Zgjatet edhe tre vjet misioni trajnues i Ushtrisë Kanadeze në Ukrainë
- Published in Kanada
Kryeministri kanadez Justin Trudeau, bëri të ditur sot (26.01.2022) se operacioni Canadian Armed Forces Joint Task Force-Ukraine, i nisur më 2015 dhe që parashikohej të përfundonte në fund të marsit këtë viti, do të vazhdojë edhe për tre vjet të tjera. Kontigjentit prej 200 ushtarakësh që dërgohen çdo 6 muaj në Ukrainë, do t’i shtohen edhe 60 të tjerë, ndërsa më pas ky numër pritet të shkojë deri në 400 vetë. Njoftimi për këtë vendim, kostoja e të cilit llogaritet rreth 340 milionë dollarë, u bë publik menjëherë pas një takimi virtual të qeverisë dhe pas një diskutimi po ashtu virtual mes kryeministrit kanadez dhe Presidentes së Komisionit të Bashkimit Europian Ursula von de Leyen.
Ditët e fundit, presioni mbi Trudeau për rritjen e masave në favor të Ukrainës ka ardhur duke u shtuar. Kievi i ka kërkuar me këmbëngulje Kanadasë ta furnizojë me armë, por deri tani vendimi është që ndihma të jetë vetëm financiare dhe logjistike, ndër të tjera edhe material si jelekë antiplumb dhe pajisje optike për vëzhgim. “Kanadaja, së bashku me aleatët e saj demokratikë është në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe të gjitha veprimet tona kanë për qëllim uljen e tensionit dhe gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike”, pohoi sot kryeministri, duke shtuar se numri i ushtarëve ukrainas që kanë përfituar trajnim nga ushtria kanadeze prej vitit 2015, e kalon shifrën 32,000. Po ashtu, ai deklaroi edhe një shtëse prej 50 milionë dollarësh që i shtohet kredisë prej 120 milionë dollarësh të akorduar disa ditë më parë në ndihmë të zhvillimit ekonomik të Ukrainës.
Lejtënant-Kolonel Sarah Heer, komandante e misionit ushtarak kanadez në Ukrainë
Vendimi i Trudeau për të mbajtur këtë linjë është kritikuar nga konservatorët e Erin O’Toole në një deklaratë të publikuar po sot. Sipas Partisë Konservatore Kanadeze, armët të cilat fillimisht ishin planifikuar për të furnizuar luftëtarët kurdë në Irakun verior, duhen dërguar në Ukrainë, në ndjekje të shembullit të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Polonisë dhe Republikës Çeke që e kanë furnizuar atë me material luftarak.
Ndërkohë, Trudeau njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim, Ministrja e Mbrojtjes Anita Anand do të udhëtojë drejt Letonisë dhe Ukrainës për t’u takuar me anëtarët e Forcave të Armatosura Kanadeze që operojnë atje.
©Flasshqip.ca
Foto: La Presse Canadienne/Adrian Wyld, Ukrainform