të bëhet qendra e arsimit universitar në gjuhën frënge në Toronton metropolitane. 150 studentë kanë nisur aty studimet, të ndarë në katër programe universitare dhe disa mikroprograme.

17 Nëntor - British Columbia shpall gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve nga reshjet e shumta të shiut. Shumë rrugë vazhdojnë të jenë ende të bllokuara dhe mijëra qytetarë kanë marrë urdhërin të evakuohen, shifra e të cilëve llogaritet rreth 18,000. Në ndihmë të banorëve në zonat e përmbytyra janë dërguar dhe kontigjente të Forcave të Armatosura Kanadeze.

18 Nëntor - Zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në Uashington samiti tre palësh mes Presidentit të SHBA Joe Biden, Kryeministrit kanadez Justin Trudeau dhe Presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador Ky ishte samiti i parë i liderëve të Amerikës së Veriut që nga viti 2016, viti kur Donald Trump u zgjodh president. Objektivi i samitit ishte forcimi i lidhjeve midis tre vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë shëndetësore, konkurencës, rritjes ekonomike, ndryshimeve klimatike dhe arritja e një vizioni të përbashkët rajonal për emigracionin.

20 Nëntor - Ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare senatorja e pavarur franko-ontariane Josée Forest-Niesing. Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter kryetari i Senatit Kanadez George Furey. Senatorja ishte shtruar në spitalin Horizon Santé-Nord në Tetor, sepse ishte diagnostikuar me COVID-19. Josée Forest-Niesing me profesion avokate, u emërua në Senat nga kryeministri Justin Trudeau në vitin 2018. Profesionin e gjyqtares dhe avokates ajo e pat ushtruar në Sudbury.

21 Nëntor - FC Montreal fitoi Kupën Voyageurs pasi mundi 1-0 FC Toronto në finalen e Kampionatit kanadez të zhvilluar në stadiumin Saputo. Ky është trofeu i 11-të i Kupës Voyageurs, trofe të cilin ekipi e pat fituar për herë të fundit duke mundur po FC Toronto në vitin 2019. Në cilësinë e kampionit kanadez, FC Montreal do marrë pjesë në turneun e Champions League të Concacaf në vitin 2022.

22 Nëntor - Mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të parakohshme të 20 Shtatorit Parlamenti kanadez ku me votim të fshehtë, deputetët federalë rizgjodhën si kryetar liberalin Anthony Rota. Rota, me origjinë italiane nga prindërit, i cili përfaqëson zonën elektorale të Nipissing-Timiskaming, Ontario, e ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Parlamentit qysh nga Dhjetori 2019.

23 Nëntor - Kryeministri kanadez Justin Trudeau pret në takim zyrtar Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani. Në përmbledhjen e publikuar në Websit-in e qeverisë kanadeze lidhur me takimin thuhet: "Kryeministri Justin Trudeau është takuar sot me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjet aktuale globale. Kryeministri Trudeau falënderoi Presidenten Osmani-Sadriu për pjesëmarrjen e saj në Forumin e Halifax për Sigurinë Ndërkombëtare dhe për dhënien e Medaljes Ushtarake Presidenciale për Forcat e Armatosura Kanadeze për shërbimin e tyre në Kosovë për mbi dy dekada. Kryeministri rikonfirmoi përkushtimin e vendosur të Kanadasë për Kosovën dhe mbështetjen e saj për integrimin e plotë euroatlantik. Ai tha se Kanadaja vazhdon të avokojë për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”.

23 Nëntor - Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Mary Simon priti në orën 17:00 në sallonin e Rideau Hall, rezidenca e guvernatorëve të përgjithshëm, Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

25 Nëntor - Kryeministri Justin Trudeau komunikon emërimin e gjeneralit Wayne Donald Eyre si Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura të Kanadasë. Sipas komunikatës të Zyrës së Kryeministrit, detyrat e tij do të përfshijnë “mbikëqyrjen e operacioneve të Forcave të Armatosura Kanadeze në Kanada dhe në mbarë botën, përfshirë edhe ndihmën emergjente që po ofrohet aktualisht ndaj komuniteteve të prekura nga përmbytjet në British Columbia. Ai gjithashtu do të duhet të vazhdojë punën që synon transformimin e kulturës së Forcave të Armatosura Kanadeze, në mënyrë që të sigurojë zero tolerancë për sjelljet e pahijshme dhe ngacmimet seksuale si dhe të eliminojë një here e përgjithmonë sjelljet e urrejtjes dhe racizmin sistemik në radhët e ushtrisë”.

26 Nëntor - Pas përmbytjeve të mëdha në provincën British Columbia, Kryeministri Trudeau inspekton nga afër situatën dhe diskuton për masat për kapërcimin e situatës në koordinim me qeverinë provinciale të John Horgan.

François Legault

Dhjetor

6 Dhjetor - Kompania farmaceutike Merck njofton se prodhimi i pilulës së saj anti-COVID-19 do të realizohet në tre qendra, njëra prej të cilave do jetë në Kanada. Kompania në fjalë komunikoi përmes një deklarate për mediat se ka nënshkruar një marrëveshje për prodhimin e Molnupiravir me qendrën Thermo Fisher Scientific Facility në Whitby, Ontario.

8 Dhjetor - Kanadaja i bashkohet Shteteve të Bashkuara, Australisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në lëvizjen diplomatike të bojkotit ndaj Lojërave Olimpike të Pekinit, në shenjë proteste për trajtimit që Kina i bën pakicës myslimane ujgure në provincën Xinjiang.

12 Dhjetor - Në Québec, një situatë dobësie e sistemit që mund të lejojë potencialisht një haker të depërtojë në të, është bërë shkak për mbylljen e 3,992 faqeve qeveritare në Internet, si masë parandaluese, duke përfshirë ato të Shëndetësisë dhe Arsimit.

15 Dhjetor - Nisur nga shifrat dhe konstatimet e autoriteteve të Shëndetit Publik, për të penguar përhapjen e variantit Omicron në vend, qeveria e Kryeministrit Justin Trudeau ndryshon rekomandimet e saj për udhëtimet jashtë Kanadasë, duke bërë thirrje njëkohësisht që të evitohet çdo udhëtim jo esencial jashtë kufijve. “Për ata që planifikojnë të udhëtojnë, u them shumë qartë: nuk është koha”, ka deklaruar në konferencë shtypi ministri Federal i Shëndetësisë, Jean-Yves Duclos.

21 Dhjetor - Në vijim të masave qeveritare për shkak të përhapjes me shpejtësi të variantit Omicron, shtetasve dhe rezidentëve kanadezë që udhëtojnë jashtë vendit u kërkohet të paraqisin përsëri testin e vlefshëm molekular negativ pas mbërritjes në kufi, duke përfshirë qëndrimet e shkurtra prej më pak se 72 orë.

30 Dhjetor - Qeveria Legault shpall një seri masash kufizuese në përpjekje, sipas saj, për të frenuar rritjen e rasteve të infeksionit me variantin Omicron në provincë dhe sidomos për frenimin e shtrimeve masive në spitale. Sipas komenteve në media, këto masa konsiderohen si më të rreptat deri tani në gjithë Amerikën e Veriut. Qysh nga 31 Dhjetori, nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit, rikthehet ndalim-qarkullimi dhe për shkelësit gjoba do variojë nga 1,000 deri në 6,000 dollarë. Sipas Legault, menjeherë sapo situata në spitale të normalizohet, kjo do te jetë masa e pare që do të shfuqizohet. Po kështu ndalohen grumbullimet private nëpër shtëpi, pra mbrëmjen e Vitit të Ri familjet do ta festojnë të veçuara, ndryshe nga ç’mund ta kishin planifikuar.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada