Quebéc mund të presë 10,000 refugjatë ukrainas - Nga Naomie Gelper
- Published in Kanada

Naomie Gelper - Journal Métro
Ndërsa sulmi rus ndaj Ukrainës intensifikohet dhe më shumë se gjysmë milioni refugjatë ukrainas janë larguar drejt vendeve fqinjë, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimeve Komunitare për Refugjatët dhe Emigrantët (SCRI-Services communautaires pour réfugiés et immigrants), Miguel Arévalo, Montreali mund të bëhet qysh nga fillimi i muajit të ardhshëm qytet mikpritës për refugjatët ukrainas.
Qeveria e Kanadasë ka deklaruar se është e gatshme të mirëpresë refugjatët, ndërsa Québec i ka ofruar "bashkëpunimin e plotë" asaj. Nga ana e tij, kryeministri François Legault është zotuar të mirëpresë refugjatët ukrainas “në javët dhe muajt në vijim”. (Rreth 40,000 rezidentë të Québec janë me origjinë ukrainase. Shënim i Flasshqip.ca).
Megjithatë, z. Arévalo ka pohuar për Métro që ai ende nuk ka marrë ndonjë udhëzim, as nga ministritë provinciale apo federale, as nga Tryeza e Rrumbullakët e Organizatave që Shërbejnë Refugjatët dhe Emigrantët (TCRI-Table de concertation des organismes au service des personnes réfugiées et immigrantes).

Miguel Arévalo
Refugjatët priten kryesisht në Montréal
Sipas Miguel Arévalo, provinca e Québec ka kapacitetin për të akomoduar nga 5,000 deri në 10,000 refugjatë ukrainas. Sigurisht, strehimi, mobilimi, veshmbathja, mësimi i gjuhës frënge, arsimi, aktivitetet dhe procedura administrative... e shumë aspekte të tjerë do të duhet të merren parasysh për integrimin e suksesshëm të tyre. “Është një strukturë e tërë që tashmë ekziston në sistemin e qytetit. Do të jetë e nevojshme të vihet në lëvizje nga një ekip kompetent për t'i mirëpritur ata”, ka theksuar z. Arévalo.
Kërkohet heqja e detyrimit të vizave për ukrainasit
Ndërsa synon të eliminojë tarifat administrative për aplikantët ukrainas dhe të zgjasë statusin e atyre që tashmë ndodhen në Kanada, qeveria federale ende nuk është zotuar megjithatë t'i japë fund detyrimit për vizë, siç kanë kërkuar në Dhomën e Komunave Blloku Québécois, Partia Konservatore dhe Neodemokratët.
Kjo është gjithashtu një kërkesë e paraqitur edhe nga presidentja e Shoqatës së Avokatëve të Québec që praktikojnë të Drejtën e Imigracionit, Stéphanie Valois, pra për të lejuar qytetarët ukrainas të udhëtojnë në Kanada me një autorizim udhëtimi elektronik (ETA). Aktualisht, Kanadaja kërkon vizë për të gjithë qytetarët ukrainas që duan të udhëtojnë këtu. “Ky detyrim kërkon që pasaporta të dërgohet në një ambasadë kanadeze në mënyrë që të vendoset viza në të”, ka shpjeguar ajo në një deklaratë për shtyp të publikuar të martën.
ETA mund të merret shumë më shpejt dhe pa kërkesën e dërgimit të pasaportës në një ambasadë kanadeze. “Kjo masë do të lejonte gjithashtu të gjithë njerëzit që presin qëndrim të përhershëm të vijnë në Kanada dhe të finalizojnë aplikimin e tyre nga vendi ynë”, thuhej në deklaratë.

Me Stéphanie Vallois
Diaspora e dytë më e madhe ukrainase
Kur e pyesim Miguel Arévalo pse kanadezët duken më të hapur për të mirëpritur refugjatët ukrainas sesa ata sirianë, për shembull, ai kujton që në Kanada jeton diasporën e dytë më të madhe ukrainase në botë, pas Ukrainës dhe Rusisë. Sipas regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë kanadeze të vitit 2016, numri i kanadezëve me origjinë ukrainase e kalon shifrën 1.3 milion.
Sidoqoftë, kushdo që ka patur rastin të punojë pranë një organizatë në kohën e ardhjes së refugjatët sirianë në 2019, kujton se në atë kohë u bënë gjithashtu përpjekje të rëndësishme. “Do të isha i lumtur nëse do t'u jepnim të njëjtin trajtim ukrainasve si sirianëve, sepse për mua, ne i mirëpritëm ata shumë mirë,” ka deklaruar z. Arévalo.

Burimi: https://journalmetro.com
Shqipëroi: Flasshqip.ca
Foto: François Lemieux/Métro, Jacques Lebleu/Quartiers Nord, Ukrainian Canadian Congress
https://journalmetro.com/actualites/2784402/le-quebec-peut-accueillir-10-000-refugies-ukrainiens












