Quebec City - Priten autokolona dhe manifestime kundër kufizimeve këtë fundjavë
- Published in Kanada
Pas manifestimit në Ottawa që nisi fundjavën e kaluar, nga e enjtja e kësaj jave pritet të nisin protesta kundër kufizimeve shëndetësore edhe në kryeqendrën e provincës frankofone Quebec City. Protesta e pas dy ditëve njoftohet se do të mbahet para selisë së Parlamentit provincial.
Në rrjetet sociale janë publikuar ftesa që u bëjnë thirrje qytetarëve të manifestojnë për të kërkuar ndërprerjen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe shfuqizimin e masave shëndetësore. Sipas informacionit të publikuar nga Radio-Canada, disa mijëra persona kanë konfirmuar tashmë praninë e tyre në rrjetet sociale. Gjithashtu, disa autokolona kamionësh dhe makinash janë planifikuar të nisen nga disa qytete në drejtim të Quebec City, ku planifikohen të mbërrijnë diku nga pasditja e të shtunës.
Shërbimi i Policisë së qytetit ka deklaruar së është në dijeni për mbërritjen e protestuesve, por njëkohësisht ka konfirmuar që ende nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga organizatorët.
Thirrje për pjësëmarrje kanë bërë edhe disa sindikalistë nga sektori i ndërtimit, pavarësisht se Federata e sindikatave përkatëse është distancuar nga këto pozicionime individuale, duke mbështetur megjithatë të drejtën e anëtarëve të saj për të protestuar.
Një rrjet tjetër që ka deklaruar prezencën në protestat e pritshme në Quebec City është ai me emrin “Për fundin e gjendjes së emergjencës në Québec”, faqja në Facebook e të cilit administrohet nga Isabelle Villeneuve.
Nga ana e tyre, disa përfaqësues të politikës, si shefja e Liberalëve Dominique Anglade, zëdhënësi i Québec solidaire Gabriel Nadeau-Dubois dhe kreu i Partisë Konservatore provinciale, Éric Duhaime, janë shprehur sot (01.02.2022) në favor të të drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar dhe për të shprehur lirisht mendimin e tyre. Ata gjithashtu kanë bërë thirrje që protestat të zhvillohen paqësisht.
Po sot, në një konferencë shtypi, kryeministri François Legault pohoi që kabineti i tij ka komunikuar me shërbimet e sigurisë në Asamblenë Kombëtare dhe mbajti të njëjtën linjë si opozita lidhur me protestën qytetare të fundjavës.
©Flasshqip.ca












