Kanada

Toronto - Ekspozitë në kuadrin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

  • Published in Kanada

(Konsulli i Përgjithshëm Donat Syla dhe deputetja federale Ya'ara Saks)

Nën kujdesin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Toronto, z. Donat Syla dhe stafit të misionit diplomatik të Kosovës në metropolin kanadez, në bashkepunim me organizatën hebreje Yad Vashem, u celebrua dje (23.02) 14 vjetori i pavarësisë së Kosoves, përmes organizimit të një ekspozite me fotografi të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, që i dolën në krah popullit mik hebre në periudhën më të vështire për ta, në Luftën e Dytë Botërore. Ekspozita titullohej me fjalën tonë të shenjtë Besa.

Gjatë aktivitetit, u lexuan për të pranishmit mesazhet e dërguar posaçërisht me këtë rast nga Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani. Mesazhe kishin dërguar gjithashtu edhe Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, si dhe Kryetari i Bashkisë Toronto, John Tory.

Përveç Konsullit të Përgjithshëm Donat Syla, pjesmarrësit në eventin e djeshëm janë përshëndetur edhe nga Ministri i Ontarios për Shtetësinë dhe Multikulturalizmin Parm Gill, deputeti provincial Roman Baber, deputetja federale Ya’ara Saks si dhe shefja e Misionit Diplomatik të Izraelit në Toronto, Idit Shamir.

Të pranishëm kanë qënë gjithashtu përfaqësues diplomatikë në Toronto si Konsullja e Përgjithshme e SHBA Susan Crystal, ajo e Polonisë Magdalena Pszczolkowska, ai Gjermanisë Thomas Schultze, Konsulli i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Ilir Islami, e diplomatë të tjerë nga Hungaria, Panamaja, Malta etj.

Sipas Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Donat Syla, “ajo çka e bëri të veçantë këtë event, ishte pikëtakimi në Kanada, në një sinagogë hebreje (Beth Emeth Bais Yehuda Synagogue), ndërmjet dy popujve të lashtë, shqiptarëve dhe hebrenjve, të cilët kanë shumë të përbashkëta jo vetëm në rrugëtimin e tyre historik, por edhe në vizionin e tyre për një botë më të mirë”.

Ngjyra të veçanta aktivitetit të djeshëm i ka dhëne edhe interpretimi i duos së mirënjohur violinë-kitarë, Entela Galanxhi dhe Qazim Kallushi.

*Në foton kryesore Konsulli Donat Syla dhe Ministri Parm Gill

©Flasshqip.ca

Fotot: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto