Kanada

Ottawa, Parlamenti dhe Policia në gatishmëri maksimale për manifestimin e kamionistëve

  • Published in Kanada

Ashtu siç kanë raportuar rregullisht gjatë këtyre ditëve të gjitha mediat kanadeze, por edhe rrjetet sociale, disa mijëra protestues priten të mbërrijnë nesër në Ottawa, kryeqytetin federal, si pjesë e grupit “Canada Unity”, i cili vazhdon të bëjë thirrje për heqjen e detyrimit të vaksinimit si dhe kufizimeve për shkak të pandemisë. Edhe pse disa nga drejtuesit e grupit kanë përsëritur thirrje për një manifestim paqësor, disa deklarata nga pjestarë të tjerë të këtij grupimi kanë patur në përmbajten e tyre kërcënime për dhunë.

Në kushtet e kësaj situate, Ministri kanadez i Rendit Publik, Marco Mendicino, ka deklaruar sot (27.01.2022) që “askush nuk do donte që një protestë kundër vaksinimit e planifikuar për t’u mbajtur në Kodrën e Parlamentit (Parliament Hill) këtë fundjavë, të kthehet në një përpjekje të dhunshme për të rrëzuar qeverinë”. Ministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i konsiderojnë demonstruesit si luftëtarë të lirisë, duke theksuar gjithashtu që forca të shumta policore - përfshirë Shërbimin Policor të Ottawa, RCMP dhe Forcat e Sigurisë së Parlamentit - po koordinojnë reagimin dhe po marrin vendimet përkatese të pavarura nga çdo ndikim i qeverisë. Sipas burimeve nga Forcat e Sigurisë së Parlamentit, rreth 10,000 demonstrues pritet të zbresin në qendër të kryeqytetit këtë fundjavë për të protestuar ndaj masave të bllokimit dhe vaksinimit të detyrueshëm të imponuar nga qeveria Trudeau ndaj shoferëve të kamionëve të tonazhit të lartë që kryejnë transportin mes Kanadasë dhe SHBA.

Marco Mendicino

Ndërkohë po sot, një kamion që mbante një pankartë me thirrje kundër kryeministrit Justin Trudeau qarkulloi në qendër të Ottawa dhe shumë automjete të tjerë të ngjashëm priten të mbërrijnë aty gjatë dy ditëve të ardhshme. Edhe pse është e vështirë të bëhen parashikime të sakta mbi numrit e protestuesve apo kundërshtarëve të tyre, Shërbimi Policor i Ottawa i ka paralajmëruar banorët që të shmangin daljet nëpër qytet gjatë fundjavës, sepse shumë arterie rrugore mund të jenë të bllokuara. “Jemi të vetëdijshëm për komentet e papërshtatshme dhe kërcënuese të bëra në mediat sociale në lidhje me këtë protestë. Ne mirëpresim protestat paqësore. Thënë kështu, siguria publike është parësore, ndaj dhe do të ketë pasoja për ata që përfshihen në akte kriminale, dhunë dhe aktivitete që nxisin urrejtjen”, ka deklaruar policia e Ottawa në Twitter

Në një memo dërguar nga Shërbimi i Mbrojtjes së Parlamentit për deputetët dhe stafin, njoftohet që korsia rrugore ngjitur më Parliament Hill do të mbyllet për qarkullimin, ndërsa dy korsitë më të largëta do të rezervohen për protestuesit dhe dy të tjera duhet të qëndrojnë të lira vetëm për kalimin e automjeteve të urgjencës. Nga nesër (28.01.2022), ndërtesat parlamentare do mbahen të mbyllura dhe të rrethuara me gardh hekurash. Oficeri Patrick McDonell, përgjegjës për sigurinë e Dhomës së Komunave, ka parlajmëruar gjithashtu në memo që disa protestues po kërkojnë adresat e shtëpive për deputetët në zonën e Ottawa. McDonell ka udhëzuar që në rast shënjestrimi të ndonjë banese apo zyre deputeti, duhen mbyllur të gjitha dyert e jashtme, duhet shkuar në një vend të sigurt dhe nëse situata bëhet e paqëndrueshme dhe siguria është në rrezik, të telefonohet menjëherë 911 dhe të merret parasysh evakuimi i vendndodhjes.

