“Ottawa në rrethim”, deklaron kryepolici i kryeqytetit kanadez Peter Sloly
- Published in Kanada
Sipas Shërbimit Policor të Ottawa, të paktën 5,000 qytetarë kanë manifestuar sot (05.02.2022) në qendër të kryeqytetit të Kanadasë në Parliament Hill. Më shumë se 1000 automjete u parkuan në rrugë dhe rreth 300 kundërprotestues tentuan naga ana e tyre të shprehin qëndrimin e tyre kundër protestës së nisur prej gati dy javësh, protestë e cila kërkon shfuqizimin e masave kufizuese shëndetësore të qeverisë Trudeau.
Peter Sloly
“Ottawa është nën rrethim”, ka deklaruar kryepolici Peter Sloly, gjatë një takimi urgjent të mbajtur gjatë orëve të pasdites së sotme me ekipin drejtues të Policisë së kryeqytetit. Sipas Sloly, thuajse të gjitha trupat policore janë të vendosura në qendër dhe pritet që atyre t’u shtohen edhe rreth 250 vetë nga Xhandarmëria Mbretërore Kanadeze. Nga 20 deri 25 policë patrullojnë 24 orë në ditë në çdo lagje dhe kjo formë mbulimi do vazhdojë të paktën deri të henën. Pas të hënës çdo gjë varet nga evoluimi i situates.
“Është vërtetë një kohë e vështirë. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi me fuqitë që kemi për të garantuar sigurinë e banorëve të qytetit. Duam të bëjmë më të mirën, por nuk mund ta mbyllim të gjithë qytetin, sepse një veprim i tillë e përkeqëson situatën. Në qendër, zhvillimi i manifestimit sot ka qenë disi kaotik, por atmosfera mbetet relativisht e qetë në krahasim me atë që u vu re fundjavën e kaluar.”, ka pohuar kreu i Policisë së Ottawa.
Ndërkohë, mësohet se policia ka zgjeruar perimetrin e sigurisë, ka shtuar disa barrikada më tepër në zonën rreth Parlamentit federal, ka vazhduar të gjobisë kamionistët dhe ka nisur edhe një seri hetimesh për persona të veçantë.
Nga ana e qeverisë federale, vazhdon konfirmimi që asnjë kërkesë e protestuesve nuk do të plotësohet. Po kështu, Policia ka pohuar sot që kanalet e komunikimit me protestuesit mbeten të hapura, por do të duhet një ndërhyrje nga një autoritet më i lartë për t'i dhënë fund këtij rrethimi. “Protestuesit nuk duan të flasin me policinë, ata duan të flasin me kryeministrin”, ka deklaruar numri dy i Shërbimit Policor të Ottawa, Patricia Ferguson.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian-Press, Radio-Canada