Qeveria Trudeau u kërkon kanadezëve në Rusi të largohen prej andej sa më shpejt të jetë e mundur
- Published in Kanada
Global Affairs Canada u bëri sot (05.03.) një apel të fortë shtetasve kanadezë që aktualisht janë në Rusi të largohen nga vendi “për sa kohë opsionet e fluturimeve janë ende të disponueshme”. Pas sulmit rus në Ukrainë 10 ditë më parë, një numër i madh vendesh evropiane, përfshi Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara, mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë, kryesisht ata të kompanisë Aeroflot.

Këto sanksione kanë reduktuar në masë të madhe shkallën e mundësive ende në dispozicion për t'u larguar nga vendi me rrugë ajrore. Pikërisht për këtë arsye, qeveria kanadeze u sugjeron me insistim qytetarëve të vet të largohen nga Rusia menjëherë dhe të tjerëve që mund të kishin planifikuar, të shmangin çdo udhëtim drejt Rusisë.
Ky apel nga Ottawa, mbërrin në vijim të një morie sanksionesh ekonomike nga vendet perëndimore, sëbashku me Kanadanë, në adresë të Moskën. Një mori kompanish shumëkombëshe gjithashtu kanë pezulluar aktivitetet e tyre në Rusi, përfshi edhe Visa e Mastercard që e kanë marrë vendimin po sot. Moska miratoi gjithashtu një ligj të premten (04.03.) që parashikon burgime të ashpra dhe gjoba për këdo që publikon informacione që konsiderohen të pavërteta për ushtrinë ruse, duke bërë që CBC/Radio-Canada dhe shumë media të tjera të pezullonin mbulimin nga Rusia.
Qeveria federale kanadeze e kishte vendosur tashmë Ukrainën në listën e saj të kuqe të destinacioneve për udhëtarët kanadezë dhe u rekomandon shtetasve të saj që të strehohen në një vend të sigurt, përveç nëse është e sigurt të largohen nga ai vend.
©Flasshqip.ca
Foto: Reuters/Regis Duvignau, Jolson Lim/iPolitics












