Kanada

Qeveria kanadeze miraton 117 milionë dollarë shtesë për pritjen e refugjatëve ukrainas

  • Published in Kanada

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, në ditën e tij të fundit të turit gjashtë ditor në Europë, njoftoi dje (09.03) nga Polonia gjatë një konference për shtyp i shoqëruar nga presidenti polak Andrzej Duda, që Kanadaja ka miratuar një shumë shtesë prej 117 milionë dollarësh për zbatimin e masave të reja të imigracionit të miratuara posaçërisht për sjelljen në Kanada të refugjatëve që janë larguar nga Ukraina për shkak të luftës.

Ky financim do të ndihmojë në krijimin e opsioneve të reja të imigracionit, përshpejtimin e përpunimit të aplikimeve dhe ofrimin e mbështetjes për të sapoardhurit pasi të mbërrijnë në Kanada. Megjithatë, edhe pse kërkesa e partive opozitare vazhdon të përsëritet, Ottawa ende refuzon heqjen e vizave për shtetasit ukrainas.

Kryeministri Justin Trudeau njoftoi gjithashtu se Kanadaja do të dhurojë 20 milionë dollarë për Kryqin e Kuq Kanadez, një shumë e barabartë kjo me kontributet e qytetarëve të mbledhura deri më tani nga vetë kjo organizatë për të mbështetur refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë. Kësisoj, një total prej 30 milionë dollarësh shtesë nga qeveria kanadeze do përdoren për të mbështetur përpjekjet e menjëhershme dhe të vazhdueshme të ndihmës në shtetet në kufi me Ukrainën, drejt të cilëve kanë shkuar më shumë se 2 milionë njerëz që nga fillimi i luftës.

30 milionët e donacioneve për Kryqin e Kuq Kanadez i shtohen shumës prej 100 milionë dollarësh të ndihmës humanitare të miratuar nga Ottawa për Ukrainën qysh më datën 1 mars. “Gjysma e kësaj pakete do përdoret për financimin e një numri organizatash humanitare për të ofruar ndihmë të menjëhershme aty ku është më e nevojshme”, deklaroi kryeministri Trudeau.

Lista e Organizatat që do marrin këtë grant përfshin Programin Botëror të Ushqimit, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, Fondin Humanitar Ukrainas, HelpAge, Save the Children, SOS Fshati i Fëmijëve etj.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: AP/Daniel Cole/Czarek Sokolowski