Kanada

Kanadezët që luftojnë në Ukrainë - Nga Philippe Leblanc, i derguar special i Radio-Canada

  • Published in Kanada

 Philippe Leblanc, Radio-Canada

Thirrja e Ukrainës për luftëtarë të huaj vullnetarë duket se ka marrë përgjigje. Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, gati 20,000 të tillë u janë bashkuar radhëve të ushtrisë. Thuhet se ka rreth 1000 luftëtarë kanadezë në vend, nga të cilët rreth 550 në zonën rreth kryeqytetit, Kiev, madje kanadezët kanë formuar dhe batalionin e tyre brenda Legjionit të të huajve në Ukrainë.

Lvov, Ukrainë (11 mars 2022) - Toka është me baltë. Ajri është i freskët dhe i lagësht. Vetëm drita e një celulari ndriçon shtegun e gjatë. Është një inkursion i rrallë, drejt luftëtarëve të huaj në Ukrainë, në një vend që pak e dinë se ku ndodhet.

“Është ftohtë nën tokë, apo jo, djema?”, thotë kanadezi Jay, një emër fiktiv ky, që po e përdor për të mos zbuluar identitetin e tij.

Jay na çon tek llogoret e gërmuara rreth qendrës stërvitore të ekipit të tij në mbështetje të mbrojtjes territorial ukrainase, ekuivalenti i forcave rezerviste. Ndalohet filmimi ose fotografimi i peizazhit, vendit ose çdo elementi që mund të japë informacion për vendndodhjen e qendrës.

“Unë përgatis gjeorgjianët dhe ukrainasit për t’u bërë gati për luftime. Shumica e perëndimorëve që vijnë këtu tashmë kanë përvojë ushtarake. E vetmja pengesë është gjuha”, pohon Jay.

Ai ka mbërritur në Ukrainë një javë më parë. U nis nga aeroporti Pearson në Toronto për në Heathrow, Londër. Më pas udhëtoi drejt Lvov me disa luftëtarë britanikë që takoi në Angli, sepse kish vendosur të mos nisej i vetëm drejt Ukrainës.

“Po shikoja lajmet në TV dhe pashë një djalë që më kujtoi djalin tim. I thashë vetes se kisha dy rrugë, ose të rrija në shtëpi ose të vija këtu për të ofruar ndihmën time. Këtu merrem me mbështetjen logjistike. Kujdesem që gjithësecili të pajiset me uniformë, helmetë dhe të marrë stërvitjen adekuate”, vazhdon rrëfimin e tij Jay.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, rreth 20,000 luftëtarë të huaj i janë bashkuar ushtrisë dhe mijëra të tjerë ofrojnë trajnime dhe mbështetje logjistike.

Ndërsa sipas bashkëbiseduesit tim, aktualisht thuhet se ka rreth 1000 luftëtarë kanadezë në vend, nga të cilët rreth 550 në zonën rreth kryeqytetit, Kiev, madje kanadezët kanë formuar dhe batalionin e tyre brenda Legjionit të të huajve në Ukrainë. Jay personalisht shprehet se do të donte të kishte më shumë kanadezë dhe mbi të gjitha, që Kanadaja të bënte më shumë, edhe pse rreziqet janë të mëdha, sidomos të sillte më shumë ndihma humanitare dhe armë.

“Unë e kuptoj që një person i vetëm nuk mund të bëjë ndryshimin, por nëse të tjerë si unë vijnë në Ukrainë, kjo mund të ketë një ndikim. Këtu kanë nevojë për mjekë, infermierë, zjarrfikës. Jo të gjithë do duhet të marrin armët për të ndihmuar ukrainasit”, shton ai.

Jay synon të ofrojë shërbimet e tij deri në fund të luftës, edhe pse e di që familja e tij në Kanada është e frikësuar për fatin e tij.

“Unë do të fokusohem te ana humanitare sidomos për të ndihmuar jetimët dhe për të ndihmuar në evakuime, por do të jem gati të luftoj në çdo kohë në se duhet”, e mbyll bisedën ai.

Vizita e shkurtër ka përfunduar. Jay kthehet andej nga erdhi në fillim. Çdo veprim e bën me nxitim, si dikush që druhet se nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për të ofruar të gjithë ndihmën që është i gatshëm të japë.

Burimi: Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Philippe Leblanc

Përktheu: Flasshqip.ca