Kanada

Ottawa, hetim special për rastin e protestueses që u plagos nga kali i policisë

  • Published in Kanada

Sipas një lajmi të publikuar sot (20.02) nga Radio-Canada, Njësia e Hetimeve Speciale të Ontario-s po heton mbi dy ngjarje që ndodhën gjatë operacionit masiv të policisë për të larguar protestuesit dhe kamionët nga qendra e kryeqytetit federal.

Ngjarja e parë ka ndodhur rreth orës 17:14 të së premtes (18.02), kur sipas lajmit, (por edhe një fotoje të publikuar në rrjetet sociale) “një grua 49-vjeçare u plagos rëndë gjatë një ndërveprimi me një oficer të Shërbimit Policor të Torontos të hipur mbi kalë pranë ndërtesave të Parlamentit”.

Dy orë më vonë, dy policë të ardhur nga Vancouver kanë shkrehur armë zjarri “me efekte të reduktuara” ndaj disa personave në zonën e Sparks dhe Bank Streets, diku më larg se Wellington Street. Asnjë i plagosur nuk është raportuar për momentin ka deklaruar Njësia Speciale e Hetimeve të Ontario-s.

Kjo njësi i ka bërë thirrje kujtdo që është goditur nga një plumb, ose që ka foto ose video që mund t’i informojnë hetuesit për këto ngjarje, të kontaktojnë ekipin e saj përmes faqes së saj të internetit ose duke telefonuar në numrin 1-800-787-8529.

Kujtojmë që të shtunën (19.02), gjatë konferencës së tij për shtyp të pasdites, drejtuesi i përkohshëm i Policisë së Ottawa, Steve Bell, pat deklaruar që nuk ka pasur asnjë të plagosur nga radhët e manifestuesve, madje theksoi që personat e goditur nga kali i policisë ishin ngritur menjëherë më pas në këmbë.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Reno Patry