Kanada

Rinis në Ottawa debati parlamentar për masat e jashtëzakonshme - Votimi të hënën

  • Published in Kanada

Ndërkohë që Policia e Ottawa vazhdon të ngushtojë rrethimin ndaj manifestuesve, sot (19.02) rinisi herët në mëngjes dhe debati në Dhomën e Komunave. Qeveria Trudeau ka njoftuar qysh në fillim akordimin e një shumë prej 20 milionë dollarësh në ndihmë të bizneseve të Ottawa. Nga kjo shumë, deri në masën 10,000 dollarë pritet të përfitojnë kryesisht bizneset e vendosura në qendër të kryeqytetit.

Edhe pse masat e jashtëzakonshme nuk janë miratuar ende nga Parlamenti Federal, Ministri i Rendit, Marco Mendicino, ka ripërsëritur se ato do mbeten në fuqi për aq kohë sa do të gjykohen të nevojshme. Sipas këtij të fundit, deri tani janë bllokuar 76 llogari bankare bazuar në Aktin e Masave Urgjente, për një shumë totale prej rreth 3.2 milionë dollarësh. Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë, David Lametti, ka refuzuar të bëjë publik informacionin se kujt i përkasin këto llogari bankare.

Siç pritej, edhe gjatë ditës së sotme, në Dhomën e Komunave janë përplasur mendime të kundërta rreth aplikimi për herë të parë të Aktit të Masave Urgjente të miratuar qysh në vitin 1988.

Nëse, nga njëra anë, deputetët që e kundërshtojnë përdorimin e një mase të tillë dhe mbrojnë të drejtën për të manifestuar duke gjykuar se përdorimi i këtij ligji nuk justifikohet pasi ekzistojnë dispozita të tjera, ministrat dhe deputetët Liberalë, nga ana e tyre, kanë përsëritur refrenin që organizatorët e lëvizjes protestuese duan të përmbysin qeverinë dhe se është gjithashtu e nevojshme të rivendosen të drejtat e banorëve të Ottawa-s. Qeveria ka insituar sërish, se pa përdorimin e këtij ligji, deputetët nuk do të mund të ktheheshin në parlament.

“Kanadaja ka përjetuar disa kriza, duke përfshirë atë të Oka-s në 1990 në Québec, pa patur nevojë të përdorë Aktin e Masave Urgjente”, ka theksuar deputeti konservator Doug Shipley, i cili e ka kritikuar ashpër ndërhyrjen e shtetit në privatësinë e kanadezëve. “Përgjigja ndaj anarkisë nuk mund të jetë me anarki”, tha një tjetër deputet konservator, Adam Chambers. “Qeveria na kërkon të pezullojmë disa ligje për t'u marrë me ata që thyejnë ligje të tjera”, këmbënguli ai. “Ajo që duhet të ishte vetëm një anekdotë, u kthye në një episod të historisë kanadeze”, argumentoi deputetja e Bllokut Québécois, Kristina Michaud, e cila  e krahasoi përdorimin e Aktit të Masave Urgjente me hapjen e kutisë së Pandorës.

Katërcipërisht ndryshe nga reagimet e Konservatorëve dhe të Bllokut të Québec, kanë qenë reagimet e disa deputetëve të NDP, që siç ka pohuar Jagmeet Singh, pritet t’i japë një dorë qeverisë në minorancë të Trudeau, duke ia miratuar masat e jazhtëzakonshme. “Ajo që kemi parë në tre javët e fundit është një turp kombëtar”, deklaroi neodemokrati Charlie Angus, duke i cilësuar organizatorët e protestës racistë që duhet të burgosen. Angus kërkoi gjithashtu hapjen e një hetimi të pavarur për të analizuar në mënyrë të veçantë dështimet në aspektin e sigurisë publike që lejuan, sipas tij, degjenerimin e situatës, përfshi dhe hetimin e financimeve të huaja që ka marrë “Freedom Convoy”.

Ndërkohë debatet do të vazhdojnë edhe nesër (20.02) dhe kreu i Dhomës së Komunave Anthony Rota njoftoi që votimi përfundimtar do të zhvillohet të hënën në mbrëmje, në orën 20:00.

Deri në mbrëmjen e sotme, si rezultat  i ndërhyrjes së policisë janë kryer më shumë se 170 arrestime, janë vënë mbi 3600 gjoba dhe rimorkjuar 59 kamionë të parkuar jo shumë larg parlamentit.

Nga ana e saj, Policia e Ottawa ka deklaruar se vendimi i qeverisë federale për të përdorur Aktin e Masave Urgjente ndihmoi në përshpejtimin e përgjigjes ndaj protestës së “Freedom Convoy”. “Bashkimi i tre niveleve të qeverisjes për të mbështetur përpjekjet tona, na ndihmoi të arrijmë rezultate në terren”, pohoi Steve Bell, ushtruesi i detyrës së Shefit të Policisë së Ottawa, i cili e mori drejtimin pas dorëheqjes së Peter Sloly.

Edhe njëherë sot, Shoqata Kanadeze për të Drejtat Qytetare, që ka ngritur një padi kundër qeverisë federale, ripërsëriti opinionin që aplikimi i Aktit të Masave Urgjente është antikushtetues. “Ne besojmë se ajo që po shohim këtu në Ottawa është një situatë shumë e vështirë e zbatimit të ligjit, që megjithatë nuk përbën një emergjencë kombëtare”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e kësaj shoqate, Noa Mendelsohn Aviv.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada