Kanada

Ottawa - Nesër nis debati parlamentar për masat e jashtëzakonshme

  • Published in Kanada

Qeveria Trudeau i ka kërkuar zyrtarisht deputetëve federalë të miratojnë aplikimin e dispozitave të Ligjit për masat e jashtëzakonshme (Akti i Masave Urgjente) për zgjidhjen krizën së shkaktuar nga lëvizja protestuese pan-kanadeze kundër kufizimeve shëndetësore.

Për ketë qëllim, Ministri i Rendit Publik, Marco Mendicino, ka depozituar sot në Dhomën e Komunave një kërkesë zyrtare, vetëm një ditë pas publikimit të dekreteve të qeverisë për zbatimin e dispozitave të ligjit të sipërpërmendur.

Kjo është hera e parë në Kanada që një qeveri përdor Aktin e Masave Urgjente, që zëvendësoi ligjin e abroguar të Masave të Luftës në vitin 1988. Nga juristët për këtë ligj është përdorur dhe një krahasim figurativ që u artikulua këto ditë nga analistë të medias dhe politikanë. Sipas ekpertëve, Akti i Masave Urgjente cilësohet si “armë atomike” legjislative

Aplikimi i këtij ligji, i vendosur nga Justin Trudeau qysh të hënën e kaluar (14.02), ndalon veçanërisht tubimet publike që mund të pengojnë lëvizjen e njerëzve ose mallrave, cënojnë tregtinë ndërkombëtare, kërcënojnë infrastrukturat kritike apo gjenerojnë akte dhune. Mbi bazën e dekreteve mund të bllokohen edhe llogari bankare apo sekuestrohen pasuri të tjera materiale, si për shembull një kamion.

Masat e jashtezakonshme hynë në fuqi pas dekreteve qeveritare dhe kanë një kohështrirje 30 ditore. Ato mund të shfuqizohe nga qeveria para këtij afati ose të refuzohen nga shumica e e dy dhomave të Parlamentit kanadez.

Debati në Dhomën e Komunave fillon nesër (17.02) dhe parashikohet të jetë i ndezur, por pritet që kërkesa e Trudeau të miratohet me ndihmën e votave të NDP të Jagmeet Singh. Konservatorët dhe Blloku i Québec do të votojnë kundër.

Megjithatë, votimi në Dhomën e Komunave nuk do të thotë që masat e jashtëzakonshme të konsiderohen të miratuara. Për këtë duhet dhe vota e shumicës së Senatit, ku debati do të zhvillohet të premten. Është fakt i njohur që senatorët përgjithësisht kanë më shumë pavarësi në vendimmarrje se kolegët e tyre deputetë, madje, shumë prej tyre kanë shprehur rezervat e tyre tashmë edhe në media, sepse mendojnë që aplikimi i këtyre masave mund të krijojë një precedent me të cilin mund të abuzohet në të ardhmen.

Sipas Aktit të Masave Urgjente, qeveria është e detyruar që brenda shtatë ditëve nga dekretimi i tyre të marrë miratimin e pushtetit legjislativ. Gjatë debatit të dy ditëve të ardhshme, çdo deputeti apo senatori i rezervohet e drejta të propozojë ndryshime.

Kujtojmë që kundër veprimit të Trudeau për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme janë shprehur publikisht kundër kryeministrat e provincave Alberta, Saskatchewan, Manitoba, Québec dhe New Brunswick. Të vetmit që e kanë përkrahur Trudeau janë kryeministri i British Columbia dhe ai i Ontarios. Ndërkohë Asambleja Legjislative e Québec votoi unanimisht një mocion që refuzon aplikimin e masave të jashtëzakonshme në territorin e provincës frankofone. Megjithatë, këto qëndrime kanë më tepër karakter simbolik, sepse Ligji i Masave të Urgjencës është mbi legjislacionet provincialë në hierarkinë e normave juridike të Kanadasë si shtet federal.  

©Flasshqip.ca