Ç’po ndodh në Ottawa? Shefi i Policisë së kryeqytetit kërkon ndihmë
- Published in Kanada
Gati po mbushet java që nga mbërritja e grupeve të para të protestuesve në kryeqytetin e Kanadasë. Sot, organizatorët e “Freedom Convoy” kanë deklaruar nga Ottawa në një komunikatë për mediat, se ata synojnë të vazhdojnë manifestimin e tyre “për aq kohë sa do duhet”, derisa “qeveritë në të gjithë Kanadanë t'i japin fund të gjitha masave shëndetësore që lidhen me COVID-19”.
Ky manifestim, që bashkoi kamionistë dhe qytetarë nga gjithë vendi, të cilët kundërshtojnë kufizimet shëndetësore kundër COVID-19, po zhvillohet në qendër të kryeqytetit federal, pranë Parliament Hill, prej gjashtë ditësh. Në deklaratën e tyre, organizatorët kanë shprehur po ashtu keqardhjen e tyre për faktin që u kanë sjellë shqetësim qytetarëve të Ottawa si dhe kanë theksuar që mesazhi i tyre për të gjithë banorët e kryeqytetit “është një mesazh empatie”. “Ne e kuptojmë zhgënjimin tuaj dhe sinqerisht dëshirojmë që të kishte një mënyrë tjetër për ne për të përcjellë mesazhin tone”, pohoi nga ana e tij edhe Chris Barber, një nga drejtuesit e protestuesve. Sipas tij, mënyra më e shpejtë për t’i nxjerrë nga kryeqyteti i vendit kamionistët, është që qytetarët t’u telefonojnë deputetëve dhe t’u kërkojnë suprimimin e kufizimeve shëndetësore.
Kryepolici i Ottawa Peter Sloly
Ndërkohë, Policia e Ottawa, po sot, përmes deklaratës se shefit të saj, Peter Sloly, në komunikim me këshilltarët bashkiakë, ka ripërsëritur se po përpiqet maksimalisht të zgjidhë situatën dhe në mënyrë të përsëritur u ka kërkuar kamionistëve të kthehen në qytetet e tyre për t’i dhënë fund paralizimit të qendrës së kryeqytetit kanadez. Por kryepolici i Ottawa ka pohuar dhe diçka të re, faktin që zgjidhja e krizës nuk është më në dorën e forcave që ai drejton, të cilat nuk nguroi të deklarojë se janë të lodhura në ekstrem. Ai ka përmendur gjithashtu përfshirjen e njerëzve nga Shtetet e Bashkuara në mbështetje të kamionistëve, si në aspektin e financimit ashtu edhe të organizimit të protestës së tyre.
“Kjo ngjarje është lokale dhe prek banorët e Ottawa, por është edhe provinciale, kombëtare dhe gjithnjë e më shumë ndërkombëtare”, është shprehur fjalë për fjalë numri një i Policisë së kryeqytetit. Nga ana e saj, Catherine McKenney, këshilltare e bashkisë Ottawa, i ka bërë thirrje kryepolicit dhe kryetarit të Bashkisë Jim Watson, të kërkojnë ndërhyrjen e Xhandarmërisë Mbretërore Kanadeze (Policisë Federale) për t’i dhënë fund gjëndjes në Parliament Hill. Duket se topi është hedhur në fushën e kryeministrit Trudeau, i cili edhe sot vazhdoi drejtimin e qeverisë virtualisht, për shkak të izolimit që nga java e kaluar dhe pas deklarimit në Twitter se ishte testuar pozitiv. Të presim zhvillimet e mëtejshme...
©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada
Fotot: Radio Canada