Konflikti në Ukrainë do ketë ndikim shkatërrues ekonomik, paralajmëron FMN
- Published in Kanada
"Rritja e menjëhershme e çmimeve do ketë efekte në mbarë botën, veçanërisht në familjet me të ardhura të ulëta, për të cilat shpenzimet e ushqimit dhe energjisë përfaqësojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre." (FMN)
Një përshkallëzim i konfliktit në Ukrainë do të kishte pasoja "shkatërruese" ekonomike në mbarë botën, paralajmëroi sot (05.03) Fondi Monetar Ndërkombëtar. Përveç vetë konfliktit, sanksionet e vendosura ndaj Rusisë do të kenë një ndikim thelbësor në ekonominë globale dhe tregjet financiare, me efekte kolaterale për vendet e tjera. Edhe nëse parashikimet mbeten subjekt i një pasigurie të jashtëzakonshme, pasojat ekonomike janë tashmë shumë të rënda, theksoi në deklaratën e vet institucioni në fjalë.
Rritja e çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para në përgjithësi (me një fuçi naftë tashmë afër 120 dollarëve apo me grurin që kushton 20% më shtrenjtë) i shtohet valës inflacioniste që bota po përjeton prej muajsh tashmë në atë periudhë që po dukej si fundi i pandemisë. Sa i përket Ukrainës, tashmë është e qartë se vendi do të përballet me kosto të konsiderueshme në aspektin e ringritjes së ekonomisë dhe rindërtimit të objekteve të shkatërruara ose të dëmtuara.

FMN ka deklaruar gjithashtu se ndihma financiare emergjente e kërkuar nga Ukraina dhe që vetë institucioni e pat raportuar që më 25 shkurt, arrin në 1.4 miliardë dollarë. Kërkesa pritet t'i paraqitet zyrtarisht bordit ekzekutiv të FMN-së që në fillim të javës së ardhshme.
Po ashtu, sipas Fondit, vendet me lidhje të ngushta me Ukrainën dhe Rusinë rrezikohen veçanërisht nga mungesa e produkteve të caktuara dhe nga probleme të furnizimit.
Kështu për shembull, Moldavia ka kërkuar një ripërllogaritje dhe një rritje të planit të mbështetjes që ajo tashmë përfiton nga FMN, për të përballuar kostot e krizës aktuale. Për këtë qëllim kanë nisur tashmë diskutimet me qeverinë moldave. Sipas OKB, konflikti Rusi-Ukrainë ka shkaktuar deri më sot largimin nga Ukraina të rreth 1.37 milionë njerëzve, veçanërisht në Poloni, por edhe, ndër të tjera, në Moldavi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar është një institucion ndërkombëtar që bashkon 190 vende, qëllimi i të cilit është të promovojë bashkëpunimin monetar ndërkombëtar, të garantojë stabilitetin financiar, të lehtësojë tregtinë ndërkombëtare, të kontribuojë në një nivel të lartë punësimi, stabilitet ekonomik dhe të ulë varfërinë. Funksioni i FMN është pra të sigurojë stabilitetin e sistemit monetar ndërkombëtar dhe menaxhimin e krizave monetare dhe financiare. Për ta bërë këtë, ai u jep kredi vendeve që përjetojnë vështirësi financiare dhe që rrezikojnë stabilitetin qeverisës të vendit përkatës, stabilitetin e sistemit të tij financiar (bankat, tregjet financiare) ose flukset tregtare ndërkombëtare me vendet e tjera. Gjatë një krize financiare, për të parandaluar një vend nga "default" (që do të thotë se ky vend nuk mund të paguajë më kreditorët e tij, apo edhe të mos paguajë më shpenzimet e tij aktuale), FMN-ja i jep para hua derisa të kthehet besimi i agjentëve ekonomikë. FMN-ja kushtëzon marrjen e kredive me zbatimin e disa reformave ekonomike që synojnë parimisht rregullimin e menaxhimit të financave publike (ndërhyrje financiare) dhe vendosjen e rritjes së ekuilibruar ekonomike në terma afatgjatë.
©Flasshqip.ca
Fotot: Nicole Pereira/AP, Ivanoh Demers/Radio-Canada, Johannes P. Christo/Reuters












