Kanada

Protesta në Ottawa: Kryebashkiaku Jim Watson shpall gjendjen e jashtëzakonshme

  • Published in Kanada

Kryebashkiaku Jim Watson ka shpallur sot pasdite (06.02) gjendjen e jashtëzakonshme për qytetin e Ottawa-s, si pasojë e protestës së kamionistëve që vazhdon aty prej dhjetë ditësh, për të kundërshtuar masat kufizuese të qeverisë së Justin Trudeau për shkak të pandemisë.

“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme reflekton rrezikun e lartë si dhe kërcënimin për sigurinë e banorëve nga protestat e vazhdueshme”, njofton komunikata Bashkisë së kryeqytetit kanadez, komunikatë në të cilën theksohet dhe nevoja për mbështetje nga juridiksione dhe nivele të tjera të qeverisjes.

Marrja e këtij vendimi, sipas kreut të Bashkisë, Watson, gjithashtu ofron fleksibilitet më të madh brenda administrates bashkiake për t’i mundësuar asaj të menaxhojë dhe lehtësojë vazhdimësinë e bizneseve, për të siguruar shërbimet thelbësore për banorët, si dhe për të mundësuar një proces prokurimi më efikas, fleksibël, duke përshpejtuar kështu blerjen e pajisjeve të nevojshme për punonjësit e terrenit dhe ata që duhet të ndërhyjnë të parët sa herë paraqitet nevoja.

Jim Watson

Ky njoftim vjen në ditën e dhjetë të protestës së kamionistëve në Ottawa, që e e ka paralizuar thuajse totalisht qendrën e kryeqytetit federal.

Policia e Ottawa, që sot ka vënë mbi 450 gjoba, ndërkohë ka njoftuar në Twitter se cilido person që do tentojë të furnizojë manifestuesit me karburant apo diçka tjetër do të arrestohet.

https://twitter.com/OttawaPolice/status/1490422618230603776?s=20&t=7_iWsSIFGk3Hhq9DiAP31g

Nga ana e tyre organizatorët e protestës e kanë akuzuar kryebashkiakun Watson se po tenton t’u ndërpresë atyre dhe të drejtën për t’u ushqyer dhe po synon të krijojë një klimë frike te manifestuesit.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada