Shoqata Kanadeze për të Drejtat Qytetare i cilëson antikushtetuese masat e jashtëzakonshme
- Published in Kanada
Shoqata Kanadeze për të Drejtat Qytetare ka bërë të ditur sot (17.02) se do t’i drejtohet gjykatave për të kërkuar vlerësimin e vendimit të qeverisë Trudeau për të aplikuar Aktin e Masave Urgjente si mjet për t'i dhënë fund lëvizjes opozitare të kamionistëve. Kjo organizatë jofitimprurëse ka si mision mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe kushtetetuese. Sipas avokates Ewa Krajewska, përfaqësues e shoqatës në këtë çështje, “argumentat e qeverisë se ngjarjet e fundit përbëjnë një krizë kombëtare që krijon një kërcënim për sigurinë e Kanadasë, nuk janë bindës për të vendosur masa të jashtëzakonshme”.
Shoqata Kanadeze për të Drejtat Qytetare ka theksuar se ky rekurs është veçanërisht i rëndësishëm për faktin se është i pari ndaj një ligji që nuk është aplikuar asnjëherë qysh kur është miratuar në vitin 1988. Synimi i rekursit është të mos lejojë cënimin nga ana e qeverisë të të drejtave që garantohen nga Karta Kanadeze e të Drejtave dhe Lirive.
Situata në Ottawa është e ndërlikuar, e vështirë dhe e dhimbshme, veçanërisht për grupet e margjinalizuara që kanë qenë viktima të bullizmit racor ose homofobik”, ka deklaruar për Radio-Canada drejtoresha e shoqatës në fjalë Noa Mendelsohn Aviv. Megjithatë, ajo është shprehur që të gjitha nivelet e qeverive i kanë mjetet e nevojshme për t'u përballur me situatën dhe përdorimi i ligjit për masat e jashtëzakonshme është i padobishëm, i pajustifikueshëm dhe antikushtetues.
Noa Mendelsohn Aviv
Ndërkohë, edhe pse kryeministri Trudeau ka deklaruar që “shtrirja e këtyre masave do të jetë e kufizuar në kohë, e kufizuar gjeografikisht, e arsyeshme dhe proporcionale në raport me kërcënimin e sigurisë së Kanadasë”, ky premtim nuk e bind Shoqatën Kanadeze të Drejtave Qytetare, që ka theksuar se teksti i dekreteve nuk e kufizon shtrirjen e tyre në qytete ose provinca të caktuara. Bazuar në ketë fakt, këto masa mund të kenë efekt mbi të gjithë qytetarët kanadezë dhe territorin në tërësi, duke përfshirë provincat, kryeministrat e të cilave kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për dispozitat e parashikuara nga Akti i Masave Urgjente.
Në veçanti shoqata ka shprehur shqetësim edhe për dispozitat që lejojnë ngrirjen e llogarive bankare dhe komunikimin e informacionit financiar personal, pa pasur asnjë shqyrtim gjyqësor. Po ashtu Shoqata Kanadeze për të Drejtat Qytetare ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së të drejtës për të demonstruar në demokraci.
“Një protestë që për qeverinë mund të jetë e paligjshme, si p.sh. bllokimi i një gazsjellësi ose okupimi i një vendi publik, mund të jetë gjithashtu mënyra më efektive për qytetarët pa pushtet për të rritur ndërgjegjësimin” ka pohuar drejtoresha e shoqatës Mendelsohn Aviv.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada