Parlamenti i Quebéc refuzon unanimisht aplikimin e gjendjes së emergjencës në territorin e provincës
- Published in Kanada
Në vijim të kundërshtimit të shprehur nga kryeministri i provincës François Legault dhe në kundërpërgjigje ndaj dekretit të shpallur nga kryministri Liberal Justin Trudeau, Parlamenti i Québec miratoi sot (15.02) unanimisht dhe pa debat një mocion që i kërkon qeverisë federale kanadeze të mos zbatojë Aktin e masave urgjente në territorin e vet.
Mocioni u propozua para deputetëve nga lideri parlamentar i Québec Solidaire, Gabriel Nadeau-Dubois, i cili para një dekade udhëhoqi protestat e studentëve në Montréal, si pasojë e të cilave u largua nga pushtetit qeveria Liberale e Jean Charest.

Gabriel Nadeau-Dubois
Në një konferencë shtypi, Nadeau-Dubois, shprehu shetësimin për ngjarjet në Ontario dhe në disa pika kufitare kalimi, por njëherazi theksoi që në territorin e Québec asnjë lloj arsyeje nuk e justifikon aplikimin e gjendjes së emergjencës. Ai ka vlerësuar gjithashtu faktin që të gjitha forcat politike në provincë kanë folur me një zë duke i përcjellë kësisoj një mesazh shumë të qartë kryeministrit të vendit.
Megjithatë, edhe pse e ka refuzuar dekretin e Justin Trudeau, Parlamenti i Québec ka afirmuar në mocionin e miratuar sot, rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis qeverisë federale dhe qeverisë së Québec, në veçanti për të garantuar paqen dhe sigurinë e qytetarëve të rajonit të Outaouais, qendrën e të cilit Gatineau me kryeqytetin federal Ottawa e ndaj vetëm lumi me të njëjtin emër.
©Flasshqip.ca
Fotot: Radio-Canada