Nga ana e tij, grupimi “Canada Unity” vazhdon ti bëjë thirrje Guvernatores së Përgjithshme dhe Senatit që të urdhërojnë qeverinë federale dhe të gjitha qeveritë provinciale dhe territoriale që të heqin të gjitha kufizimet shëndetësore në lidhje me COVID-19, të heqin dorë nga të gjitha gjobat që lidhen me këto masa dhe të anulojnë pasaportën vaksinale, sipas tyre “e paligjshme”. Por Ministri i Rendit Publik, Mendicino, i ka deklaruar The Canadian Press që asnjë nen në Kushtetutë nuk autorizon urdhra të tillë dhe nisur nga deklarimet e organizatorëve, askush nuk duhet të ketë iluzionin se kjo është një protestë për liri. Sipas ministrit, grupi në fjalë është një grup ekstremist i margjinalizuar, shumë pjestarë të të cilit nuk janë kamionistë, por njerëz që përhapin gënjeshtra për vaksinat, për punonjësit e kujdesit shëndetësor si dhe për mediat. “Shumica dërrmuese e kanadezëve i refuzojnë këto pikëpamje ekstremiste dhe e kuptojnë që nëse vërtetë duam mbrojtjen e lirive tona, vaksina dhe ekzigjenca e vaksinimit janë mënyra më e mirë për të na nxjerrë nga pandemia”, ka pohuar ai.

Kujtojmë që prej 15 Janarit 2022, kamionistët janë të detyruar t’i nënshtrohen vaksinimit. Kjo do të thotë që kamionistët e huaj nuk lejohen të hyjnë në Kanada nëse nuk janë të vaksinuar, ndërsa kamionistët e pavaksinuar kanadezë duhet të karantinohen për 14 ditë pas kthimit në Kanada. Ndërkohë, rregulli i SHBA-së që ndalon kamionistët e pavaksinuar kanadezë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi më 22 janar 2022.

Nga ana e saj, organizatorja kryesore e manisfestimit të kamionistëve Tamara Lich, nga momenti që u shfaqën pikëpamje më ekstreme brenda dhe rreth lëvizjes, u ka kërkuar pjesëmarrësve të autokolonës të mos tolerojnë dhunën ose vandalizmin dhe të raportojnë menjëherë numrin e kamionit dhe targat e cilitdo që nxit dhunë ose urrejtje. Tamara Lich është anëtare e Partisë Perëndimore Kanadeze Maverick, që kërkon autonomi më të madhe për Kanadanë Perëndimore, madje edhe pavarësi.

Por, sipas The Canadian Press, ekzistojnë faktë qe të bëjnë të besosh që disa pjesëmarrës të autokolonës janë simpatizantë të ideologjisë supremaciste të bardhë, dhe në një video në YouTube, e cila më vonë u hoq, shikohej një person i cili bënte thirrje që protesta të shndërrohet në një kopje të sulmit ndaj ndërtesës së Kapitolit në Uashington, një vit më parë. Po kështu, në një video të postuar në faqen Facebook të grupit “Canada Unity”, dëgjohet një fans që deklaron se “dështimi nuk është një opsion sikurse dhe dorëzimi nuk është një opsion”.

Ndërsa kryeministri Trudeau e ka konsideruar manisfestimin “një minoritet i vogël i magjinalizuar (deklaratë e cila provokoi shumë reagime negative ndaj tij në Facebook nga mbështetësit e manifestimit) lideri konservator Erin O'Toole ka deklaruar se do të takohet me disa nga kamionistët e autokolonës, duke ndryshuar kësisoj pozicion, pasi fillimisht pat hezituar të pohonte nëse e mbështeste apo jo përpjekjen e tyre. O'Toole, në prononcimin e tij më të fundit ka kujtuar se ai dhe deputetët e tij i kanë mbështetur kamionistët dhe kanë kundërshtuar prej kohësh vaksinimin e detyrueshëm me të cilin ata po përballen tani. Njëkohësisht ai është deklaruar kategorikisht kundër veprimeve të dhunshme dhe qëndrimeve ekstremiste.

Ndërkohë, Aleanca Kanadeze e Kamionëve është distancuar nga ky demonstrim dhe ka pohuar se më shumë se 85% e kamionistëve kanadezë janë të vaksinuar. Nga ana e tyre, një numër kamionistësh kanë deklaruar edhe në rrjetet sociale se kanë vazhduar të bëjnë punën e tyre dhe se kjo autokolonë nuk i përfaqëson ata.

Sipas zëdhënësit të Policisë Provinciale të Ontarios, Bill Dikson, policia po monitoron të gjitha autokolonat, por nuk do deklarojë për momentin shifra në lidhje me pjesëmarrjen sepse situata është në evoluim të vazhdueshëm. Nesër dhe të shtunën sigurisht do shihet më qartë produkti i kësaj lëvizjeje dhe efektet përkatëse.

©Flasshqip me informacion nga The Canadian Presse

Fotot: The Canadian Presse/CBC