Kryebashkiaku i Ottawa Watson, dialogon me Tamara Lich të Freedom Convoy
- Published in Kanada
Ndërkohë që qindra kamionë e kanë bllokuar qendrën e kryeqytetit federal prej 17 ditësh, Bashkia Ottawa ka deklaruar sot (13.02) arritjen e një marrëveshje me drejtuesit e lëvizjes protestuese kundër kufizimeve shëndetësore të vendosura nga qeveria federale dhe provincat. Marrëveshja parashikon heqjen e kamionëve të tonazhit të rëndë nga zonat e banuara dhe nga një pjesë e qendrës së qytetit brenda 24 orëve të ardhshme.
“Për mua, prioritet janë banorët e Ottawa. Rreth 10,000-15,000 njerëz jetojnë në qendër dhe në pjesën e poshtme të qytetit. Si kryetar i bashkisë, është e rëndësishme për mua që të vazhdoj t’i ndihmoj banorët e këtyre zonave”, ka komentuar kryebashkiaku Jim Watson lidhur me marrëveshjen, gjatë një interviste për Radio-Canada sot në mbrëmje. Watson madje theksoi që negociatat janë duke u zhvilluar prej të paktën katër ditësh me përfaqësuesit e protestuesve përmes një ndërmjetësi.
Kryetari i Bashkisë së Ottawa mësohet se i ka dërguar edhe një letër Tamara Lich, njerës prej drejtuesve të Freedom Convoy, letër ku kërkohej largimi i kamionëve që ndodhen në lagjet e banuara. “Dua të shoh prova të qarta se kolona e kamionëve do të largohet nga zonat e banuara deri në mesditën e së hënës së 14 shkurtit. Ju kërkoj të bashkëpunoni me autoritetet për të mbrojtur komunitetin aty pranë gjatë daljes së autokolonës”, shkruhet në letrën e Jim Watson, që mban datën 12 shkurt.
Nga ana e saj, Tamara Lich, është treguar e hapur për bashkëpunim, duke i dhënë kryebashkiakut Watson mesazhin se do të bëhen përpjekje për të plotësuar kërkesën e tij, por duke theksuar se për këtë duhen bindur edhe kamionistët.
“Freedom Convoy pajtohet me kërkesën tuaj për të ulur presionin ndaj banorëve dhe bizneseve në qytetin e Ottawa. Ne kemi përpunuar një plan për t’i përqëndruar përpjekjet tona të protestës vetëm rreth Kodrës së Parlamentit. Ne do të punojmë shumë gjatë 24 orëve të ardhshme për të marrë dhe miratimin e kamionistëve. Shpresojmë të fillojmë t’i lëvizim kamionët tanë të hënën”, janë fjalët e përgjigjes së shkruar të Tamara Lich për Kryetarin e Bashkisë Jim Watson.
Ndërkohë, sipas kryebashkiakut, operacioni i zhvendosjes mund të zgjasë nga 24 deri në 72 orë. Disa automjete nuk do të largohen nga qyteti dhe për këtë arsye mund të zhvendosen në Sir-John-A.-Macdonald Parkway, ku shumë kamionë janë parkuar tashmë që nga dita e parë e protestave, 28 janar.
Kryetari Watson ka deklaruar gjithashtu se do të takohet personalisht me Tamara Lich “në kohën e duhur, nëse përmbushen angazhimet e marrëveshjes së arritur”.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada