Kanada

Hija e Jeffrey Epstein mbi Bukingham Palace - Princit Andrew i hiqen titujt ushtarakë

  • Published in Kanada

Djalit të dytë të mbretëreshës Elizabeth II, Princit Andrew, iu hoqën sot (13.01.2021) të gjithë titujt ushtarakë dhe të drejtat e patronazhit mbi institucione të ndryshme, pikërisht një ditë pas refuzimit të drejtësisë amerikane për të klasifikuar si dosje civile dhe jo penale, padinë që e akuzon për sulm seksual ndaj një të miture. Ky vendim ka efektet e veta edhe në Kanada. Kësisoj, pa përmendur listën e disa institucioneve private mbi të cilat ai ushtronte patronazhin, ndër të tjera ai nuk do të jetë më kryekolonel nderi i tre regjimenteve kanadeze: The Royal Highland Fusiliers, The Princess Louise Fusiliers dhe Queen's York Rangers.

“Me pëlqimin dhe miratimin e Mbretëreshës, përkatësitë ushtarake dhe patronazhet mbretërore të Dukës së Jorkut iu kthyen Mbretëreshës. Duka i Jorkut nuk do mbajë poste publike dhe do mbrohet si qytetar privat”, thuhet në deklaratën e publikuar të Buckingham Palace, çka linte të nënkuptohet që shpenzimet për avokatët nuk do t’i mbulohen nga Kurora Britanike.

Përpara se të publikohej deklarata e Buckingham Palace, mbi 150 veteranë të ushtrisë britanike i bënë thirrje mbretëreshës që t'i hiqte titujt ish-pilotit të helikopterit, që pat qenë dalluar në vitin 1982 gjatë luftës mes Britanisë dhe Argjentinës për dominimin e ishujve Malvine (Falklands War). Në letrën e tyre, nënshkruesit (të cilët janë pjesë e grupit Republic, kundërshtar i monarkisë) e akuzuan princin se nuk ka respektuar ndershmërinë dhe sjelljen e ndershme, detyrime këto të çdo ushtaraku britanik.

Princi Andrew, 61 vjeç, është paditur pranë një gjykate në Nju Jork nga amerikania Virginia Giuffre, 38 vjeç, e cila e akuzon se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me të kur ajo ishte vetëm 17 vjeç. Sipas padisë së Giuffre, kjo e fundit i pat qenë ofruar princit nga pedofili Jeffrey Epstein (i vdekur në rrethana të paqarta në burg më 10 Gusht 2019), i njohur si mik i dukës së Jorkut.

Princi Andrew i pat mohuar totalisht pretendimet e Virginia Giuffre dhe në vitin 2019, pas një interviste e cila u masakrua me komente nga mediat britanike u tërhoq nga jeta publike.

Vendimi i gjykatës njujorkeze që e konsideron përfundimish padinë si dosje penale, u bë i ditur pak pasi Mbretëresha Elizabeth II shpalli programin e festimeve që do të shënojnë 70 vjetorin e mbretërimit të saj këtë vit, me parada, koncerte dhe konkurse pudingu.

©Flasshqip

Foto: Getty Images/Ian Forsyth