Kanada

Refuzojnë vaksinën: 58 ushtarakë të dëbuar dhe 246 të pezulluar nga ushtria kanadeze

  • Published in Kanada

Sipas burimeve nga Ministria e Mbrojtjes Kanadeze, mësohet se për shkak të refuzimit të vaksinimit deri tani janë dëbuar nga radhët e Forcave të Armatosura 58 ushtarakë të rangjeve të ndryshme dhe ndërkohë. disa qindra të tjerë rrezikojnë të kenë të njëjtin fat. Vitin që shkoi, sipas urdhërit të Shefi të Shtabit të Mbrojtjes, gjeneralit Wayne Eyre, i gjithë përsoneli ushtarak duhej të vaksinohej plotësisht deri në mes të Tetorit, afat që u u shty më pas deri në mes të Dhjetorit.

Dikasteri i Mbrojtjes, përmes zëdhënësit, Daniel Le Bouthillier njoftoi sot (03.02.2022) që 98% e këtij personeli tashmë është vaksinuar, ndërsa pjesa e mbetur që ka refuzuar urdhërin do jetë e detyruar të largohet nga radhët e ushtrisë. Përveç 58 të dëbuarve, 246 ushtarakë të tjerë kanë marrë njoftimin e e pezullimit dhe nëse nuk ndyshojnë mendje do pësojnë të njejtin fat. Ndërkohë, 66 të tjerë që nuk kishin pranuar të vaksinoheshin kanë flakur kapelen dhe janë larguar me vullnetin tyre të plotë, pa pritur të merrnin urdhërin e përjashtimit. Ky informacion nuk përfshin numrin e rezervistëve të dëbuar deri tani, apo të atyre pë të cilët ka nisur procedura e largimit me detyrim.

Gjeneral Wayne Eire

Nisur nga informacione të mëparshme, analistë të fushës mendojnë se këto masa pa precedent mund të përkeqësojnë akoma më tej mungesën e vazhdueshme të personelit ushtarak, që u rrit në shifra gjatë periudhës së pandemisë dhe për pasojë disa qendra rekrutimi dhe shkolla ​​trajnimi u detyruan të mbyllen ose të kufizojnë aktivitetet e tyre.

Sipas politikës së Mbrojtes në fuqi të Kanadasë, Forcat e Armatosura të saj duhet të kenë në gjendje operacionale rreth 100,000 ushtarë dhe oficerë, por të dhenat nga Ministria e Mbrojtjes të Nëntorit 2021 konfirmonin mungesën e rreth 12,000 ushtarakëve dhe rezervistëve ende të parekrutuar si dhe faktin që rreth 10,000 të tjerë llogariteshin të padisponueshëm për shërbim, sepse ose nuk ishin të trajnuar siç duhet, ose ishin të sëmurë ose ende të plagosur.

Faktet e mësipërme bëhen publike në një moment kur për shkak të emergjencave natyrore apo shëndetësore si dhe situatave problematike në rajone të ndryshme të botës, kërkesat për ndërhyrjen e ushtrisë kanadeze mund të vijnë gjithnjë e më tepër në rritje.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Tyson Koschik