Ottawa - Ligjshmëria e masave të jashtëzakonshme do shqyrtohet nga një komision parlamentar
- Published in Kanada

Kreu i Grupit parlamentar Liberal në Dhomën e Komunave, Mark Holland, ka rinisur sot (28.02) përpjekjet për ngritjen e një komisioni miks që do të shqyrtojë argumentet dhe mënyrën e aplikimit nga qeveria Trudeau të gjendjes së jashtëzakonshme mbi bazën e Aktit për Masat Urgjente. Është vetë ky ligj që parashikon krijimin e një komisioni të përbashkët të përbërë nga deputetë dhe senatorë. Kujtojmë që gjendja e jashtëzakonshme u dekretua pas bllokimit tre javor të qendrës së Ottawa nga protestuesit kundër kufizimeve shëndetësore dhe lëvizja e kamionistëve "Freedom Convoy".
Mocioni i përgatitur nga deputeti ontarian Holland, parashikon që ky komision i përbashkët të përbëhet nga shtatë deputetë dhe katër senatorë. Sa i përket deputetëve, mocioni propozon tre nga Partia Liberale, dy nga Partia Konservatore, një nga Blloku Québécois dhe një nga Neodemokratët. Bashkëkryesimi propozohet të jetë sipas formulës një deputet i Bllokut, nje Neodemokrat dhe një senator të cilin e përzgjedh Senati. Zëvendëspresidenca parashikohet të mbulohet bashkërisht nga një deputet Liberal dhe një Konservator.
Mark Holland
Kjo formulë është kundështuar deri tani nga Konservatorët të cilët kërkojnë bashkëkryesimin. Nënkryetari i Konservatorëve, Luc Berthold si dhe kreu i Grupit Parlamentar, John Brassard, janë veçanërisht kundër një bashkëkryesimit të komisionit nga Neodemokratët. Ata të dy argumentuan javën e kaluar se komisionet e mbikëqyrjes tradicionalisht kryesohen nga opozita zyrtare dhe në rastin konkret ky bashkëkryesim nuk mund të bëhet nga një anëtar i partisë së katërt për nga numri i deputetëve që po shfaqet si një zgjatim i qeverisë.
Nga ana e tij Mark Holland, i cituar nga Radio-Canada, beson se versioni i fundit i propozuar është më i arsyeshëm dhe më i balancuar. Vendimi në Dhomen e Komunave pritet të merret shumë shpejt.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Adrian Wyld