Ottawa - Arrestohen Tamara Lich dhe Chris Barber, drejtuesit e Freedom Convoy
- Published in Kanada
Sipas informacioneve të CBC, dy nga organizatorët e protestës së kamionistëve në Ottawa, Tamara Lich dhe Chris Barber, janë arrestuar sot pasdite (17.02).
Lich dhe Barber, të cilët aktualisht po mbahen në ambientet e paburgimit të Shërbimit Policor të Ottawa, pritet të përballen me akuza penale. Ata njihen si dy nga drejtuesit kryesorë të protestës në kryeqytetin federal, që tashmë ka hyrë në ditën e saj të 21-të.
Ata janë gjithashtu dy nga tre personat, sëbashku me Benjamin Dichter, të përmendur në padinë e depozituar në Gjykatën e Lartë të Drejtësisë në Ontario nga avokati Paul Champ.

Tamara Lich konfirmoi për The Canadian Press se ajo ishte prezent kur u arrestua Chris Barber. Ajo pohoi gjithashtu se ishte dorëhequr, e gatshme për të shkuar në burg dhe konfirmoi që llogaria e saj personale bankare tashmë është ngrirë.
Nga ana e tij, në fillim të këtij muaji, Chris Barber iu përgjigj kritikave mbi faktin që protesta po ndikonte negativisht tek banorët e Ottawa-s duke deklaruar që organizatorët ndjenin empati për banorët e qytetit. “Ne e kuptojmë zhgënjimin tuaj dhe sinqerisht do dëshironim që të kishte një mënyrë tjetër për ne për të përcjellë mesazhin tonë”, kanë qenë fjalët e tij.
Ndërkohë Policia e Ottawa nuk e ka konfirmuar arrestimin e Chris Barber apo Tamara Lich. Në një deklaratë me shkrim, policia ka theksuar që “nuk mund të konfirmojmë një hetim të nisur apo një arrestim të një personi, për sa kohë nuk ka padi penale të depozituar”.
Pas dekretimin të gjendjes së jashtëzakonshme nga Qeveria Trudeau, Policia e Ottawa e ka rritur presionin ndaj protestuesve dhe ka njoftuar që një operacion i madh policor do të zhvillohet për të zhbllokuar rrugët e qendrës së kryeqytetit nga kamionët. Policia ka vendosur gjithashtu një perimetër sigurie në qendër për të parandaluar hyrjen e demonstruesve, duke specifikuar që tani është e ndaluar të shkosh aty për të marrë pjesë në aktivitete të paligjshme. Mbetet për t’u pare si do shkojnë zhvillimet e mëtejshme, ndërkohë që vazhdon debati parlamentar për miratimin ose hedhjen poshtë të dekreteve për masat e jashtëzakonshme.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Reuters/Patrick Doyle












